Arbëri

28-vjeçari nga Malisheva punonte prej 4 muajsh në ndërtesën prej së cilës u rrëzua dhe humbi jetën

Kjo shtëpi në fshatin Berishë të Komunës së Malishevës, të martën, kishte hapur dyert për ngushëllime.

Në hyrje të saj ishte vënë fotografia e 28-vjeçarit Arbnor Berisha, i cili vdiq dje në vendin e tij të punës.

Familjarë të tij i kanë thënë KOHËS se 28-vjeçari punonte prej katër muajsh në një objekt shumëkatësh banesor në Prishtinë, prej të cilit ra, duke mos mundur t’u mbijetonte plagëve.

Ata kanë rrëfyer për tronditjen e pësuar me të marrë lajmin.

“Rastin e kam dëgjuar dje rreth orës 8 të mëngjesit, familjarët, një fqinj më ka thirrur në telefon dhe më ka thënë që Arbnori ka ndërruar jetë. Ka qenë një moment tepër i rëndë për mua, ka qenë moment tepër i vështirë të vij e të kontaktoj me familjen, me prindërit, vëllezërit, për t’iu treguar që ka ndodhur ky rast. Nuk e di, ndoshta në jetën time nuk kam përjetuar momente më të rënda, edhe pse kemi qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha familjari Flamur Berisha.

Për ngushëllime në familjen Berisha kishte ardhur edhe njëri nga mësuesit e dikurshëm të Arbnorit. Për të pati vetëm lëvdata.

“Me siguri përjetimi është i dyfishtë sepse ne kemi kujtime bukur të mira, edhe si nxënës ka qenë i sjellshëm, i urtë, i shkëlqyeshëm, i moralshëm, i ndërgjegjshëm në çdo aspekt ka qenë në nivelin e duhur edukativo-arsimor, ka qenë i përsosur, por fati e deshi kështu”, tha Eshref Berisha, mësimdhënës.

Arbnor Berisha, i cili është varrosur pasditen e së martës, ishte dërguar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, pa shenja jete, derisa me rastin janë duke u marrë Policia e Kosovës e Inspektorati i Punës.

Deri më tani gjatë 2022-tës, 16 persona, përfshirë Berishën, kanë humbur jetën në vendin e punës, për ç’arsye në Sindikatën e Sektorit Privat kanë kërkuar reagimin e institucioneve përgjegjëse.