Kryetari i i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, e ka quajtur dështim spektakolar procesin për sigurimin e teksteve shkollore nga Qeveria.
Ai ka thënë se niveli qendror ofroi radhë të gjata pritjeje për blerjen e teksteve shkollore, maltretime dhe vonesa. Abdixhiku ka shkruar në Facebook se i ka “zgjidhjet moderne që duhen sot”, derisa ka marrë shembull drejtoreshën e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriun, për reformën në arsim nëpërmjet mësimit gjithëditor.
“Reforma e Jehonës është modeli ynë në arsim! Tani krahasojeni këtë punë, për vetëm 6 muaj kohë, me dështimet spektakulare në nivel qendror, ku popullizmi me gjithë atë buxhet e mundësi shtetare, ofron radhë të gjata pritjeje, maltretime e përfundimisht vonesa në sigurimin e librave - PA ASNJË NEVOJË! Unë dhe LDK e kemi të qartë rrugën përpara. I kemi të qarta dhe nevojat por dhe zgjidhjet moderne që ju duhen sot. Të tilla që lënë shenja e jo sharje. Që krijojnë ndryshim e nuk ju mbajnë peng në terrin e urrejtjes e përçarjes. ‘Rruga e Re’ dhe modeli ynë në arsim - sikurse Reforma e Jehonës në Prishtinë - synon të zhvendoset në çdo qytet anembanë”, ka deklaruar kryetari i partisë opozitare.
Abdixhiku ka shtuar tutje se LDK-ja e ka në program reformën e arsimit në Kosovë.