Sot shënohet 27-vjetori i protestave të Lëvizjes Studentore, të cilat vlerësohen si një ndër kthesat më të mëdha historike për Kosovën.
Atë kohë regjimi i Slobodan Milosheviqit kishte vendosur masa të dhunshme ndaj shqiptarëve dhe kishte dëbuar studentë e profesorë nga Universiteti, duke imponuar plan-program serb për mësim.
Protesta paqësore e studentëve më 1 Tetor të vitit 1997, e prirë nga rektori tashmë i ndjerë, Ejup Statovci, Bujar Dugolli, Albin Kurti, Driton Lajçi e Muhamet Mavraj, ishte shpërndarë me dhunë.
Policia serbe për të shpërndarë protestën kishte përdorur dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve. Kishte të arrestuar dhe të lënduar në mesin e protestuesve.
Mediat e vendit dhe ato ndërkombëtare i kanë dhënë jehonë të madhe kësaj ngjarjeje, gati më shumë se cilido zhvillim politik në Kosovë, që kishte ndodhur në periudhën e paraprotestës.
Ngjarja konsiderohet prej më të rëndësishmeve të Lëvizjes Studentore dhe e njëjta ndikoi në faktorizimin ndërkombëtar në çështjen e Kosovës.

Osmani: Protesta e 1 Tetorit ndryshoi rrjedhën e historisë
Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se protesta e 1 Tetorit 1997 ishte moment kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë.
27 vjet pas kësaj proteste, Osmani ka thënë se kjo ngjarje ndryshoi rrjedhën e historisë dhe është simbol i qëndresës së popullit të Kosovës.
“Njëzet e shtatë vjet më parë, guximi dhe vendosmëria e studentëve të Universitetit të Prishtinës shënoi protestën vendimtare kundër mbylljes dhe okupimit të shkollave shqipe dhe universitetit nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Protesta e 1 tetorit 1997, ndryshoi rrjedhën e historisë dhe ishte momenti kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë. Në krye me rektorin Ejup Statovci, protesta shërbeu si një paralajmërim i hershëm për zhvillimet e mëpasme, të cilat kulmuan me luftën çlirimtare dhe me pavarësinë e Kosovës. 1 tetori i vitit 1997, është simbol i qëndresës së popullit të Kosovës dhe kujtesë se lufta për liri dhe pavarësi ishte e gjatë, e mundimshme, por triumfale”, ka thënë Osmani, njofton Zyra e Presidentes.