DITA E ÇLIRIMIT

25 vjet liri

10 muaj më parë 25 vjet liri
10 muaj më parë 25 vjet liri
25 vjet liri

Foto: Alban Bujari

Kosova sot ka shënuar 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit. Çerekshekulli më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor, janë organizuar disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shesh. Dita është mbyllur me pritjen shtetërore nga presidentja e vendit, kryeparlamentari dhe kryeministri. Gjatë gjithë ditës, artikulli është përditësuar me zhvillimet më të reja

Fotografi nga parakalimi i Ushtrisë së Kosovës

NATO: Punojmë për ta mbajtur Kosovën të sigurt

10 muaj më parë / 12 qer 2024 17:45
KFOR

Në përvjetorin e çlirimit, NATO ka shkruar për 25 vjetët nga misioni paqeruajtës i tij në Kosovë - KFOR.

Në një postim në platformën X, NATO ka shkruar se misioni qëndron i përkushtuar për ta ruajtur sigurinë dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë në Kosovë.

“Sot shënohen 25 vjet të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. Misioni punon për ta ruajtur një mjedis të sigurt dhe për të siguruar lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, paanshëm dhe në përputhje me mandatin e tij”, thuhet në deklaratë.

Ndërkohë, ka bashkëngjitur një video me historik të shkurtë të KFOR-it dhe pamje nga lufta e 1999-s. Nis me atë se “KFOR-i u formua pas intervenimit të NATO-s për t’i dhënë fund dhunës në Kosovë”.

Kurti pret në takim Begajn: Kosova përjetë falënderuese ndaj Shqipërisë

10 muaj më parë / 12 qer 2024 17:13
Albin Kurti dhe Bajram Begaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 25 vjetorin të ditës së Çlirimit të Kosovës, ka pritur në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, të cilin e ka falënderuar për kontributin e Shqipërisë para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në 25 vjetorin të ditës së Çlirimit të Kosovës, ka pritur në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, të cilin e ka falënderuar për kontributin e Shqipërisë para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Gjatë takimit me të parin e shtetit shqiptar, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova është përjetë falënderuese për kontributin e Shqipërisë.

“Shqipërisë i jemi falënderues për jetë për gjithë kontributin e saj para luftës, gjatë luftës e pas luftës. Sot e kësaj dite dhe presidenti i Shqipërisë Begaj është gjithmonë i mirëseardhur duke qenë edhe ushtarak edhe mjek e di shumë mirë 12 qershorin e 1999 dhe të falënderoj nga zemra”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, presidenti Begaj ka theksuar se para 25 viteve është vënë në vend padrejtësia shekullore që është mundësuar me gjakun dhe sakrificën e heronjve të UÇK-së.

Begaj gjithashtu ka përgëzuar Kosovën për gjithçka që ka bërë deri me tani dhe për atë që do të bëjë në të ardhmen, për pasur një popull me mirëqenie dhe prosperitet.

“Sot është dita e rilindjes së Kosovës, e vënies në vend të asaj padrejtësie shekullore që u mundësua me gjakun, sakrificën e heronjve të UÇK-së dhe unë dua të përgëzoj Kosovën për gjithçka që ka bërë deri më tani, dhe që do të bëjë në të ardhmen për të pasur një popull i cili do të ketë mirëqenie dhe prosperitet”, është shprehur Begaj./KP

“Në jetën time më i kënaqur s’kam qenë”, Rifat Jashari në përvjetorin e çlirimit të Kosovës

10 muaj më parë / 12 qer 2024 15:58
Rifat Jashari

“Do gjak u derdhë, po u pagu ata gjak” – është shprehur Rifat Jashari i emocionuar në përvjetorin e Ditës së Çlirimit të Kosovës, duke shtuar se është shumë i lumtur.

Ai të mërkurën ka uruar qytetarët për këtë ditë, duke u shprehur se tash s’ka më dhimbje, por vetëm krenari.

“Qysh më mirë, më i kënaqur nuk jam kanë kurrë qe e arritëm edhe çlirimin e Kosovës është derdhur gjak por është paguar ata gjak, dhimbje s’ka veç krenari. Urime gjithë shqiptareve kudo qe janë”, ka thënë ai për EO.

Jashari ishte prezent në seancën e sotme solemne në Kuvendin e Kosovës.

Walker: Jam këtu për të festuar me të gjithë kosovarët e me komunitetet tjera

10 muaj më parë / 12 qer 2024 15:57
William Walker

Photo: Ekonomia Online

Ish-shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, ka thënë se në Kosovë është për të festuar me të gjithë. 

Ai ka thënë se është një ditë fantastike. 

“Jam këtu për të festuar me të gjithë shqiptaret, me të gjithë kosovarët e po ashtu edhe serbët. Çfarë dite të mrekullueshme përfaqëson kjo, është fantastike”, ka thënë ai, raporton “Ekonomia Online”.

Përurohet shtatorja e Tony Blair në Ferizaj

10 muaj më parë / 12 qer 2024 15:49
Tony Blair - Britania e Madhe

Foto: KPS

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, të mërkurën në Ferizaj u zbulua shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. Me këtë rast, kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është bekimi i secilit shqiptar dhe emblema krenare e gjithë Kosovës.

Ai tha se para 25 vjetësh Kosova nuk ishte vetëm, derisa përmendi kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ish-kryeministrit britanik dhe të tjerëve për çlirimin e vendit tonë.

Kryetari Aliu potencoi se kjo shtatore e Blair është krenare dhe e lavdishme si edhe vetë liria e Kosovës.

Ndërkaq, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves tha se Blair në pamundësi të merrte pjesë në këtë ceremoni, ndihet i nderuar për jetësimin e tij në bronz.

Derisa citoi ish kryeministrin Blair, ai tha se Kosova ka bërë përparim të jashtëzakonshëm gjatë këtyre 25 vjetëve. Hargreaves theksoi se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën për të arritur potencialin e saj të plotë.

Në një fjalë rasti, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi tha se Tony Blair ka qenë ndër të parët që i është përgjigjur thirrjes së popullit të Kosovës për ndihmë.

Kryetari Krasniqi tha se Blair ka treguar guxim, dhembshuri dhe përkushtim për lirinë dhe demokracinë e Kosovës.

Ndërsa, ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Agim Çeku tha, se Ferizaj sot po feston më ndryshe përvjetorin e çlirimit, duke zbuluar shtatoren e Blairit. Ai tha se kontributi dhe vendosmëria e Tony Blair ishin vendimtare për përfundimin e luftës në Kosovë.

Drejtori i fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair” dhe iniciatori, Bashkim Fazliu tha se inaugurimi i kësaj shtatoreje, ani pse u bë me vonesë, shënon freskinë e kujtesën e popullit tonë për kontributin e Blair në çlirimin e vendit.

Ai tha se në kohën kur në Kosovë po ndodhte spastrimi etnik nga okupatori serb, Blair nuk qëndroi duarkryq, por veproi fuqishëm për lirinë e shtetit tonë, duke shtuar se populli jonë do të jetë përjetësisht falënderues për kontributin e tij.

Shtatoren e Tony Blair e ka punuar skulptori, Agon Qosa, e cila u vendos në sheshin që mban emrin e tij, dhe është pranë “Sheshit të Dëshmorëve”./ksp

Para 25-vjetësh dokumentonte krimet e Serbisë, tash parakalimin e Ushtrisë së Kosovës në liri

10 muaj më parë / 12 qer 2024 14:26
Alban Bujari

Fotoreporteri Alban Bujari dhe një nga fotografitë e shkrepura nga ai në Rogovë të Hasit

Para 25 vjetëve, Alban Bujari, fotoreporter i KOHËS Ditore ishte në fillim të karrierës. Por u bë menjëherë ndër personat që më së miri i dokumenti krimet e pushtetit të Sllobdan Millosheviqit në Kosovë.

Fotografitë e tij u bënë referenca për brenda e jashtë vendit për atë që sot konsiderohet fundi i procesit të çlirimit. Për të nuk ka fjalë që mund t’i përshkruajë krimet mizore që i ka parë nga afër.

“Me ju thanë që njeri behët imun, veç ju gënjej. Në pamje të parë mund të dukem që jam imun prej pamjeve të rënda si njerëz pa kokë, pa veshkë, pa zemër, pa sy...Po flas për Reçak. Në Prekaz të djegur, Rugovë të Hasit e tutje. Janë shumë të rënda. Nuk dëshiroj, askujt të ia dëshiroj ato. Normal që lënë trauma, por duhet të vazhdohet të jetohet me to. Të rënda janë krejt, por më së keqi e kam përjetuar Rugovën e Hasit se me është dashtë me shkelë në gjakun e ushtarëve. Atje kemi pas shku me Naser Miftarin dhe Afrim Vitinë. Mendoj që nuk e kanë ditë që jam shqiptar se nuk me kishin lanë me fotografu. Është dashtë me shkelë në gjak të ushtarëve. Me ni atë erë që hala e nij....” ka deklaruar ai.

Sot, 25 vjet në liri, ua sjellim poshtë fotografitë që Bujari ka shkrepur nga parakalimi madhështor i ushtarëve dhe policëve të Kosovës në shënim të Ditës së Çlirimit.

LIVE: Parakalimi madhështor i FSK-së dhe Policisë së Kosovë

10 muaj më parë / 12 qer 2024 12:39
FSK

Ka nisur parakalimi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit.

Siç është bërë e ditur, për herë të parë në këtë parakalim paraqiten armët e reja të ushtarëve dhe policëve të Kosovës.

Kurti: Ushtria e Kosovës s’ka qenë kurrë më e madhe dhe më e armatosur

10 muaj më parë / 12 qer 2024 12:32
Albin Kurti

Photo: Alban Bujari

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Ushtria e Kosovës s’ka qenë kurrë më e madhe dhe më e armatosur se sot.

Në fjalimin para ushtarëve, Kurti ka thurur lavde për investimet e fundit në armatimin e Ushtrisë dhe avancimin e ushtarëve nëpërmjet shkollimit në shkollat më të ndritura ushtarake në botë.

“Ushtria e Kosovës nuk ka qenë kurrë më e madhe e se sot dhe më e mirë armatosur dhe pajisur. Kurrë nuk ka qenë më e stërvitur, trajnuar e shkolluar në akademitë më prestigjioze ushtarake të ushtrive mike perëndimore. Por edhe kurrë s’ka qenë më e fuqishme dhe e gatshme për ta mbrojtur territorin dhe sovranitetin tonë dhe jetët tona, sepse ky është misioni i sa, ta mbrojë Kosovën dhe të zhvillohet e avancohet krahas aleatëve tanë”, ka thënë Kurti.


Kurti-Clintonit: Faleminderit për kontributin në çlirimin tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka falënderuar ish-presidentin amerikan, Bill Clinton, për urimin që i bëri Kosovës me rastin e përvjetorit të Ditës së Çlirimit.

Kurti e ka falënderuar edhe për “kontributin e pamasë për çlirimin dhe paqen”.

“Faleminderit zotëri president për kontributin tuaj të pamasë për çlirimin dhe paqen tonë”, është shprehur ai në rrjetin social X.

Clinton, që ishte president i SHBA-së në kohën e bombardimeve të NATO-s, e ka uruar Kosovën, duke u shprehur se ndërhyrja ushtarake “ndihmoi në pavarësimin e Kosovës”.

“Ndërhyrja ushtarake ndihmoi në rivendosjen e vetëqeverisjes për krahinën dhe çoi në pavarësinë e Kosovës më 2008”, ka shkruar ai, teksa në një postim tjetër ka thënë se shpreh falënderimet për 25 vjet paqe në Kosovë.

 

Osmani: Forca tona të gatshme ta mbrojnë Kosovën në çdo cep të saj

10 muaj më parë / 12 qer 2024 12:30
Vjosa Osmani

Photo: Alban Bujari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se trupat e FSK-së dhe Polica e Kosovës që parakalojnë sot në shesh, janë forca të paqes dhe në mbrojtje të paqes, por do të jenë gjithmonë në mbrojtje të Kosovës në çdo cep të saj. 

Osmani gjatë fjalimit të saj para parakalimit të FSK-së e Policisë së Kosovës në 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, ka përmendur sakrificën, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen Jashari. 

Ajo ka thënë se guximi i UÇK-së është histori e heroizmit që do të tregohet brez pas brezi. 

“Sakrifica e tyre ishte e pafundme, shpirti i tyre i pathyeshëm. U detyrohemi atyre me mirënjohje që nuk mund të shlyhet kurrë, por duhet kujtuar përgjithmonë. Ata vazhduan rrugën e nisur më herët nga rezistenca paqësore e prirë nga presidenti historik doktor Ibrahim Rugova, pasuar nga lufta e armatosur e UÇK-së me në krye me komandantin legjendar Adem Jashari e gjithë familjen Jashari”, ka thënë Osmani. 

Ajo ka thënë se ky udhëtim drejt lirisë u mbështet nga aleatët ndërkombëtarë të prirë nga SHBA-ja. 

“Kosova është e pavarur, trashëgimi e përjetshme e heronjve e martirëve tanë, e mëshiruar më së miri në trimat e trimëreshat që sot parakalojnë në paradën e FSK-së dhe Policisë së Kosovës të cilët janë betuar të mbrojnë atdheun. Këto forca që parakalojnë janë forca të paqes, në mbrojtje të paqes, por do të jenë sot e përjetë në mbrojtje të lirisë të fituar me gjak, sot e përjetë dhe me çdo kusht e çdo çmim në mbrojtje të Kosovës në çdo cep të saj”, ka thënë Osmani. 
 

Nikolla: Lufta për çlirimin e Kosovës është fituar me ndihmën e aleatëve

10 muaj më parë / 12 qer 2024 12:01
Lindita Nikolla

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ka thënë se lufta për çlirimin e Kosovës është fituar me ndihmën e aleatëve dhe partnerëve të kombit shqiptar.

Ajo në seancën e solemne të Kuvendit të Kosovës, për nder të 25 vjetorit të çlirimit nga forcat pushtuese serbe, tha se Kosova e zhvilluar, demokratike dhe paqësore do të vijojë të ndërtohet po me ndihmën e miqve dhe aleatëve.

Nikolla tha se Shqipëria mbështet fuqishëm zhvillimin, demokratizmin dhe shtimin e njohjeve të reja për Kosovën.

“Lufta për çlirimin e Kosovës u fitua me ndihëm e aleatëve, partnerë dhe miqve të çmuar të kombit shqiptar. Kosova e zhvilluar, demokratike dhe paqësore do të vijojë të ndërtohet po me ndihmën e miqve dhe aleatëve. Me mbështetjen e tyre e ardhmja euro-atlantike e Kosovës është e sigurt. Pa ndihmën e tyre asgjë nuk është e garantuar. Shqipëria e Kosova janë sot dy shtete të pavarura me aleatë të mëdhenj. ShBA-të, BE-ja, NATO-në dhe botën e qytetëruar që aspirojmë familjen evropiane. Shqipëria mbështet fuqimisht zhvillimin, demokratizmin dhe shtimin e njohjeve dhe fuqizimin e rolit ndërkombëtar të Kosovës. Çdo sukses i Kosovës është edhe i Shqipërisë. Çdo sukses i Shqipërisë është sukses edhe i Kosovës”, tha ajo.

Gjatë ditës së sotme Kuvendi i Kosovës ka organizuar seancë solemne në nder të 25 vjetorit të çlirimit nga forcat pushtuese serbe, ku pjesëmarrës ishin edhe personalitete dhe figura të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare./KSP

Hovenier: Çka ka arritur Kosova është e jashtëzakonshme, krenar që ju kemi partner

10 muaj më parë / 12 qer 2024 11:10
Jeffrey Hovenier

Photo: Driton Paçarada

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier, e ka cilësuar si të jashtëzakonshme atë çka ka arritur Kosova 25 vjet pas çlirimit, ndërsa është shprehur krenar për partneritetin SHBA – Kosovë.

Ai kujtoi edhe porosinë e ish-presidentit amerikan Bill Clinton.

“25 vjet më parë, forcat e NATO-s mbërritën në Kosovë. Lidershipi i SHBA-së luajti rol jetik për të mundësuar këtë, meqenëse ne, së bashku me aleatët tanë, i dhamë fund njëherë e përgjithmonë fushatës së tmerrshme të spastrimit etnik që regjimi i Millosheviqit kreu këtu në Kosovë. Siç tha presidenti Clinton atëherë, po e citoj: ‘Gjatë katër muajve të fundit, kemi parë disa nga aktet më çnjerëzore të jetës sonë. Por, gjithashtu kemi parë trimërinë e trupave tanë, vendosmërinë e demokracisë sonë, mirësinë e popullit tonë dhe guximin e qëndrueshmërinë e popullit të Kosovës. Falë të gjitha këtyre veçorive, ne kemi tash një moment shprese dhe duhet të përfundojmë punën dhe të ndërtojmë paqen’”, ka thënë Hovenier në një video-mesazh për 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit.

Hovenier ka garantuar se mbështetja e SHBA-së për Kosovën do të vazhdojë edhe për vitet në vijim.

“Porosia e presidentit Clinton është po aq e rëndësishme sot sa ishte 25 vjet më parë. Tani, 25 vjet më vonë, jemi krenarë për gjithçka që keni arritur. Ju keni ndërtuar shtetin tuaj sovran, demokratik dhe shumëetnik nga themeli. Ajo që keni arritur është e jashtëzakonshme. SHBA-ja është krenare që është partnere e juaj ndërsa shënoni këtë moment historik të rëndësishëm. Dëshiroj të theksoj se përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është po aq i fortë dhe i qëndrueshëm si gjithmonë. Ne qëndrojmë me popullin e Kosovës kundër autoritarizmit, kundër çdo përpjekjeje për të shtypur brutalisht dhe për të ndarë shoqërinë në vija etnike ose fetare, kundër shkatërrimit me dhunë të jetës dhe jetesës së njerëzve dhe kundër vullnetit të tyre. Dhe ne qëndrojmë me krenari dhe plotësisht përkrah popullit të Kosovës. Kemi qenë me ju që nga fillimi. Jemi me ju tash. Dhe mirëpresim të qëndrojmë përkrah jush në vitet në vijim. Urime”, ka thënë Hovenier.

Begaj: Serbia me aleatët janë mobilizuar ta njollosin luftën e shqiptarëve, duhet të jemi bashkë

10 muaj më parë / 12 qer 2024 11:05
Bajram Begaj

Photo: Driton Paçarada

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka paralajmëruar se Serbia dhe aleatët e saj kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për ta njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve.

Në fjalimin e seancës solemne për 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, Begaj ka thënë se shqiptarët duhet të bëhen bashkë.

“Në një kohë kur Serbia dhe aleatët kanë mobilizuar kapacitetet diplomatike e mediale për të njollosur luftën e drejtë të shqiptarëve, kemi nevojë më shumë se kurrë të jemi bashkë, për një manifest krenarie kombëtare”, ka thënë Begaj.

Presidenti i Shqipërisë kujtoi ish-presidentin Ibrahim Rugova, ish-veprimtarin Adem Demaçi e ish-komandantin Adem Jashari si figurat e shquara për Pavarësinë e Kosovës.

“Në përvjetor të tillë të shenjtë, përulemi para martirëve dhe figurave të shquara që me jetën dhe veprën për Pavarësinë e Kosovës lanë gjurmë të pashlyeshme në histori. Sot nderojmë Rugovën, arkitektin e pavarësisë dhe simbolin e paqes që vendosi çështjen e Kosovës në të gjitha kancelaritë perëndimore, nderojmë Adem Demaçin, veprimtarin qendrëstar të çështjes kombëtare, përulemi para familjes Jashari, familjes simbol të Kosovës, nderojmë kryetrimin Adem Jashari. Burra të tillë rrallë i lind historia. Të kujtojmë të gjithë luftëtarët e UÇK-së. Liria nuk është dhuratë, ajo duhet të mbrohet”, ka deklaruar ai.

Begaj gjithashtu përmendi shqiptarët nga Shqipëria, Mali i Zi e Maqedonia e Veriut që iu bashkuan luftës së UÇK-së.

Kurti: Serbia rri e rreshtuar kah Rusia

10 muaj më parë / 12 qer 2024 11:05
Albin Kurti

Photo: Driton Paçarada

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Serbia po rri e rreshtuar kah Rusia, e sipas tij, Rusia “qëndron prapa qëndrimeve të Serbisë”.

Në seancën solemne në Kuvendin e Kosovës për nder të përvjetorit të Ditës së Çlirimtare, Kurti është shprehur se Kosova e ka synim Bashkimin Evropian si familje politike, e NATO-n si destinim ushtarak.

“Nga kjo histori duhet të nxirren mësime e kjo kuptohet nga rreshtimi gjeopolitik e gjeostrategjik. Serbia po rri e rreshtuar kah Rusia, si Rusia që qëndron prapa qëndrimeve të Serbisë. Populli ynë e Shqipëria në vazhdimësi i kanë forcuar lidhjet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e me vendet e tjera evropiane. Bashkimi Evropian është familja e synuar politike, e NATO-ja destinimi ynë ushtarak”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit është shprehur para të pranishmëve se Kosova dëshiron marrëdhënie të mira e njohje reciproke me vendet fqinje “pa sulme e agresione”.

“Sot, me vetëdijen politike e kujtesën kolektive kujtojmë 12 qershorin. Kurrë më të vendosur s’kemi qenë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë me çdo kusht. Urime 25 vjetorin me nderime e mirënjohje”, ka thënë ai.

Kurti tutje ka falënderuar vendet mike për kontributin e dhënë në çlirimin e Kosovës.

“Të bashkohemi fizikisht e shpirtërisht si jemi bashkuar sot në sheshet e qyteteve me qytetarët tanë për të shënuar një ngjarje historike që na e ka sjell të tashmen dhe na e ka përcaktuar të ardhmen”, ka thënë Kurti.

Saranda Bogujevci nga Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) u përlot gjatë fjalimit në seancën solemne në Kuvend, derisa rrëfeu për vështirësitë e saj gjatë luftës.

Ajo tha se i është mirënjohës popullit për përkrahjen.

“U jemi përjetë mirënjohës miqve që na mbeshtetën...Sot para jush bashkë me juve ndihem e privilegjuar e krenare që i shërbej popullit e vendit tim. Çdo 12 qershor e shënoj fitoren e humanitetit përballë mizorisë, përballë padrejtësisë”, ka thënë Bogujevci.

 

Konjufca: Ta kujtojmë të shkuarën e mos ta harrojmë të vërtetën

10 muaj më parë / 12 qer 2024 10:43
Glauk Konjufca

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se e shkuara duhet të kujtohet e e vërteta të mos harrohet, që padrejtësitë dhe pushtimet të mos përsëriten kurrë.

Në fjalimin në seancën solemne të Kuvendit për 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, kryekuvendari u shpreh se regjimi i Serbisë kishte qëllim shfarosjen e popullit të Kosovës.

“12 qershori është dita e rikthimit të shpresës. Pas gati një shekulli nën sundim, Kosova u çlirua. Regjimi i Serbisë e kishte vetëm një synim: Shfarosjen e një populli të tërë. Këto krime të Serbisë morën përmasa gjenocidale. Për ne, Serbia ka mbetur e njëjtë. Politika e shtypjes dhe nënçmimit ka qenë tipari konstant i regjimeve atje. Të reflektojmë mbi historinë se për ajo për popullin tonë do të thotë shumë. Ta kujtojmë të shkuarën, mos ta harrojmë të vërtetën, nuk do të thotë se nuk e duam paqen. Duam që padrejtësia dhe pushtimi të mos përsëriten kurrë më”, ka thënë Konjufca.

Konjufca ka nderuar të gjithë “heronjtë dhe dëshmorët që ranë për liri, në krye me komandantin Adem Jashari dhe UÇK-në”.

“Një popull që mbijetoi, rezistoi e luftoi si dëshmi e së drejtës për të qenë i lirë në tokën e vet shekullore, nuk kishte se si të arrinte ndihmën nga aleanca më e fuqishme demokratike, NATO. Intervenimi i NATO-s në Kosovë duke bombarduar Jugosllavinë e Millosheviqit, përveç se intervenim humanitar për ta shpëtuar një popull nga zhdukja, ishte përmbyllje e triumfit të lirisë, e fitores së demokracisë. Mirënjohja do të jetë e përjetshme”, ka deklaruar ai.

Osmani: 25 vjet pas çlirimit, Kosova e meriton anëtarësimin në NATO

10 muaj më parë / 12 qer 2024 10:32
Vjosa Osmani

Photo: Driton Paçarada

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Kosova e meriton anëtarësimin në organizatën ushtarake të NATO-s, 25 vjet pas çlirimit me ndihmën e NATO-s.

Në fjalimin në Kuvend në seancën solemne, Osmani ka thënë se  çlirimi i Kosovës në vitin 1999 s’ishte thjesht fitore ushtarake e NATO-s dhe kapitullim i Serbisë, por edhe triumf i shpirtit njerëzor mbi tiraninë dhe i të mirës mbi të keqen. Ajo ka thënë se pjesëtarët e NATO-s nuk ishin thjesht ushtarë kur hynë në Kosovë, por shpëtimtarë.

“Ata sollën me vete premtimin e lirisë, sigurinë se bota nuk kishte harruar për popullin e Kosovës dhe vendosmërinë për t’i dhënë fund mizorive të kryera kundër popullit tonë. Hyrja e NATO-s në qershor të 1999-s ishte fuqi e solidaritetit ndërkombëtar dhe besimit universal të një populli për të qenë i lirë. Liria është më shumë se sa fjalë. Është thelbi i qenies sonë. Ajri që e thithim, ëndrra që guxojmë ta ëndërrojmë. E ardhmja që aspiruam dhe për  të cilën luftuan e dhanë jetën çlirimtarët tanë”, ka thënë ajo në fjalimin në Kuvend.

Osmani ka thënë se Kosova përherë do t’i kujtojë të rënët dhe të gjithë ata që dhanë kontribut për lirinë e Kosovës. Ka thënë se mbi të gjitha duhet nderuar stoicizmin e popullit të Kosovës dhe ushtrinë çlirimtare.

“Liria nuk është dhuratë, por për të u pagua çmimi më i lartë që mund të paguajë një popull. Liria sot është përgjegjësi e trashëgimi që duhet ta mbrojmë dhe premtim që duhet ta përmbushim për këtë dhe çdo gjeneratë që vjen pas nesh. NATO-ja na dha mbështetjen dhe ne sot e synojmë dhe e meritojmë anëtarësimin në këtë organizatë ushtarake me ushtrinë tonë që me profesionalizmin e saj është e gatshme të bëhet kontribuuese për paqe kudo në glob”, ka thënë ajo.


 

Nis seanca solemne për 25-vjetorin e çlirimit

10 muaj më parë / 12 qer 2024 10:16
Seanca solemne

Photo: Driton Paçarada

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën solemne për shënimin e 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Në sallë janë Rifat Jashari përfaqësues i familjes legjendare Jashari,  presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, ish-presidenti kroat Stipe Mesiq, ish-presidentja e Federatës së Zvicrës, kryeparlamentarja e Shqipërisë, ish-sekretari i NATO-s, ish-ministri i Kroacisë, dhe ish-përfaqësuesi i OSBE-së gjatë luftës në Kosovë, William Walker.

Pas intonimit të himnit shtetëror e kombëtar, deputetët kanë mbajtur një minutë heshtje për të gjithë të rënët që kontribuuan në çlirimin e Kosovës.

 

Gërvalla: Përulemi para luftës çlirimtare të heronjve

10 muaj më parë / 12 qer 2024 10:10
Ministrja e jashtme e Kosoves, Donika Gervalla

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla, i ka uruar qytetarët për 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit, duke kujtuar sakrificën e popullit ndër gjenerata.

Nëpërmjet një videomesazhi, Gërvalla ka thënë se shpreh mirënjohje për partnerët dhe aleatët e NATO-s “të cilët na dolën në krah atëherë kur shfarosja jonë ishte synimi kryesor i një regjimi çnjerëzor.

Kryediplomatja ka kujtuar edhe presidentin Ibrahim Rugova.

“Një çerek shekulli në liri. Lirinë, e cila nuk na u dhurua, por të cilën e fituam falë sakrificës së djemve dhe vajzave, burrave dhe grave të Kosovës, falë punës vetëmohuese të gjeneratave të tëra. Ndërkohë që sot kujtojmë presidentin Rugova dhe rezistencën civilë të qytetarëve, përulemi para luftës çlirimtare dhe të gjithë heronjve tanë. Shprehim mirënjohjen tonë  të thellë për miqtë, partnerët dhe aleatët tanë në NATO, të cilët na dolën në krah atëherë kur shfarosja jonë ishte synimi kryesor i një regjimi çnjerëzor. Sot Republika e Kosovës është shteti i qytetarëve të saj, shembull i ndërtimit të shtetit të drejtë dhe demokratik, shpresë e të gjithë qytetarëve të saj. Urime dhe festoni sot me të dashurit tuaj kudo që jeni”, është shprehur ajo.

Rohde: Kosova është histori suksesi

10 muaj më parë / 12 qer 2024 10:05
Rohde

Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde, ka vlerësuar se 25 vjet pas çlirimit, Kosova është histori suksesi e Perëndimit.

Rohde në “X” ka shkruar se Gjermania mbetet një ndër partneret më të afërta të Kosovës.

“Sot para 25 vitesh filloi misioni i KFOR-it të NATO-s. Për ta cituar ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Lord Robertson: ‘Qëllimi ishte largimi i forcave të Millosheviqit, hyrja e NATO-s dhe kthimi i refugjatëve’. Misioni u krye. Kosova deklaroi Pavarësinë në vitin 2008 dhe është një histori suksesi. Gjermania është dhe mbetet ndër partnerët më të afërt të Kosovës”, ka shkruar ai.

Adem Avdyli ra në mina në ditën e çlirimit, humb këmbën e majtë

10 muaj më parë / 12 qer 2024 09:45 Nga: Shqipdona Gashi
Adem Avdyli

25 vjet më parë duke ecur, Adem Avdyli nga fshati Dritan i Drenasit kishte rënë në mina. Kjo kishte bërë që ai ta humbte këmbën e majtë.

Ishte dita e çlirimit pikërisht kur ndodhi e gjithë ngjarja, të cilën ai e kujton edhe në ditët e sotme.

Familja e tij ishte strehuar në pjesën malore të fshatit për të shpëtuar nga okupatori serb, ndërsa Ademi ishte mundur që t’u siguronte transport për t’i kthyer në shtëpi, ku gjatë asaj rruge kishte shkelur në mina.  

Adem Avdyli ishte i shoqëruar nga djali i tij, që asokohe ishte vetëm 16-vjeçar, ku ia dha ndihmën e parë dhe i njoftoi ekipet shëndetësore të luftës.

Familja e tij ishte pajtuar me faktin që Ademi ishte gjallë, pasi që kishin parë tragjeditë e tjera që kishin ndodhur në luftë.  

Në këtë fshat 25 persona u vranë e qindra të tjerë u plagosën gjatë luftës së fundit në Kosovë.

I plagosuri civil gjatë luftës, kërkon që institucionet ta mbështesin atë dhe të tjerët e prekur nga lufta.

Ai ka thënë se menjëherë pas luftës e ka ndërtuar vetë shtëpinë dhe është kujdesur për katër fëmijët e tij.

Në ditët e sotme, 74-vjeçari kujdeset për bahçen dhe kopshtin, ku gjithçka është e punuar nga duart e tij.

Këmba me protezë aspak nuk e pengon që të punojë e të shëtisë ku ai dëshiron.

Ademi bashkë me shumë persona të tjerë nga “Shoqata e të Plagosurve Civilë nga Minat” kanë protestuar para objektit të Qeverisë të hënën për të drejtat e viktimave civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.  

Clintoni kujton bombardimet e NATO-s për çlirimin e Kosovës

10 muaj më parë / 12 qer 2024 09:34
Bill Clinton

Ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s 25 vjet më parë për çlirimin e Kosovës.

Në një video të publikuar të martën vonë në Twitter, Clinton ka kujtuar se si SHBA-ja ka udhëhequr bombardimet e NATO-s për të larguar forcat serbe dhe për t’i dhenë fund represionit e spastrimit etnik ndaj shqiptarëve.

“Ndërhyrja ushtarake ndihmoi në rivendosjen e vetëqeverisjes për krahinën dhe çoi në pavarësinë e Kosovës më 2008”, ka shkruar ai, teksa në një postim tjetër ka thënë se shpreh falënderimet për 25 vjet paqe në Kosovë.

Begaj pritet me nderime shtetërore

10 muaj më parë / 12 qer 2024 09:32
begaj/osmani

/kp

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj është pritur me nderime shtetërore në Prishtinë të mërkurën.

Presidentja Vjosa Osmani doli për ta pritur Begajn para Presidencës, ku edhe u intonuan himnet shtetërore nga trupat e FSK-së.

Begaj në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës, pritet t’i drejtohet deputetëve me një fjalim.

Kosova sot feston 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit.

“Ju flet Kosova e Lirë”, Pllana: Në asnjë rast nuk më është dridhur zëri

10 muaj më parë / 12 qer 2024 09:30
Nusret Pllana - Ju flet Kosova e Lirë

Nusret Pllana

Nusret Pllana, moderator gjatë luftës i lajmeve në radion “Ju flet Kosova e Lirë”, ka deklaruar se nuk i ishte dridhur zëri gjatë punës në radio, duke deklaruar se kishte raste kur bombardimet e Serbisë ndodhin pranë bunkerit.

Ai ka deklaruar Pllana të mërkurën se s’është meritori kryesor për raportimin gjatë luftës, duke shtuar se lajmet për Kosovën i janë dhënë botës direkt nga bunkeri.

“Kam pasur fatin të jem folësi i parë i ‘Radios Kosova e Lirë’, por kam qenë edhe ushtar i lirisë. Në rast nuk më është dridhur zëri...Në radion nga bunkeri kemi qenë të lidhur me NATO-n në Bruksel, kemi pasur reporterin Ekrem Krasniqi që ia ka përcjell NATO-s”, ka thënë Pllana.

VIDEO:

Pllana, sot anëtar i kryesisë së Institutit për krimet gjatë luftës në Kosovë, ka shtuar se afër çlirimit të Kosovës, forcat serbe “shqelmat e fundit i kishin përdorur ndaj popullatës civile”.

Pllana i ka kërkuar popullit që të njohë kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke shtuar se lufta nuk duhet të harrohet.

VIDEO:

Osmani: Përjetësisht mirënjohës për vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë

10 muaj më parë / 12 qer 2024 09:04
Vjosa Osmani

Photo: Alban Bujari

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka publikuar një video përmbledhëse për Ditën e Çlirimit teksa ka shprehur mirënjohje për vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë.

Videoja nis me deklaratën e ish-presidentit amerikan, Bill Clinton, për nisjen e bombardimeve për çlirimin e Kosovës.

Në të ka edhe pamje të ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, dhe vazhdon me deklarata të ish-presidentit Ibrahim Rugova e kryekomandantit, Adem Jashari. 


 

Agjenda shtetërore për Ditën e Çlirimit

10 muaj më parë / 12 qer 2024 08:16
FSK

Kosova sot, 12 qershor, shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit. Çerekshekulli më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor, do të ketë disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shesh. 

Nga ora 09:15, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani do ta presë në takim presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Në orën 10:00 Kuvendi do të nisë seancë solemne në shënim të 25-vjetorit të Ditës së Çlirimit.

Parakalimi i Forcave të Sigurisë dhe Policisë do të nisë në orën 12:00 nga objekti i Qeverisë deri te shesh “Zahir Pajaziti” në kryeqytet. Pritet të ekspozohen sisteme të ndryshme të armatimit.

Në orën 14:00 në Ferizaj do të zbulohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair.

Tre liderët e shtetit, presidentja, kryeministri dhe kryeparlamentari do të kenë pritje shtetërore në nder të 25-vjetorit. Kjo ceremoni nis në orën 17:00.

Nga ora 18:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet do të ketë koncert festiv publik.

25 vjet liri

10 muaj më parë / 12 qer 2024 08:12
Bombardimet -NATO

Photo: Alban Bujari

Kosova sot, 12 qershor, shënon 25-vjetorin e Ditës së Çlirimit. 

Çerekshekulli më parë, trupat paqeruajtëse të NATO-s hynë në Kosovë pas bombardimeve kundër caqeve ushtarake e policore serbe në Kosovë dhe Serbi. Në 25-vjetor, do të ketë disa ceremoni, ndër të cilat edhe parakalimi i Forcës së Sigurisë dhe Policisë së Kosovës në shesh. 

Sulmet mbi infrastrukturën serbe nisën më 24 mars, dhe zgjatën deri më 10 qershor 1999. Gjatë fushatës 78-ditore, aeroplanët nga 13 shtete anëtare të NATO-s i bënë 38 mijë e 400 fluturime, nga të cilat në 10 mijë e 484 fluturime u bënë bombardime. Nga ajri ishin hedhur gjithsej 26 mijë e 614 projektilë. 

Fushata e bombardimeve ajrore ndaj Jugosllavisë u bë për ndaljen e fushatës serbe për spastrim etnik të shqiptarëve në Kosovë.

Me intensifikimin e bombardimeve të NATO-së, forcat ushtarake dhe paramilitare të ish-RFJ-së e nisën një fushatë të egër kundër popullatës civile. Sipas shënimeve nga Departamenti Amerikan i Shtetit, rreth 10 mijë shqiptarë ishin vrarë dhe hedhur në varreza masive. Dëbimi masiv i gjysmë milioni refugjatëve vetëm në dy javët e para të bombardimeve çoi në jostabilitet politik në Maqedoni dhe Shqipëri. 

Më 1 qershor 1999, Beogradi kishte pranuar parimet e G-8-shes. Kësisoj, NATO-ja i pezulloi sulmet e veta ajrore më 10 qershor. Po atë ditë, pas konfirmimit se forcat e ish-RFJ-së e kishin filluar tërheqjen sipas planit paqësor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e miratoi Rezolutën 1244, e cila e përcaktoi kornizën për vendosjen e administratës civile të OKB-së, si dhe për vendosjen e një pranie ndërkombëtare e të sigurisë.  Për dallim nga plani i Rambujesë, trupat e NATO-s nuk do të kishin mundësi të hynin në territorin e ish-Jugosllavisë, por vetëm në Kosovë.

Kushtet e vendosjes së një pranie ushtarake ndërkombëtare, si dhe qëllimet e saj u përcaktuan në Marrëveshjen Tekniko - Ushtarake ndërmjet Forcës Ndërkombëtare të Sigurisë në Kosovë (KFOR), dhe të qeverive të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe të Republikës së Serbisë, e cila u nënshkrua më 9 qershor 1999.

Ekzistojnë argumente “pro” dhe “kundër” intervenimit të NATO-s më 24 mars 1999 në Kosovë. Ata që janë kundër argumentojnë se intervenimi nuk ishte i pastër nga pikëpamja ligjore, për shkak se nuk bazohej në ndonjë rezolutë eksplicite të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kurse, ata që miratuan ndërhyrjen e arsyetuan me faktin se u shpëtua një popull i tërë nga spastrimi etnik dhe gjenocidi. 
Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë kishte krijuar ndasi edhe brenda vendeve anëtare të NATO-s, në lidhje me ekzistimin e së drejtës së ndërhyrjes humanitare në të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare. 
Bombardimet e NATO-s bënë që Serbia të zbrazej duke pranuar ta nënshkruante Marrëveshjen e Kumanovës me NATO-n, pas së cilës forcat serbe u tërhoqën nga Kosova.

Më 18 mars 1999 përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës dhe diplomatët perëndimorë nënshkruan Marrëveshjen e Rambouillet.

Por Slobodan Milosheviqi e refuzoi marrëveshjen e propozuar nga bashkësia ndërkombëtare në Rambouillet, pavarësisht paralajmërimeve për bombardime për ta ndalur fushatën sistematike kundër popullatës civile në Kosovë.

Refuzimi i Milosheviqit që të firmosë marrëveshjen solli operacionin ushtarak “Allied Force”.