Arbëri

AAK-ja dhe LDK-ja akuzojnë Kurtin për futjen e vendit në krizë dhe për përçarje

Partitë opozitare kanë vazhduar me kritika drejtuar Qeverisë së Kosovës. Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kërkuar mocion mosbesimi ndaj ekzekutivit duke thënë se kjo qeveri e ka zhytur Kosovën në krizë të thellë e të rrezikshme, ndërsa lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se pushteti po na ndan e përçan

Tri partitë opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës për keqmenaxhim. Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka akuzuar Qeverinë Kurti se e ka zhytur vendin në krizë të thellë, me pasoja edhe për ekonominë.

Gjatë një takimi me përfaqësues të sektorit privat, ai ka theksuar se rreziku nuk vjen vetëm nga mënyra si qeveriset brenda, por edhe nga përkeqësimi i marrëdhënieve me aleatët.

“Për vlerësimin tim, Kosova është në një krizë që është e rrezikshme. Ky rrezik nuk është më në parametrat e zakonshëm kur qeverisja nuk është e mirë, por rreziku është se mënyra e qeverisjes është kah e rrezikon edhe substancën e asaj se kush jemi ne, për Republikën në këtë rast. Vlerësoj se Qeveria Kurti e ka zhytur Kosovën dhe e ka sjellë vendin në një krizë të thellë edhe rrezikshmëri të lartë”, ka thënë Haradinaj.

Kryetari i AAK-së ua ka drejtuar një kërkesë partive të tjera opozitare. Ai ka kërkuar nga ta që të mbledhin sa më parë 40 nënshkrime, në mënyrë që të iniciohet mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Kritika ndaj Qeverisë së Albin Kurtit, të hënën ka adresuar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Polarizimi i shoqërisë sonë nuk ka të ndalur. Pushteti po na ndan, po na përçan, po na lë në të njëjtin vend. Përplasjet na vijnë çdo ditë, krizat po aq shpesh, e ne jemi shndërruar në spektatorë të fatit tonë teksa njerëz me plot urrejtje a pa vullnet për punë vendosin për ne. Rruga e re si rizgjim kombëtar është domosdoshmëri”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa gjatë ditës së diel, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha, ka deklaruar se përfaqësuesit e kësaj partie në Kuvend nuk do t’i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare, për shkak të sanksioneve që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian ia kanë vendosur Kosovës, e të cilat sipas saj, kanë ardhur për shkak të veprimeve të gabuara të kryeministrit, Albin Kurti.