Arbëri

Abdixhiku i del në mbrojtje Hysen Çekajt: Duan ta njollosin sepse kanë shumë mllef

Hysen Çekaj & Lumir Abdixhiku

Hysen Çekaj & Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dalë në mbështetje të kandidatit për deputet nga kjo parti, Hysen Çekajt, djalit të heroit Sali Çekaj, duke dënuar ashpër sulmet ndaj tij dhe duke vlerësuar arritjen e tij në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Hysen Çekaj është përmendur nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje si i përfshirë “në skema të pista” në manipulimet në votat me postë. Çekaj ka marrë mbi 12 mijë vota nga votat me postë dhe është në rrugë të mirë për t’u bërë deputet. Megjithatë, eksponentë të pushtetit kanë hedhur dyshimet se këto vota mund të jenë të manipuluara.

Por në një shkrim në Facebook të mërkurën, Abdixhiku kritikoi ashpër sulmet ndaj Çekajt, duke i cilësuar si të padrejta dhe të motivuara nga frika për ndryshimet që po sjell. Sipas tij, sulmet vijnë si pasojë e suksesit të një të riu nga diaspora, i cili ka fituar mbështetje të madhe pikërisht nga bashkëatdhetarët e tij.

“Në moçalin e madh të pështymave e të konspiracioneve të liga, të partisë që në ambasada mbushë thasë me vota, e në Kosovë nxitë veç helm e vrer - Hysen Sali Çekaj qëndron fort dhe duron me dinjitet gjithë këtë sulm të egër – ende pa nisur mirë karrierën e tij politike”, u shpreh Abdixhiku, duke theksuar se përpjekjet për ta dekurajuar dhe njollosur nuk do të kenë sukses.

Ai gjithashtu e cilësoi Çekajn si njeri të urtë dhe të jashtëzakonshëm, duke nënvizuar se misioni i tij është të çrrënjosë populizmin dhe urrejtjen politike.

“Kokën lart, Hysen! Ky mision është fisnik për të gjithë ne”, përfundoi ai.

Në fund, Abdixhiku shprehu mirënjohje të veçantë për mërgatën, duke falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Çekajt dhe kauzës së tij politike.

Nga numërimi i votave me postë, LVV-ja e para ka marrë 31.963 vota apo 51.57 për qind. Lidhja Demokratike (LDK) është renditur e dyta me 18.933 vota apo 30.55 për qind, pasuar nga Partia Demokratike (PDK) me 5.878 vota apo 9.48 për qind. Koalicioni AAK-Nisma ka marrë 2 mijë vota apo 3.23 për qind.

Gjatë ditës së djhesme, sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Alim Rama, ka hedhur dyshime për manipulime në votat me postë, veçanërisht në “rritjen e dyshimtë” për LDK-në. Rama mori kundërpërgjigje të ashpër edhe nga Doarsa Kica-Xhelili.