Me 250 euro, dega në Lipjan e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka peshuar fajin e një burri që ngacmoi seksualisht një grua shtatzënë. Si rrethanë lehtësuese për burrin që pranoi se kreu veprën u përdor fakti se është familjar. Po ashtu u mor parasysh pendimi i tij pas kryerjes së veprës dhe premtimi i tij se nuk do ta përsërisë më atë. Ndërkohë rrethana rënduese gjykata nuk gjeti
Asnjë rrethanë rënduese nuk ka gjetur dega në Lipjan e Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër një burri që e ka ngacmuar seksualisht një grua shtatzënë.
I akuzuari e ka pranuar fajin dhe gjykata e ka dënuar me 250 euro gjobë.
Gjyqtari ka numëruar rrethanat lehtësuese për të, në mesin e të cilave edhe ajo se është njeri familjar.
E se viktima është shtatzënë, nuk është parë si rrethanë rënduese.
“Me rastin e caktimit të llojit dhe tё lartësisë së dënimit, gjykata pati parasysh të gjitha rrethanat lehtësuese dhe rënduese pёr tё pandehurin konform neneve 69, 70 të Kodit Penal, ashtu që si rrethana lehtësuese gjykata vlerësoi sjelljen e tij para kryerjes së veprës penale. Pra, fakti se i njëjti për herё tё parë ka rënë ndesh me ligjin”, thuhet në aktgjykim.
Sipas aktgjykimit, gjykata ka marrë parasysh edhe sjelljen pas kryerjes së veprës penale – pendimin si dhe premtimin e tij se në të ardhmen nuk do të përsërisë vepra të tilla.
“Ndërsa si rrethana rënduese gjykata nuk gjeti, dhe të njëjtit ia shqiptoi dënimin e paraparë si në dispozitiv të këtij aktgjykimi, duke qenë e bindur se me një dënim të tillë do të arrihet qëllimi i dënimit”, thuhet në aktgjykim.
Fillimisht aktakuza ishte ngritur për veprën penale “sulm seksual”.
Në Kodin Penal kjo vepër penale nëse kryhet në drejtim të një gruaje shtatzënë është e dënueshme nga 3 deri në 10 vjet burgim, pa mundësi që të dënohet me kusht.
Por, siç thuhet në aktgjykim, Prokuroria gjatë seancës gjyqësore e ka rikualifikuar veprën penale. Nga “sulmi seksual” e ka kthyer në “ngacmim seksual”.
Kjo i hapi rrugë gjykatës që këtë ngacmues seksual ta dënojë me gjobë.
Aktgjykimi e përshkruan se si ka ndodhur rasti.
Ngacmimi ka filluar në formë verbale e më pas i pandehuri ka tentuar ta prekë fizikisht viktimën.
“Kur e dëmtuara i është drejtuar të pandehurit se duhej t’i vinte turp për fjalët duke e ditur se ishte e martuar dhe ishte shtatzënë, i pandehuri ka vazhduar me fjalët ‘se edhe ai ishte i martuar, por do të mbetej në mes të dyve dhe sa i përket shtatzënisë i ka thënë se do të ruhej që të mos ta dëmtonte’, ndërsa kur e dëmtuara ka filluar të ecte, i pandehuri i ishte vënë nga mbrapa duke përsëritur fjalët që i kishte thënë më parë, e për një moment i pandehuri përpiqet t’ia vërë dorën te qafa, me ç’rast të dëmtuarës ia ka cenuar dinjitetin”, thuhet në aktgjykim.
Sistemi prokurorial e ai gjyqësor vazhdimisht marrin kritika për ndjekje selektive e hetime joserioze, por edhe për dënime të buta e mungesë konsistence në vendimmarrje, sidomos për veprat penale që lidhen me dhunën ndaj grave.