Janë bërë 25 vjet nga Masakra e Qyshkut dhe në fshatrat e tjera të Pejës, si Pavlan, Zahaq e Llabjan, në të cilat serbët vranë më shumë se 100 shqiptarë. Të mbijetuarit u shprehën të pakënaqur me organet e drejtësisë, e politikanët thanë se përgjegjës duhet mbajtur shteti i Serbisë
Tre është numri i të mbijetuarve të Masakrës në Qyshk, e që të gjithë mbi moshën 70-vjeçare. Një çerek shekulli pasi forcat serbe vranë mbi 100 veta në këtë fshat dhe në Pavlan, Zahaq e Llabjan të Pejës, ata përsërisin thirrjet për drejtësi, meqë vetëm një numër i vogël personash janë dënuar.
Isa Gashi është njëri prej të mbijetuarve, fotografinë e të cilit e publikoi edhe “Human Rights Watch” në raportet e saj për masakrën. Ai tregon se si shpëtoi i gjallë.
“Kam shpëtuar, duke ikur nga dritarja, kam kërcyer, pasi më kanë plagosur. Për dritare e në fushë, kam qëndruar gjashtë orë në fushë në vapë, pa ngrënë e pa pirë”, ka thënë ai.
Gashi, e edhe i mbijetuari tjetër, Hazir Berisha, janë të zhgënjyer në drejtësinë, meqë vetëm shtatë serbë u dënuan nga Gjykata e Lartë në Beograd.
Unë s’i them drejtësi. Hiç se asgjë s’kanë bërë. Për ne asgjë nuk kanë bërë. Ajo është padrejtësi. Aty 20 e kusur kanë qenë ushtri e paramilitarë”, ka shtuar Gashi.
Familjarët e viktimave kanë kujtuar si moment të dhimbshëm edhe rivarrimin e të masakruarve, pas ekzaminimit mjekoligjor që u bë pas luftës.
“Aty ishte një ankth, një mërzi e madhe”, ka kujtuar Rexhep Lushi, familjar i viktimave.
Në përkujtimin e masakrave të 25 vjetëve më parë morën pjesë edhe politikanë, përfshirë kryeministrin Albin Kurti. Ata bënë përgjegjës shtetin e Serbisë për këtë krim.
“Para se të gjuante, njëri prej ushtarëve bërtiti: në emër të Serbisë! Menjëherë ushtarë të tjerë lëshuan breshëri plumbash mbi burrat e djemtë, pastaj ua vunë flakën shtëpive me trupat e pajetë brenda. Kjo masakër është kryer në emër të Serbisë, andaj Serbia duhet të jetë përgjegjëse”, ka thënë kryeministri Kurti.
Agim Çeku, ish-kryeministër, ish-komandant i UÇK-së e familjar i viktimave, ka thënë se gjaku që është derdhur për këtë vend nuk do të thahet asnjëherë.
“Kurrë nuk do të falet dhe kjo sakrificë kurrë nuk do të harrohet”, ka thënë ai.
Për këtë masakër, Gjykata e Lartë e Beogradit javë më parë dënoi me 20 vjet burgim Toplica Miladonoviqin, me 13 Predrag Vukoviqin, me 12 Abullah Sokiqin, me 5 Sinisha Mishiqin dhe me nga 2 vjet Lazar Pavloviqin, Slavisha Kastratoviqin e Boban Bogiçeviqin.
Fondi për të Drejtën Humanitare e ka kritikuar këtë vendim që përmban dënime nën minimumin ligjor dhe që nuk i mban përgjegjës personat në hierarki të lartë të forcave serbe.