Arbëri

34 familje që jetonin në kushte të vështira, bëhen me banesa

34 familje që jetonin në kushte të vështira, bëhen me banesa

Foto: Driton Paçarada

34 banesa të reja janë përuruar sot për komunitetet joshumicë të cilat jetojnë në kushte të vështira. Banesat janë pjesë e projektit të strehimit të familjeve që kanë banuar në qendra kolektive.

Ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se kjo mbështetje tregon edhe një herë rolin e Bashkimit Evropian si donatori më i madh në Kosovë.

“BE-ja beson fuqimisht, se përmes mbështetjes së nevojave të të gjitha komuniteteve, Kosova mund të krijojë kushte jetese për të gjithë që reflektojnë shoqërinë multietnike dhe gjithëpërfshirëse dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të komuniteteve joshumicë. Ajo ofron mundësinë që Kosova të ruajë të gjitha etnitë, kulturat dhe vlerat e tyre të ndryshme”, ka thënë Szunyog duke shtuar se në këtë projekt janë mbështetur 56 familje.

Ndërkaq, kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se edhe me këtë projekt si Qeveri janë duke përmbushur zotimet e dhëna.

“Në strategjinë tonë për mbrojtjen dhe përmirësimin e të drejtave të komuniteteve dhe anëtarëve të tyre që Qeveria jonë e miratoi para katër muajve, ne u zotuam për mbylljen e këtyre qendrave kolektive dhe për familjet që kanë jetuar në qendrën kolektive Padalishte në disa raste më shumë se 20 vite, dita e sotme paraqet fundin e një udhëtimi i gjatë pasi ata më në fund po vendosen në një shtëpi të përhershme”, tha Kurti.

Ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, ka thënë se 34 banesat e ofruara nga ky projekt janë për 83 persona, ndërsa ka shtuar se ministria ka ofruar edhe pajisje elektrike, mobile dhe ushqim në mënyrë që t’iu lehtësohet jeta e atyre qytetarëve.

Në këtë lagje të kësaj komune, është bërë ndërtimi i dy ndërtesave banesore, i hapësirave komunale dhe i zonave rekreative./ KP