Arbëri

Abazi: Nënshkrimi i marrëveshjes në Bratislavë, gabimi fatal i Qeverisë Kurti

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, ka thënë se institucionet e BE-së janë në kërkim të një qeverisjeje serioze.

Ai ka vlerësuar se nënshkrimi i marrëveshjes për shtensionim në Bratislavë nga Qeveria aktuale, ka qenë gabim fatal i diplomacisë kosovare, pasi sipas tij, Kosova me këtë veprim, ka marrë përgjegjësinë për tensionim të situatës.

Abazi ka thënë se në vend të kësaj, kryeministri Albin Kurti do të duhej të tregonin në Bruksel dhe Uashington informacionet që kanë për sulmin në veri. 

“Këto platforma nuk janë platforma për të bërë shaka me to, ata janë në kërkim të një qeverisjeje serioze që merr për bazë të gjithë faktorët edhe rajonalë, për të mos u bërë delja e zezë e rajonit. Në momentin kur Kurti bashkë me Bislimin kanë nënshkruar një marrëveshje për shtensionim në Bratislavë, ia kanë mveshur vetes të gjithë përgjegjësinë për provokimin e situatave në veri. Nuk po them se është e drejtë apo e padrejtë ajo çfarë ka ndodhur në veri, por fakti se është nënshkruar një marrëveshje për shtensionim në Bratislavë, e merr përgjegjësinë për tensionim të situatës, ky ka qenë gabimi fatal i politikës së jashtme të Kosovës. Pse duhet nënshkruar marrëveshje për tensionim? Pse nuk e arsyeton në Bruksel dhe në Uashington kërcënimin me informacione? Bisedat tona me Parlamentin Evropian, me Komisionin Evropian, ata janë në kërkim të një qeverie që nuk mashtron”, ka thënë ai të martën në “Interaktiv” të KTV-së.


Abazi: Kurti e ka sabotuar ofertën e Senatit Amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Kandidati për deputet i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Haki Abazi, e ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti për sabotim të ofertës së Senatit amerikan për anëtarësimin e Kosovës në NATO.

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Abazi ka thënë se Senati dhe Kongresi amerikan kanë pasur ofertë që të dizajnohet procesi i përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në Aleancën Veriatlantike, por kjo është refuzuar dhe sabotuar nga Kurti. 

“Sa isha kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme ne kemi pasur ofertë nga Senati dhe Kongresi amerikan me delegacion të përbashkët që ta dizajnojmë procesin e përshpejtimit të anëtarësimit të Kosovës në NATO. Kjo është refuzuar dhe është sabotuar nga vetë Kurti, duke mos lënë hapësirë që ky diskutim të bëhet drejtpërsëdrejti sepse është dashur që të kryhen detyrat e shtëpisë, të cilat Kurti ka vendosur që t’i vendosë në beteja të vogla dhe të tentojë që me simbolikat e me populizëm të përfitojë vota, e të mos orientohet dhe koncentrohet në çështjen e rëndësishme siç është anëtarësimi në NATO dhe institucione e mekanizma ndërkombëtarë”, ka thënë ai.

Abazi ka shtuar se për partinë të cilët tani i takon, anëtarësimi në NATO është prioritet që tejkalon çfarëdo pengese, përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, drafti për të cilin do të duhej të dërgohej në Gjykatën Kushtetuese. 

“Për AAK-në prioriteti i anëtarësimit në NATO tejkalon çfarëdo pengese dhe kryerje të detyrave të shtëpisë që duhet t’i bëjmë ne për ta hapur këtë rrugë. Kjo i bie se Asociacioni, draftstatuti në Gjykatën Kushtetuese sepse ne besojmë në këtë gjykatë, nëse ka çështje të tjera aspekte të pengesave të brendshme, do t’i adresojmë me shpejtësi, nuk duhet të kalohen 4 vjet me populizëm për çështje me të cilat pengojmë çështjen e integrimit në NATO. Nuk po flasim për cenim të integritetit territorial të Kosovës, nuk po flasim për ridefinim të kufijve. Kjo kërkesë nuk është askund, as nga SHBA-ja, as nga vendet njohëse. Ideja është që ne do ta dërgojmë në Gjykatën Kushtetuese, kjo gjykatë e ka kompetencën e fundme kushtetuese për ta bërë këtë draft të pranueshëm që nuk prek frymën e Kushtetutës së Kosovës”, ka shtuar ai.