Që nga 31 marsi, 55 fëmijë me aftësi të kufizuara në Komunën e Ferizajt kanë mbetur pa shërbime sociale e terapeutike. Shoqata “Handikos” që i ka ofruar ato, nuk ka projekte aktive që mbështeten financiarisht nga niveli lokal e ai qendror. Në situatë të njëjtë ndodhen edhe degët e “Handikosit” në komunat e tjera. Prindërit e fëmijëve u ankuan për pasojat nga mungesa e shërbimeve specifike
Dhjetëvjeçari Ensar Bela qe një muaj ka mbetur pa shërbime sociale e terapeutike të cilat i merrte një herë në javë në shoqatën “Handikos” në Ferizaj.
Nëna e tij, Albulena Bela, tregon se prej 31 marsit, kur edhe u ndërprenë shërbimet që u ofroheshin falas në qendër, familja nuk pati mundësi që ato t’i përballojë vetë.
“Ensari ka nevojë për psikolog, për fizioterapi, për krejt senet. Tash që u mbyllë projekti, shumë më keq sepse sa po ia nisë me mësu Ensari, po ndërpritet, edhe më djali po më mbetet në shtëpi”, ka thënë ajo. “220 euro m’i ka lyp në privat. Kushtet nuk i kena bash për me e dërgu... Sa ishte t’u shku në shkollë, shumë mirë. Tash po i harron me shkronja, me krejt”,.
Në shoqatën “Handikos” në Ferizaj thanë se u detyruan t’i ndalojnë shërbimet psikologjike, të rehabilitimit, ato të fizioterapisë e logopedisë për 55 fëmijë me aftësi të kufizuara, në mungesë të mbështetjes financiare nga Komuna dhe Ministria e Drejtësisë.
Enver Kosumi, përfaqësues i shoqatës, thotë se ndonëse u paralajmëruan institucionet me kohë, ato nuk arritën të parandalojnë këtë situatë.
“Trash thuajse dy muaj, e në prill edhe në maj nuk ka mundësi me fillu ofrimin e shërbimeve për arsye se ende janë në fazën e vlerësimit të projektit”, ka thënë ai. “Tjetra, nëse ti nuk mund ta ofrosh një pagë, punëtori lëviz”.
Sipas tij, u privuan nga përfitimi i fondeve nga Ministria e Drejtësisë, pasi ky institucion ua refuzoi projektin me arsyetimin e moskoordinimit kohor për realizimin e tij.
“Prej grantit emergjent kemi përfituar dy muajt e parë të këtij viti. Domethënë, me aplikimin që është bërë në pjesën, thirrjen e parë që është bërë, ka qenë një moskoordinim ta quaj edhe i vetë Ministrisë. Thirrja ka qenë maksimumi për 12 muaj e hapur, ne kemi aplikuar për 10 muaj”, ka thënë Kosumi.
Krahas nivelit qendror, sipas Kosumit është viti i pestë prej kur Komuna e Ferizajt nuk ka shpallur thirrje publike për përkrahjen e shërbimeve që organizata i ofron.
E një thirrje u shpall në prill, vetëm pas situatës së krijuar në “Handikos”.
Selim Marevci, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës së Ferizajt, tha se brenda kësaj jave përfundon afati për aplikime dhe e nis punën komisioni për vlerësime.
“Është e vërtetë ajo siç e theksuat për shërbime, sepse kemi pasur mungesë të buxhetit. Edhe ju e dini që Komuna e Ferizajt ballafaqohet vazhdueshëm me linja buxhetore për shumë arsye, njëra nga to normalisht është edhe pjesa e nivelit qendror që nuk ka pasur ndihmën adekuate për Komunën e Ferizajt”, ka thënë Marevci.
Situatë e ngjashme si në Ferizaj është edhe në komuna të tjera. Në shoqatën “Handikos” në Prishtinë thanë se, me orar të përgjysmuar, që nga shkurti ofrojnë vetëm dy shërbime për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa nga 1 maji janë ndaluar edhe ato.
Pas kësaj situate, në gjysmën e muajit prill, Ministria e Drejtësisë ka hapur thirrje publike për mbështetje financiare për projektet e OJQ-ve të licencuara në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare.