Arbëri

45 persona nga Komuna e Prishtinës kalojnë vikendin në Adriatik, akomodimin e siguron Lezha

Komuna e Prishtines - Lezhe

Mëngjesi i së shtunës ka mbledhur zyrtarët e Prishtinës për një ritrit në plazhet e Adriatikut.

Të udhëhequr nga kryetari, Përparim Rama, 45 persona qëndruan për dy ditë në Shëngjin.

Por për dallim nga ekskursioni në Pejë vitin e kaluar, sivjet në Shqipëri, Komuna e Prishtinës akomodimin e pati falas.

U argëtuan në plazhet e Shëngjinit e vizituan edhe Lezhën ku u pritën nga nikoqiri, kryetari i bashkisë, Pjerin Ndreu.

“Kurgjo nuk kushtoi. Ka qenë në bashkëpunim me Bashkinë e Lezhës, po ashtu kemi qenë atje për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, kemi qenë mysafirë të Bashkisë së Lezhës”, tha kryetari Rama.

Kryetari i Lezhës tha për Kohën se kur kishte në Prishtinë, zyrtarët e komunës ia kishin përmendur idenë e ekskursionit dhe ai i kishte ftuar.

“Kur kam qenë në Prishtinë është përmendur ritriti nga zyrtarët dhe unë i kam thënë eja në Lezhë se jua bëj pa pagesë. Kanë qenë bizneset tona që e kanë akomoduar pa pagesë delegacionin nga Prishtina prej 45 personash, sepse ne 65 përqind të të hyrave i kemi nga Kosova”, tha Ndreu.

E në takimin zyrtarë që patën kryeqyteti kosovar dhe bashkia e vogël në Shqipëri u dakorduan për bashkëpunim, sidomos në agroturizëm.

E ekskursioni në Shëngjin bëri që zyrtarët e Prishtinës të nisnin ditën më herët se zakonisht.

Ata të shtunën në orën 06 e 20 të mëngjesit bënë homazhe te varri i presidentit Rugova, në përvjetorin e 17-të të vdekjes së tij.

Nga aty u nisën drejt Shqipërisë.