Arbëri

AAK-ja me pritshmëri të larta në zgjedhje, Dreshaj: Kurti duhet të ishte në takim sot

Shemsedin Dreshaj

Kryetarët e tri partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, janë pajtuar të mërkurën që 26 janari të jetë data e zgjedhjeve parlamentare.

Deputeti i Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Shemsedin Dreshaj, ka thënë se kjo është data më e mirë e mundshme dhe se duhet të pranohet nga presidentja.

Ai ka folur edhe për raportet mes presidentes, Vjosa Osmani, dhe kryeministrit Albin Kurti, pasi ky i fundit nuk i shkoi në takim me arsyetimin se kishte në agjendë të planifikuar një takim tjetër.

“Raportet mes kryeministrit dhe presidentes edhe më herët kanë qenë në divergjenca të mëdha, kanë pasur prononcime që kanë lënë të kuptohet shumëçka mes rreshtash në aspektin e menaxhimit të vendit. Kurti e ka pasur vendin aty dhe duhej të merrte pjesë, ishte një nga takimet më të rëndësishme që i takon demokracisë parlamentare në një vend, pra caktimi i datës së zgjedhjeve”, ka thënë Dreshaj në “60 Minuta”.

Sipas Dreshajt, Qeveria në mandatin e saj nuk ka punuar shumë dhe se ka shkaktuar dëm të pariparueshëm.

“Dëmi i madh nuk është vetëm në segmentin e menaxhimit të vendit ku kemi shumë lëshime, por një dëm vështirë i riparueshëm është aspekti ndërkombëtar, BE-ja na ka kontestuar shtetësinë tonë përmes pasaportave serbe, jemi në sanksione”, ka thënë ai.

E, sa i përket ftesës së Kurtit për opozitën disa muaj më parë, Dreshaj ka theksuar se qëllimi i asaj ftese ishte përçarja e opozitës.

“Ftesa për takim nga kryeministri ishte e qëllimshme që ta përçajë opozitën. Partitë në Kuvend, nga kryeministri ftohen në ambientin e Kuvendit për t’u dakorduar. Kjo ka qenë ftesë jashtë institucioneve dhe ka qenë një pres arsyeve opozita nuk ka pranuar të shkojë në takim”.

Sa i përket zgjedhjeve, Dreshaj ka pritshmëri ta larta për partinë e tij. Ai ka thënë se nuk flitet për kalim pragu, por për dyfishim të deputetëve apo do të dalë edhe më mirë.

“Mendoj që AAK do të dalë së paku me dyfishin e deputetëve që i kemi tash”, është shprehur ai.