Arbëri

80 deri 110 euro vlera e subvencionimit për libra, s’dihen çmimet e teksteve shkollore

Teksa është përcaktuar shuma për blerjen e teksteve dhe mjeteve mësimore, në Ministri të Arsimit kanë thënë se ende nuk e dinë saktë se sa është kostoja e librave. Ministrja Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se përcaktimi i shumave është bërë bazuar në ofertën e parë të marrë nga shtëpitë botuese. “E kemi bërë kalkulimin e parë për buxhetin, duke i pasur parasysh ofertat e para që kanë ardhur prej shtëpive botuese, për të cilat ne presim natyrshëm që gjatë procesit të negocimit mund të ketë zbritje”, ka thënë ajo

Furnizimi i nxënësve me tekste shkollore edhe në këtë vit do të bëhet nëpërmjet subvencionimit të prindërve për blerjen e tyre, ka thënë të martën ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Arbërie Nagavci.

Ajo nëpërmjet një konference për media ka bërë të ditur se aplikimi për përfitim nga subvencionimi do të hapet të mërkurën. 

“Aplikimin në e-Kosova prindërit mund ta bëjnë që nesër, pra hapet platforma e-Kosova dhe proceduralisht do të jetë proces më i lehtë, pasi të gjithë prindërit që e kanë hapur vitin e kaluar llogarinë tani i kanë aktive ato llogari dhe për të lehtësuar nesër do të lansojmë dhe një video që do të jap detaje për prindërit sesi të aplikojnë”, ka thënë ajo. 

80 euro është shuma e ndarë për nxënësit që mësimin e vijojnë në nivelit fillor, teksa për ata nga klasa e gjashtë deri në të nëntën, subvencionimi do të jetë nga 110 euro. Sipas Nagavcit, në këtë shumë përfshihet edhe blerja e mjeteve shkollore.

Teksa është përcaktuar shuma për blerjen e teksteve dhe mjeteve mësimore, në Ministri të Arsimit kanë thënë se ende nuk e dinë saktë se sa është kostoja e librave. Nagavci ka bërë të ditur se përcaktimi i shumave është bërë bazuar në ofertën e parë të marrë nga shtëpitë botuese.

“E kemi bërë kalkulimin e parë për buxhetin, duke i pasur parasysh ofertat e para që kanë ardhur prej shtëpive botuese, për të cilat ne presim natyrshëm që gjatë procesit të negocimit mund të ketë zbritje”, ka thënë Nagavci. 

Taulant Kelmendi, ish-zëvendësministër i Arsimit, ka thënë se gjatë javës do të pranojnë informata mbi çmimet përfundimtare të teksteve shkollore. 

“Kemi takim me shtëpitë botuese të cilat do të obligohen t’i publikojnë të gjitha çmimet. Ne nuk mundemi të predikojmë për kosto, përderisa nuk i kemi çmimet përfundimtare të shtëpive botuese, për të cilët kemi takim”, ka thënë ai. 

Rreth 218 mijë nxënës të klasave nga e para deri në të nëntën do të subvencionohen për tekste shkollore, për të dytin vit radhazi. Dy javë më parë, në Këshillin e Prindërve dhe në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit janë deklaruar kundër kësaj metode të furnizimit të nxënësve me tekste shkollore. 

Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve, ka thënë për KOHËN se i ka kërkuar MASHTI-t që sivjet të bëhet sigurimi i teksteve ashtu siç është praktikuar për shumë vjet dhe jo nëpërmjet subvencionimit.

E kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, pati deklaruar se kjo metodë krijon vonesa në furnizim me tekste dhe se mund të prodhojë kërkesa tek mësimdhënësit për veprime sindikale.

Ministrja Nagavci ka thënë se ende nuk ka pasur takim me përfaqësues të Këshillit të Prindërve për të diskutuar çështjen e subvencionimit. 

“E di që më kanë kërkuar takim Këshilli i Prindërve, stafi im ka qenë në kontakt me kryetarin, por për arsye teknike dhe të përshtatjes së agjendave jam njoftuar që në ditët në vijim të përcaktohet takimi”, ka thënë ajo. Tek ka folur lidhur me paralajmërimin nga SBASHK-u për grevë të mundshme, Nagavci ka theksuar se nuk ka hapësirë për veprim të këtillë pasi që ka vlerësuar se edhe mësimdhënësit janë pro kësaj metode të furnizimit të nxënësve me tekste shkollore. 

“Kemi komunikim të vazhdueshëm, jo vetëm me kryesin e SBASHK-ut, por edhe me shkolla, edhe me mësimdhënës, dhe e marrim me shumë seriozitet çdo breng që vjen nga kushdo, nëse flasin për tekstet shkollore, me mësimdhënësit që ne kemi komunikuar vlerësojnë që është mënyrë e drejt dhe e qëlluar”, ka thënë ajo.

Vitin e shkuar procesi mësimor pati filluar më 1 shtator, por sipas drejtorive të arsimit, disa nxënës nuk janë furnizuar me tekste shkollore deri në muajin dhjetor. E Ministria e Arsimit ka konfirmuar se disa prindër nuk janë subvencionuar deri në muajin maj.