Kandidati për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka refuzuar komunikimin me njerëz të afërt të ish-presidentit amerikan, Joe Biden.
Ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” ka theksuar se edhe ka fakte se Kurti nuk i ka takuar ata.
“Është pak e pabesueshme që Kurti ka refuzuar të komunikojë drejt edhe me njerëzit e afërt me Bidenin. Po po (kam fakte), jam një prej pjesëtarëve që kanë qenë pjesëmarrës në takim. Nuk ka shpjegim (për refuzimin). Shkoj Kurti në Amerikë për dy javë, me kë është takuar, çfarë ka arritur, cilat janë marrëveshjet, rezultatet konkrete! Në ditën e inaugurimit të presidentit Trump erdhi ministrja Gërvalla, ka hy në hotel ka shpenzuar mbi 7 mijë euro dhe ka dalë nga hoteli pa e bërë një takim të vetëm. D.m.th. ambasadori ynë në SHBA nuk ka vozitës të makinës, e keni parasysh, a është naivitet ky? A mund të thoni se Kurti nuk e di që nuk ka vozitës të makinës ambasadori i Kosovës në Washington, e mos të flasim për instrumentet tjera që e bëjnë marrëdhënien si duhet”, është shprehur ai.
Ndërsa, në takimin e të dërguarit amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell, me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, e me të, Abazi ka thënë se janë diskutuar çështje me rëndësi për Kosovën. Ai ka thënë se administrata Trump ka përcjellë marrëdhëniet e Kurtit me administratën Biden dhe se ka parë se asgjë konkrete nuk ka ndodhur.
“Çështja e parë është sqarimi i plotë që Kosova dhe Ballkani do jenë pjesë e portofolios së tij. Këtu ndryshon gjithçka, në kuptimin që më nuk mund të flasësh me një ish-zyrtar por kemi të bëjmë me një detyrë zyrtare. Për ne ka qenë e rëndësishme konfirmimi i tij që do jetë në prioritetet e punës së tij dhe kjo është konfirmuar. E dyta, Trump do të ketë edhe më të qartë sesa Biden pozicionin ndaj atyre që cenojnë sigurinë, stabilitetin dhe demokracinë në Ballkanin Perëndimor. Gjëja tjetër që është thënë me Grenell është që nuk mund të lejohen vendime që rrezikojnë jetën e ushtarëve amerikanë në Kosovë”.
Abazi: Qeveria Kurti ka pasur marrëdhënie nën zero me administratën Biden
Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Haki Abazi, duke komentuar deklaratat e fundit të emisarit për Misione të Posaçme nën administratën Trump, Richard Grenell, ka thënë se thelbi i problemit janë marrëdhëniet që Qeveria e Kosovës ka pasur me administratën Biden gjatë katër vjetëve.
Abazi sa ishte pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje e pati kritikuar ashpër Grenellin. Por ka thënë se ajo i përket së kaluarës sepse, sipas tij, kanë qenë rrethana të tjera. Të hënën (dje), Grenelli e kritikoi ashpër kryeministrin Albin Kurti, duke thënë se ndërkombëtarët janë të bashkuar kundër tij.
“Jam takuar me Grenellin para dy javësh në SHBA. Unë kam qenë kundër tij kur ai ishte ambasador në Gjermani dhe më pas përfaqësues special për Ballkanin Perëndimor. Qëndrimi i tij atëherë ishte që të diskutohej ndarja e Kosovës dhe unë jam dhe do të jem gjithmonë kundër kësaj ideje”, deklaroi Abazi në KTV të martën.
Duke komentuar deklaratat e fundit të Grenellit, Abazi u shpreh se nuk mund ta kritikojë, pasi sipas tij, ai (Grenelli) po vepron si përfaqësues i presidentit Donald Trump.
Sipas Abazit, çështja kryesore nuk është se çfarë ka thënë Grenelli tani, por se çfarë ka ndodhur në marrëdhëniet mes Kosovës dhe administratës Biden gjatë katër vjetëve të fundit.
“Problemi nuk është çka ka thënë tani Grenelli, por çka ndodhi për katër vjet me administratën Biden? Marrëdhënia e Qeverisë me atë administratë ka qenë nën zero. Kemi pasur fyerje për Antony Blinken, letra kundër Gabriel Escobarit dhe qëndrime kontraverse për James O’Brien mbi premtimet për Kosovën”, ka theksuar Abazi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka treguar pakujdesi ndaj një administrate që historikisht ka qenë e angazhuar për shtetësinë e Kosovës.
Sipas tij, Joe Biden ka qenë i përkushtuar ndaj çështjes së Kosovës gjatë gjithë karrierës politike, dhe prishja e marrëdhënieve me administratën e tij ka sjellë pasoja të mëdha për vendin.