Arbëri

27-vjetori i Epopesë së Dukagjinit, Osmani bën homazhe në Gllogjan

Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Gllogjan me rastin e 27-vjetorit të Epopesë së Dukagjinit.

Pas homazheve ajo ka qëndruar edhe në kullën e Haradinajve ku është pritur nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe ish-komandanti i Zonës operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Osmani ka shkruar se në themelet e Kosovës së pavarur qëndron sakrifica e heronjve të UÇK-së, e familjes Haradinaj dhe e të gjithë atyre që u ngritën kundër padrejtësisë, e për lirinë dhe shtetin.

“Me nderimin më të madh përkulemi para dëshmorëve Himë Haradinaj, Gazmend Mehmetaj dhe Agron Mehmetaj, që dhanë jetën në këtë datë, për të mos vdekur kurrë. Ata u bënë simbol i rezistencës, guximit dhe besimit në lirinë e Kosovës. Në Kosovën e pavarur dhe sovrane, amaneti i heronjve na obligon ta ndërtojmë një shtet të fortë, dinjitoz, të përparuar e me aleanca të fuqishme. Liria është trashëgimia e tyre,  e përgjegjësia jonë!”, ka shkruar Osmani nw Facebook.

Homazhe te kompleksi memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan bëri edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Gjatë ditës së sotme do të ketë disa aktivitete në atë që njihet edhe si Dita e Dëshmorëve të Dukagjinit.

Aktivitetet e shënimit të Epopesë së Dukagjinit janë organizuar nga Komuna e Deçanit dhe kanë filluar më 21 mars, ndërsa sot mbahen homazhe në Kompleksin Memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan, nga ora 11:00-12:00 dhe një program artistik te Kulla e Haradinajt nga ora 13:00.

Më 24 mars 1998, në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga forcat e UÇK-së dhe forcave serbe, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.

Në këtë ditë ranë dëshmorë Him Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

Me rastin e përvjetorit të Epopesë së Dukagjinit, në Gllogjan homazhe kanë bërë edhe qytetarë të shumtë./KosovaPress