Ka kaluar më shumë se një çerek shekulli që nga përfundimi i luftës në Kosovë dhe gjatë kësaj kohe ushtria britanike ka luajtur një rol jetik në operacionet paqeruajtëse të NATO-s.
BBC ka qëndruar në kampin në Novosellë dhe ka parë nga afër aktivitetet që ushtarët bëjnë në baza ditore në Kosovë.
Pasi kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, pati thënë se ishte “i gatshëm” të vendoste trupat e Mbretërisë së Bashkuar në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje në të ardhmen, përvojat e forcave të armatosura në Kosovë mund të rezultojnë të vlefshme.

Prapavija politike në rajonin e Ballkanit është komplekse.
Në vitin 1999, NATO kreu bombardime ndaj caqeve në Serbi si pjesë e përpjekjes për t’i dhënë fund luftimeve që ajo bënte në Kosovë.
Pas një marrëveshjeje, forcat serbe qenë tërhequr nga Kosova.
Operacionet paqeruajtëse kanë vazhduar nga atëherë, por dhuna herë pas here është rindezur dhe tensionet ende ekzistojnë ndërsa Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008.

Tetari James Lowe po shërben aktualisht në Kosovë.
31-vjeçari është pilot i dronëve dhe përdor teknologjinë për vëzhgim në fshatrat e Kosovës, jo shumë larg nga Serbia.
Trupat britanike i njoftojnë autoritetet serbe kur fluturojnë drona dhe anasjelltas, për të shmangur ndonjë keqkuptim.
“Çdo mundësi që kemi për t’u stërvitur në një aftësi të re, qofshin dronë apo pajisje, duke punuar bashkë me vendet partnere në aleancë, kjo thjesht do të na bëjë një ushtri më të fuqishme”, ka thënë Lowe.

Shumica e popullsisë janë shqiptarë të Kosovës dhe ata mbështesin prezencën e ushtrisë britanike.
“Njerëzit në shtëpi jo çdoherë e shohin ndikimin e ushtrisë britanike jashtë vendit. Ne ende vlerësohemi për këtë. Kemi shkuar nëpër vende dhe atyre u pëlqen të shohin ushtarë britanikë dhe amerikanë. Keni parë rrugë që janë emëruar pas Tony Blairit”, ka shtuar Lowe.
“Ky është një nga ato vendet në botë ku mund të vish dhe të shohësh se kemi bërë diçka të mirë dhe se po ka ndikim të qëndrueshëm për njerëzit këtu”.

Kosova është një shtet ku tensionet mund të ngrihen dhe ka gjithmonë një mundësi që incidente të ndodhin.
Kjo domethënë se sa herë që ushtarët lënë kampin, ata këtë e bëjnë me armët e mbushura si masë paraprake për kujdes.
Një nga detyrat kryesore që merret nga njësia britanike është ta sigurojnë publikun në rrugët e kryeqytetit të Prishtinës dhe qyteteve të tjera përreth Kosovës.

“Dalim dhe u flasim njerëzve, shohim se si iu ecën, si ndihen, nëse kanë ndonjë këshillë, që ne t’i ndihmojmë ata çdo ditë”, ka thënë tetarja Abbie Bradbury.
Të jesh në operacione në Kosovë është shumë ndryshe nga trajnimi në Britani, ka shtuar 21-vjeçarja.
“Mendoj se diçka aq jonormale sa të dalësh me një armë në rrugë është diçka me të cilën duhet të mësohesh, por sapo ta kesh bërë disa herë, thjesht bëhet e natyrshme”, ka thënë ajo.
Bradbury inkurajon gratë që ta marrin në konsideratë rolin e tyre në ushtri.

Ndërsa ushtarët britanikë kryejnë detyra të ndryshme gjithandej Kosovës, ata përbëjnë më pak se 1% të numrit të përgjithshëm të personelit të NATO-s aty.
Aktualisht janë 44 ushtarë britanikë nga gjithsej 4,686 ushtarët në KFOR.
“Jemi këtu që të ofrojmë mjedis të sigurt, dhe si rezultat ndërveprimet kanë qenë shumë pozitive me popullsinë lokale”, ka thënë majori Charlie Mackaness, që komandon njësinë britanike në KFOR.
Majori Mackaness pajtohet se përvoja e fituar nga forcat britanike në Kosovë mund të jetë e rëndësishme për çdo operacion paqeruajtës në Ukrainë, nëse një marrëveshje e tillë arrihet.
“Po, mendoj se ne si regjiment kemi qenë të përfshirë në operacione të shumta paqeruajtëse gjatë dekadës së fundit, qoftë në Qipro apo në Kosovë, kështu që mendoj se kjo gjithsesi na ka dhënë eksperiencë vërtet të rëndësishme në rolin paqeruajtës”.