Arbëri

37 OJQ i quajnë të rrezikshme deklarimet e Korenicës dhe Rrahmanit për Projektkodin Civil

Eman Rrahmani e Visar Korenica

Foto: Arkiv

Foto: Driton Paçarada

Një grup organizatash i kanë quajtur të rrezikshme dhe diskriminuese deklarimet e deputetëve Eman Rrahmani dhe Visar Korenica lidhur me Draft-Kodin Civil, duke u shprehur se ato janë kundër të drejtave të njeriut në Kosovë.

Organizatat joqeveritare si Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore, Qendra për Barazi dhe Liri, Qendra Kosovare për Studime Gjinore, kanë thënë se i dënojnë fuqishëm deklarimet e deputetëve që së fundmi iu bashkuan koalicionit “Lista për Familjen”, duke u shprehur se “i shtrembërojnë vlerat e përcaktuara në Kushtetutën e Republikës së Kosovës duke promovuar diskriminim dhe pabarazi”.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga gjinia, seksi, orientimi seksual, mosha etj. Retorika e përdorur nga këta deputetë dhe aktivistë politik që pretendojnë se disa ligje, përfshirë ato që mbështesin të drejtat e grave, të fëmijëve, të drejtat e personave LGBTIQ+, janë ‘të papranueshme për vendet evropiane’ është jo vetëm e pasaktë, por edhe nxitje e urrejtjes, mosdurim dhe në kundërshtim me vlerat e të drejtave të njeriut dhe barazisë që Kosova është zotuar se do t’i garantoj duke i integruar konventat ndërkombëtare që mbrojnë të drejtat e njeriut në Kushtetutën e saj”, thuhet në komunikatën e 37 organizatave.

OJQ-të u shprehën se Kosova duhet të ndërtojë një shoqëri që i respekton të drejtat e të gjithë qytetarëve “pavarësisht nga gjinia, seksi, mosha, orientimi i tyre seksual, identiteti gjinor etj”.

Mbrojtja e të drejtave të grupeve të cenueshme është në përputhje me standardet evropiane të të drejtave të njeriut, të cilat Kosova i ka përqafuar si pjesë e rrugës së saj drejt integrimit evropian. Garantimi i këtyre të drejtave është shenjë e progresit dhe gjithëpërfshirjes, e jo e regresit dhe përçarjes. Të drejtat e njeriut nuk janë të negociueshme. U bëjmë thirrje të gjithë partive politike, Komisionit Qendror Zgjedhor, organizatave të shoqërisë civile, mediave dhe institucioneve kompetente që të qëndrojnë në detyrën e tyre kushtetuese dhe ligjore në mbrojtje të vlerave të Kushtetutës së Kosovës. U bëjmë thirrje këtyre akterëve që të refuzojnë retorikën përçarëse që synon të margjinalizojë personat grupet e cenueshme dhe të minojë vlerat kushtetuese të barazisë dhe drejtësisë”, thuhet tutje në reagim.

Korenica e Rrahmani të martën braktisën Lëvizjen Vetëvendosje.

Përveç Projektkodit civil, Rrahmani e Korenica vazhdimisht kanë kundërshtuar disa prej ligjeve të cilat i ka përkrahur partia në pushtet, si Projektligji për shëndetin riprodhues dhe fertilizimin e asistuar mjekësor.

Për këtë Projektligj Korenica kishte propozuar një amendamen i cili nuk është përkrahur nga shumica në Kuvend. Amendamenti i propozuar nga deputeti i Vetëvendosjes, përcakton që e drejta riprodhuese duhet t’i takojë vetëm çiftit e jo edhe individit.