Platoja ekzistuese është prishur për t’u ndërruar me pllaka të reja.
Punimet për rregullimin e platos te Banesat e Bardha në Prishtinë kanë filluar qysh para Vitit të Ri dhe ende nuk kanë përfunduar.
Për shkak të këtyre vonesave, ka 8 muaj që banorët kanë mbetur pa ndriçim, në pluhur, e baltë kur ka reshje të shiut.
Sipas banorëve, në fillim punimet kishin nisur me vrull, për të mos u vazhduar më pas për disa muaj me radhë.
Për këto vonesa, Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve Publike ia lë fajin Termokosit.
“Është e vërtetë kur e kam marrë pozitën ka qenë si punishte e filluar e në të njëjtën kohë ka qenë edhe punishtja në lagjen Lakrishte e cila veçse është përfunduar. Këtu ka qenë një telashe sepse në lokacionin ku është duke u bërë platoja ka qenë dashur të vendosen edhe gypat e Termokosit sepse parashihet në një afat të ardhshëm kohor edhe këto ndërtesa të kenë ngrohje. Një periudhë prej 2-3 muaj ka shkuar huq duke pritur që Termokosi të bëj punën e vet”, tha Brestovci.
Sipas tij, me Termokosin kanë arritur dakordim që shtrirja e gypave të bëhet në pjesë të tjera.
“Më në fund jemi dakorduar që të vazhdojmë për shkak se ata nuk kanë kontratë aktive dhe mundësi financiare dhe është gjetur një mundësi alternative që kur të vije koha të fillohen punimet të mos kalojnë nëpër shtegun që po e ndërtojmë kështu që kemi avancuar shumë mirë, është bërë shtrirja e rrjetit elektrik, por tani për tani është një projekt që do të kryhet nga dy drejtorit, pastaj pjesa tjetra është nga investimet kapitale.”
E nga Drejtoria e Investimeve Kapitale thonë se ende nuk kanë një kontratë, por besojnë që brenda 2-3 jave janë të gatshëm të fillojnë me punët që i përkasin atyre.
“Jemi në pritje të nënshkrimit të kontratës dhe besoj që brenda 2-3 jave veçse do ta kemi këtë kontratë e pastaj jemi të gatshëm të vazhdojmë me punime që na përkasin neve”.
Përderisa punimet vonohen, qytetarët thonë se po rrezikohen edhe nga qentë endacakë pasi mungon ndriçimi.