Sot bëhen 26 vjet nga masakra në fshatin Poklek dhe Çikatovë të Vjetër, komuna e Drenasit, ku ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75-vjeçar.
Njësitë policore kishin rrethuar pjesën e vjetër të Poklekut dhe një pjesë të banorëve që kishin mësyrë të iknin për në qytezë e kishin kthyer dhunshëm.
Së paku 59 veta, shumica nga familja Muçolli, u shtrënguan nga serbët që të mbylleshin brenda në shtëpi. Ata iu nënshtruan një masakre të llahtarshme, së cilës 6 kishin mundur t’i shpëtonin.
Elhame Muçolli atëkohë ishte 14 vjeçe. Është në mesin e të mbijetuarve. Vite më vonë ajo ka treguar mizorinë e përjetuar.
“Kur u kthymë në shtëpi, i ndrrumë teshat, sepse ishim lagë. E dhezëm shporetin. Hangrëm bukë. Erdh me ne edhe familja e shkrimtarit Ymer Elshani, që ishin mysafirë te një kojshi. Një herë erdh një grup prej dhjetë policësh. Shkuan dhe pas nja 20 minutash erdh grupi tjetër. E morën axhën edhe Ymerin dhe ua mbajshin automatin prapa. Axha e mbante shikimin kah ne. Pas ni minute u dëgju krisma. Të dytë ishin pushkatu”, ka treguar Elhamja, që tash jeton në Shtetet e Bashkuara. “Mandej erdh një polic dhe na bërtiti ta mbyllim derën. Pas kësaj, i thei xhamat dhe e gjujti një bombë. Ra në prehër të grusë së axhës. Eksplodoi dhe u mbush tym dhoma. Gratë i zunë fmitë përfundi me i mbrojt. Unë u plagosa në këmbë. Unë u çova. Herën e parë kur provova, u rrëzova. Për të dytën herë e çela dritaren dhe kceva”.
Sipas dëshmitarëve të tjerë, aty ishte gjuajtur edhe një bombë. Pastaj ishin rrotulluar një nga një viktimat, për të parë nëse ishin gjallë. Ata që kishin lëvizur, kishin marrë plumba automatiku. Aty mbetën të vdekur 23 fëmijë.
Pesë ishin bërë sikur të vdekur dhe pasi ishte larguar policia serbe, kishin arritur të iknin. Serbët ishin kthyer më vonë, dhe ua kishin vënë flakën. Mbetjet mortore mundën të grumbulloheshin në një pako fare të vogël.