Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), deklaroi se është e gatshme për zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, duke thënë se kanë takime të rregullta me struktura.
Duke iu përgjigjur partisë në pushtet (Lëvizja Vetëvendosje), që nëpërmjet një videomesazhi tha se “opozita flet për izolimin e vendit, por nuk i del zëri për zgjedhjet e reja”, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, deklaroi se partia e saj është e konsoliduar dhe e angazhuar.
“AAK, është parti e konsoliduar dhe kemi angazhim dhe takime të rregullta me struktura dhe aktivistë. Edhe jemi të gatshëm në çdo kohë për zgjedhje. Nuk mundet. Me fol për AAK-në, as VV-ja e as ndonjë parti tjetër se nëpër sfidat që ka kaluar AAK, ndonjë parti tjetër nuk do kishte mbijetuar”, tha Kadrijaj për KOHËN.
“Sa më shpejt, aq më mirë për Kosovën”, deklaroi Kadrijaj, e pyetur se kur mendon që duhet të bjerë Qeveria Kurti.
Ajo shtoi se tendenca për izolim dhe sanksionet ndaj Kosovës “e kanë kthyer Kosovën pas në kohë”.
“Tendencat e izolimit të Kosovës, Kosova e sanksionuar nga aleatët tanët na kanë kthyer pas në kohë. Aspiratat e popullit të Kosovës kanë qenë eurointegrimet për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane. E kjo qeveri me sanksionet e marra nga BE-ja e ka ndalur këtë aspiratë të popullit”, tha Kadrijaj.
Ka disa javë, që AAK-ja ka iniciuar mocionin e mosbesimit, por nuk ka marrë mbështetje nga partitë tjera opozitare.