Arbëri

30 raste zjarresh në 24 orët e fundit, shumica të shkaktuara nga faktori njeri

Shumica e zjarreve që kanë përfshirë disa komuna të vendit po shkaktohen nga faktori njeri, sipas drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Genc Metaj, i cili tha se përveç pakujdesisë, dyshohet se disa raste janë zjarrvënie të qëllimshme. Ndërkohë, banorët e prekur ankohen për mungesë të zjarrfikësve dhe vonesa në reagim

Numri i zjarreve gjatë javës ishte i lartë, e gjatë vikendit situata është përkeqësuar ndjeshëm.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Genc Metaj, ka bërë të ditur të dielën se vetëm në 24 orët e fundit janë raportuar 30 raste zjarresh. Sipas tij, problem mbetet numri jo i mjaftueshëm i zjarrfikësve.

“Gjatë javës ka qenë një numër goxha i madh i rasteve, do të thotë rreth 40 raste i kemi pasur gjatë javës. Ndërsa, po i veçojmë vetëm në vikend, tani i kemi 30, vetëm 24 orët e fundit janë 30 raste dhe të gjitha rasteve kemi arritur t’i përgjigjemi me kohë”, ka thënë Metaj.

Sipas tij, shumica e këtyre rasteve janë të shkaktuara nga pakujdesia e njerëzve, por nuk përjashtohet mundësia që disa prej tyre të jenë të qëllimshme.

“Të gjitha premisat dërgojnë që janë të shkaktuara nga njeriu, nga faktori njeri. Mundemi me thënë që kryesisht këto vijnë nga pakujdesia por ka edhe raste të qëllimshme”, ka shtuar ai.

Një nga banorët e prekur nga zjarret, Dylber Gashi nga fshati Akllap, ka thënë se ka kërkuar ndihmë nga zjarrfikësit, por nuk ka marrë asnjë përgjigje pozitive, pasi njësitë ishin të angazhuara në fikjen e zjarreve në zona të tjera.

“I kam thirrë zjarrfikësit e Lipjanit, më kanë thënë që nuk munden të më ofrojnë ndihmë sepse janë duke e fikur një zjarr mes fshatrave Sllovi, Tërbufc dhe Akllap. Ndërsa unë në këtë pjesën nga Janjeva quhet Lugu i Kishës dhe Kodra e Kishës quhet ajo sipërfaqe deri te Arat e Salihit duke u djegur zjarri non-stop. Kemi kërkuar ndihmë nga Prishtina, ata thanë se nuk mund të ofrojnë ndihmë në komuna të tjera”, ka deklaruar Dylber Gashi, banor i Akllapit.

Autori i Dokumentarit për Botën e Egër në KTV, Arian Mavriqi, ka treguar për dëmet që këto zjarre shkaktojnë te popullata e kafshëve të egra.

“Nga këto zjarre natyrisht që vezët e tyre do të digjen, por edhe ata zogj që veçse kanë çelur natyrisht do digjen për së gjalli nga pamundësi për tu larguar nga foletë. Por, këtu nuk bëhet fjalë vetëm për këto shpezë, ka edhe gjitar të ndrysëm siç janë lepujt, kaprojtë edhe zvarranik të ndryshëm”, ka thënë Mavriqi. 

Sipas raportit policor të 24 orëve të fundit, dy raste zjarri në Komunën e Lipjanit po hetohen.

Një në fshatin Vërshevc, që gjendet afër Vendgjuetisë me Rëndësi të Veçantë-Blinaja dhe një tjetër në fshatin Tërbufc.

E, në Sopijë të Suharekës, të shtunën, një stallë bagëtish është përfshirë nga zjarri.

Sipas raportimeve, dyshohet se zjarri ka filluar nga djegia e disa mbeturinave, por era e fortë e ka përhapur flakën deri te stalla.

Një tjetër zjarr është raportuar në Shtërpcë, në vendin e quajtur Taraija, ku flakët kanë përfshirë barishte të thata dhe një pemishte.

Ndërsa pas zjarreve në lokacionin Gugulloc-Bushinicë, ka reaguar Komuna e

Kamenicës.

Komuna në një postim në orët e vona të së shtunës ka thënë se banorët e atyre zonave janë jashtë rrezikut dhe se po punohet për shuarjen e vatrave të zjarrit. Policia nuk ka treguar se sa persona janë arrestuar gjatë këtij viti për zjarrvënie.

Ndërsa zjarret po shfaqen në disa komuna, autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar nga qytetarët, duke theksuar se një pjesë e madhe e rasteve janë të shkaktuara nga pakujdesia ose zjarrvënia e qëllimshme.