Është shënuar 36 vjetori i grevës së minatorëve përmes një manifestimi qendror në Stantërg.
Manifestimi tradicional “Java e Minatorëve” çdo vit kujton grevën historike të minatorëve që u mbajt në vitin 1989. Rreth 1300 minatorë atë vit kishin qëndruar për tetë ditë në horizontin e tetë dhe të nëntë në zgafellen e xeherores së Stantërgut, rreth 1 mijë metra nën tokë, në mbrojtje të Kosovës nga politikat shtypëse të Serbisë.
Ushtruesi i detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Faton Ahmeti, e ka quajtur këtë si një nga ngjarjet më të rëndësishme të Kosovës.
“Në ato ditë të vështira, minatorët qëndruan ballë në vështirësi. Greva e tyre ishte mesazh për të jetuar të lirë e të barabartë… sot përballë sfidave kemi bërë një hap të madh që nga paslufta, kthimi i pronave. E kemi kthyer 1261 hektarë… Kemi pasur një rritje në qira mbi 55 për qind…Në prodhimin të Tm4 në minierën e Stan Tërgut janë eksplotuar mbi 40 mijë tonë, duke i tejkaluar të gjitha rezultatet që nga viti 2014. Kjo arritje vjen si rezultat pa bërë asnjë investim kapital dhe pa punësuar asnjë punëtor të ri”, ka thënë Ahmeti.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti tha se kërkesat e minatorëve asokohe ishin politike për ta mbrojtur Kosovën nga politikat shtypëse dhe diskriminuese nga ana e Serbisë. Sipas tij, Trepça është forcë e gjallë për zhvillimin e gjithmbarshëm dhe se me hapa konkret ajo po e merr vendin që I takon në ekonominë tonë e Kosovës.
“Greva e vitit 1989 shënon edhe përvjetorin e një greve tjetër që është harruar. Është greva e vitit 1939, kur 3 mijë punëtorë të Trepçës kanë hyrë në grevë për kushte më të mira të punës dhe i kanë fituar ato… Kërkesat e minatorëve ishin të shtruara asokohe në gjithsej dhjetë pika që i mësoi e gjithë Kosova, shqiptaria dhe i tërë opinioni ndërkombëtar, ndër të cilat pika e tetë thoshte, po citoj, fati i shqiptarëve në Kosovë e Jugosllavi të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara… dhe në thelbin e përmbajtjes së tyre kërkesat e minatorëve ishin kërkesa politike për të mbrojtur gjithë Kosovën nga politikat shtypëse, shfrytëzuese dhe diskriminuese të Serbisë dhe përpjekjet e saj për degradimin e statusit të Kosovës...Por edhe në kohët e fundit Trepça po tregon se nuk është vetëm një emër me histori, por edhe një forcë e gjallë për zhvillimin tonë. Me hapa konkretë ajo po e merr vendin që i takon në ekonominë tonë… Prandaj të dashur minatorë, e ardhmja e Trepçës nuk është vetëm në tokë, por është edhe në duart e atyre që e ndërtojnë përditë”, ka thënë Kurti.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, theksoi se 36 vjet më parë minatorët ndëshkuan përpjekjet për robërimin e Kosovës dhe tjetërsimin e tokës së saj.
“Java e minatorëve shënon grevën e madhe të xehetarëve ku 36 vjet më parë ndëshkuan përpjekjet për ta robëruar Kosovën e për të tjetërsuar tokën e saj. Minatorët tanë i dolën në mbrojtje së drejtës së Kosovës për vetëqeverisje me qëndresën e tyre ndaj Serbisë pushtuese, shpërfaqën themelet e lirisë e demokracisë dhe ato mbështeten mbi dashurinë ndaj atdheut, punën e ndershme dhe kujdesin e vazhdueshëm ndaj pasurisë së popullit. Kur kujtojmë këto porosi, bindemi se greva e minatorëve nuk ishte thjesht një ngjarje e historisë së Kosovës, por një rrëfim për historinë dhe të ardhmen e mbarë Evropës”, tha Rizvanolli.