Krime lufte

25 vjet në pritje të drejtësisë për 147 të vrarët në masakrën e Izbicës

“Diku kah 11:45 kanë nisur pushkatimet e para, në pesë grupe. Në tri grupe prapa meje dhe dy grupe tjera në pjesën tjetër të masakruar. Pas tri ditësh jam ndër të parët që kam ardhur këtu dhe i kam parë grumbull kufomat, të cilat kishin mbetur dhe kishin qenë të prishur nga fytyra. Kështu që kemi arritur që atë ditë t’i varrosim 128 kufoma, ndërsa pesë të tjera na kanë mbetur, sepse nuk i kemi njohur”, ka rrëfyer qytetari i Izbicës, Beqir Bajriqi, tek ka thënë që krimin e 28 marsit të 1999-s forcat serbe e kanë kryer për një interval kohor prej 20 minutash

Sanie Qelaj e ka ende të freskët skenën e tmerrit që e ka përjetuar 25 vjet më parë. Ajo i ka mbijetuar masakrës së Izbicës së Komunës së Skenderajt, porse fatin e saj nuk e kanë pasur edhe 147 shqiptarë të tjerë të paarmatosur, të cilët janë vrarë më 28 mars të 1999-s nga forcat serbe. 

Në mesin e viktimave kanë qenë shumë pjesëtarë të familjes së saj, përfshirë edhe Dafina Qelajn, e cila asokohe ka qenë vetëm gjashtëmuajshe.

Një çerekshekulli pas kësaj ngjarjeje, për të edhe më e tmerrshme bëhet pritja për vendosjen e drejtësisë.

“Këtu ma kanë vrarë babën, Rexhë Qelaj, dy xhaxhallarët, plus na e kanë vrarë edhe vajzën, Dafina Qelaj, 6 muajsh. Ne kemi qenë të gjithë të tubuar këtu në livadhe. Pastaj burrat i kanë ndarë prej grave dhe i kanë pushkatuar që të gjithë. Kanë bërë masakër të paparë”, ka kujtuar ajo ngjarjen që e ka përjetuar. “Babai im ka qenë shumë atdhetar i madh. Ata (pjesëtarët e forcave serbe) kanë kërkuar që t’ia heqin plisin e bardhë, por ai u ka thënë, nën tyta të pushkës, se edhe nëse një fëmijë i vogël i shqiptarit mbetet i gjallë, do ta gëzojë lirinë e atdheut të Kosovës”.

Në 25-vjetorin e masakrës së Izbicës banorë të këtij fshati kanë mbajtur ceremoni të kujtimit. 
Tek e kujtoi ngjarjen, qytetari Beqir Bajriqi ka rrëfyer se të gjithë krimin forcat serbe e kanë kryer për një interval kohor prej 20 minutash.

“Diku kah 11:45 kanë nisur pushkatimet e para, në pesë grupe. Në tri grupe prapa meje dhe dy grupe tjera në pjesën tjetër të masakruar. Pas tri ditësh jam ndër të parët që kam ardhur këtu dhe i kam parë grumbull kufomat, të cilat kishin mbetur dhe kishin qenë të prishur nga fytyra. Kështu që, kemi arritur që atë ditë t’i varrosim 128 kufoma ndërsa pesë të tjera na kanë mbetur, sepse nuk i kemi njohur”, ka rrëfyer ai.

Forcat serbe i kanë zhvarrosur trupat nga fshati për t’i varrosur në një lokacion tjetër në Serbi dhe shumë vjet më vonë, disa prej tyre janë gjetur dhe janë sjellë në Kosovë. Janë edhe gjashtë persona të cilët rezultojnë të pagjetur.

Të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave në Izbicë të enjten i ka vizituar kryeministri Albin Kurti. Ai ka adresuar kritika ndaj prokurorisë lidhur me këtë dhe rastet e tjera të krimeve serbe.

“Sot duhet të themi me keqardhje se për gjithë këtë masakër, ku janë vrarë 147 shqiptarë, vetëm një person është arrestuar. Prokuroria e shtetit e ka mundësinë për të përndjekur e sistemi i drejtësisë në përgjithësi edhe për të gjykuar në mungesë. Besoj që është e padrejtë, e padurueshme që për masakrën e Izbicës është mungesë, prokurorët i kanë pagat e mira, i kanë gjithashtu edhe kushtet e favorshme të punës”, ka thënë ai.

Kryeministri Kurti gjatë të enjtes ka bërë homazhe edhe te varrezat e 14 anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu, të cilët janë vrarë më 28 mars të 1999-s në Podujevë. Ai ka marrë pjesë edhe në një tubim përkujtimor të mbajtur lidhur me këtë ngjarje në lagjen “Taukbahçe” në Prishtinë. 

Masakra e Izbicës është një prej krimeve më të rënda që ka kryer Serbia në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999.