Në Shqipëri, dhuna ekstreme ndaj grave dhe vajzave vazhdon të jetë një prej fenomenet më shqetësuese për shoqërinë. Siç raporton “Zëri i Amerikës”, 32 vrasje të grave kanë ndodhur brenda një periudhe trevjeçare.
Në Spitalin Rajonal të Shkodrës, 44-vjeçarja Anila Ndoka prej 4 ditësh po lufton për jetën pas plagosjes me një plumb pistoletë në kokë nga bashkëjetuesi i saj, i cili më pas qëlloi edhe veten duke humbur jetën në vendin e ngjarjes.
44-vjeçarja është nënë e tre fëmijëve dhe një punonjëse sociale në qytet. Ngjarja, që tronditi opinionin e Shkodrës dhe më gjerë, sipas drejtueses së organizatës “Hapat e Lehtë”, Denada Shpuza, i shtohet këtë fillimviti edhe qindra rasteve të tjera të dhunës ndaj grave dhe vajzave.
“Lajmi ka qenë shumë tronditës, jo vetëm për organizatat e shoqërisë civile, por edhe për çdo grua. Numri i grave, të cilat vriten, për fatin tonë të keq po rritet nga viti në vit. Në konferencën e fundit të Avokatit të Popullit rezultoi që, për tre vjet janë 32 gra dhe vajza të vrara në Shqipëri - një shifër alarmante kjo”, ka thënë ajo për “Zërin e Amerikës”.
Sipas statistikave të policisë, gjatë vitit të kaluar pati një rritje prej 8.2 për qind, në krahasim me një vit më parë, të numrit të grave që iu drejtuan institucioneve për të denoncuar dhunën. U raportuan më shumë se 4 mijë raste të dhunës ndaj grave, ku rreth 50 për qind e tyre kanë marrë urdhër mbrojtje nga gjykata.
Psikiatri Gjon Preçi ka thënë se rastet e dhunës lindin në një kontekst social dhe kulturor ku mbizotëron dhuna, pa përjashtuar problemet ekonomike dhe ato që lidhen me shëndetin mendor, abuzimin me drogën apo alkoolin, raste këto që janë në rritje.
“Natyrisht që në këto raste duhen parë edhe problemet e shëndetit mendor. Turbullimet e personalitetit dhe qëndrimi antisocial janë shumë të përhapura në popullatë. Janë njerëz që në dukje funksionojnë normalisht, por që në intimitetin familjarë janë të dhunshëm, ku dhuna është pjesa kryesore e jetës së tyre”, ka deklaruar ai.
Sipas Shpuzës, nuk mjafton vetëm dhënia nga gjykata e një urdhri mbrojtje për gratë viktima të dhunës, por nevojiten edhe më shumë politika mbështetëse përmes bonusit të qerasë, punësimit dhe strehimit.
“Duhet më shumë mbështetje për gratë dhe vajzat sepse një grua që ka marrë hapin për të denoncuar dhunën, kur nuk ndihet e sigurt për të ardhmen e saj, në jo pak raste ajo kthehet përsëri tek dhunuesi i saj. Mos të harrojmë faktin se, gjithë ky rrugëtim i yni për të përmirësuar kuadrin ligjor, për të fituar më shumë të drejta, është shoqëruar me shumë përgjakje”, ka thënë ajo.
Rastet e dhunës po shtohen me shpejtësi jo vetëm ndaj grave dhe vajzave, por, në përgjithësi, edhe mes të rinjve. Ndaj, sipas mjekut psikiatër Preçi, shoqëria dhe institucionet duhet të ndërgjegjësohen për situatën.
E rëndësishme, sipas ekspertëve, është parandalimi i dhunës që në familje, në bankat e shkollës, si dhe edukimi dhe rritja e shkallës së ndërgjegjësimit të familjes, institucioneve dhe gjithë shoqërisë.