Arbëri

28-vjeçari bie nga ndërtesa ku punonte – sivjet 16 persona vdiqën në vendin e punës

A.B. 28-vjeçar nga Komuna e Malishevës, nuk ka mundur t’u mbijetojë lëndimeve që ka marr, pasi ka rënë nga një lartësi ku edhe ishte duke punuar. Policia e Inspektorati i Punës tashmë është duke u marr me rastin, derisa Sindikata e Punëtoreve Privat ngrit shqetësime për numrin e madh të rasteve me fatalitet në vendet e punës.

Mëngjesin e së hënës, A. B, 28-vjeçar, ka rënë nga kjo ndërtesë derisa ishte duke punuar.

Ai nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra. Duke mos dhënë hollësi, në Klinikën Emergjente të QKUK-së kanë thënë se ai kishte mbërritur pa shenja jete, rreth orës 8:30 të mëngjesit.

Për rastin tashmë janë të njoftuar edhe Policia e Kosovës e Inspektorati i Punës.

“Sot në stacionin policor Jugu, në Prishtinë, është iniciuar një rast ‘Hetim mbi vdekje’. Rasti ka ndodhur në rrugën "Holger Pedersen" në Prishtinë, ku viktima mashkull, 28 vjeç, dyshohet se ka rënë nga një lartësi dhe ka pësuar lëndime. Viktima mashkull, nuk ka arritur të përballojë plagët dhe i njëjti në QKUK, ka ndërruar jetë. Rasti po hetohet nga njësitet kompetente në koordinim me Prokurorinë dhe Inspektoratin e Punës”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

28-vjeçari ishte nga Komuna e Malishevës dhe kishte ardhur për të punuar në kryeqytet.

KOHA ka provuar të kontaktojë edhe kompaninë, e cila është duke ndërtuar objekte banesore në këtë pjesë, por përfaqësues të saj nuk janë përgjigjur në numrat kontaktues.

Pasditen e së hënës, në objekt nuk ishte duke punuar askush, derisa një person i cili është prezantuar si rojë, ka thënë se është e ndaluar hyrja brenda dhe se asnjë nga pronarët e kompanisë nuk gjendet brenda.

Në Sindikatën e Sektorit Privat kanë bërë thirrje që institucionet përgjegjëse t’u ofrojnë kushte më të mira punëtorëve.

“Ne si sindikatë jo vetëm këtë vit, por edhe vitet e tjera kemi tërhequr vërejtjen që inspektorati i punës dhe mekanizmat e tjerë, të bëjnë gjithçka që është e mundur që së paku këtë numër ta zvogëlojmë, por deri më sot nuk është marr as më i pakti veprim që të ruhet jeta e punëtorëve, kryesisht fajtor janë pronarët e kompanive”, ka thënë Jusuf Azemi nga Sindikata e Sektorit Privat.

Sipas Azemit, që nga janari i këtij vitit e deri më tash, 16 persona kanë humbur jetën në vendin e punës, e që është numri më i lartë krahasuar me vitet e kaluara.

Në vitin e kaluar, numri i rasteve me fatalitet ishte 17.