*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani”!
Një armë, dy thika e një boks hekuri i ka kapur policia vetëm gjatë kontrollit që ka bërë në një autobus, pasagjerë të të cilit ishin kryesisht nxënës të shkollave të mesme të larta. E, nga fillimi i vitit, nga nxënës janë konfiskuar 10 armë zjarri dhe 51 armë të ftohta, ndërsa janë regjistruar 369 incidente afër shkollave. Prindër të nxënësve, e edhe zyrtarë komunalë, thonë se situata është shqetësuese
Mjete të rrezikshme janë sekuestruar të martën në mbrëmje në një autobus në linjën e udhëtimit nga Ferizaj për në fshatrat Doganaj, Greme e Gaçkë, dhe anasjelltas.
Një armë, një boks hekuri dhe dy thika janë gjetur nga policia në autobusin që pasagjerë kishte kryesisht nxënës të shkollave të mesme të larta, në të cilat i vijojnë mësimet të rinjtë mes moshave 15 e 18 vjeç.
“Zyrtarët policorë me uniformë dhe ata me rroba civile kanë kontrolluar udhëtarët, me dyshimin se nxënësit e shkollave të mesme të larta bartin me vete mjete të dyshimta, të rrezikshme, si mjete të mprehta-thika, boksa hekuri e të tjera”, ka bërë të ditur Policia në Ferizaj. “Gjatë kontrollimit të udhëtarëve, të cilët kanë qenë kryesisht nxënës, në dyshemenë e autobusit janë gjetur: një armë zjarri, dy thika dhe një ‘boks hekuri’, të cilat nuk dihen se kujt i përkasin”.
Sipas Policisë, kontrollimi i autobusëve do të vazhdojë, meqë janë pranuar informata se nxënësit e shkollave të mesme të larta bartin mjete të rrezikshme.
Drejtori i Arsimit në Komunën e Ferizajt, Afrim Llabjani, tha se kapja e këtyre armëve përbën shqetësim.
“Përkundër se janë gjetur, nuk dihet kujt i përkasin, bazuar në raportin e Policisë. Megjithatë, ky është një shqetësim që duhet të jemi më vigjilentë në këtë drejtim”, ka thënë drejtori Llabjani.
Visar Islami, i cili është nënkryetar i Këshillit të Prindërve në nivel të Kosovës, kërkoi që kontrollet nga policia të zhvillohen më shpesh edhe në institucionet arsimore. Ai situatën e cilësoi shqetësuese.
“Pronarët e këtyre armëve dhe armëve të ftohta nuk janë identifikuar ende. Megjithatë, për ne si prindër është shqetësuese, pasi vetëm një të jetë e nxënësve, dhe jo të gjitha, një pistoletë apo çfarëdo, është e mjaftueshme dhe është shumë shqetësuese për ne”, ka thënë Islami.
Sipas të dhënave që ka ofruar Policia, vetëm këtë vit në Kosovë janë shënuar 396 incidente në shkolla dhe përreth tyre dhe janë konfiskuar 10 armë zjarri e 51 armë të ftohta.
Visar Islami shtroi nevojën për më shumë kontroll, veçmas në komunat ku shkollat e mesme të larta janë të shpërndara në disa lokacione.
“Siguria në shkolla është problem goxha shqetësues, sidomos në komunat që i kanë shkollat të shpërndara, sidomos në Komunë e Ferizajt që i ka në qendër dhe jashtë qendrës”, ka thënë ai. “Sikur të ishte një kampus siç janë në komunat e tjera, aty është mundësia më e mirë e kontrollit dhe më sigurt”.
Para dy vjetësh, vetëm gjatë aksionit “Siguria në shkolla” në Ferizaj janë konfiskuar 40 thika e armë zjarri, përfshirë edhe armë të gjata gjysmë automatike.
Në këtë komunë thanë se prej atëherë kanë ndërmarrë një masë në funksion të rritjes së sigurisë.
“Qe dy vjet kemi siguruar sigurimin fizik në shkolla në mënyrë që të krijojmë siguri shumë më të madhe, gjegjësisht për nxënësit që ndjekin mësimin në institucionet tona shkollore”, ka thënë drejtori i Arsimit, Afrim Llabjani.
Edhe hulumtime dhe anketa të zhvilluara në nivel të Kosovës kanë treguar se shkollat nuk ofrojnë ambient e as sistem mjaftueshëm të sigurt për zhvillimin e qëndrueshëm të nxënësve dhe të stafit arsimor. Për t’iu përgjigjur situatës, plane veprimi për sigurinë në shkolla kanë miratuar disa nga komunat, si Prishtina, ku 23.5 e nxënësve të klasave nga e 6-ta deri në të 12-tën kanë deklaruar se nuk ndihen aq të sigurt në shkollë.