Nga 25 euro është shuma që Vezire Batusha merr për secilin nga dy djemtë e mitur, nga të cilët serbët e ndanë gjatë luftës dhe që kurrë më nuk i pa. Prej më shumë se dy dekadash, ajo vetë duhet ta mbajë familjen, meqë bashkë me të bijtë forcat serbe ia kishin marrë edhe bashkëshortin. Varret mbetën të hapura, meqë ata kurrë nuk u gjetën. E Vezirja duhet të kujdeset për gjithë familjen dhe ndonëse çmimet vazhdimisht rriten, skemat sociale kanë mbetur në vend
Pak metra larg vendit ku ka ndodhur masakra e fshatit Krushë e Vogël të Prizrenit e ka shtëpinë edhe Vezire Batusha. Rruga nga shtëpia e saj e deri te vendi ku u vranë 113 banorë të këtij fshati ia kujton asaj edhe takimin e fundit me dy djemtë e saj e me bashkëshortin.
Pas kohë pasi i ndanë, kishte dëgjuar krismat ditën e 26 marsit të 1999, dhe thotë të ishte kthyer edhe një herë me shpresën për t’i gjetur fëmijët e burrin. Por nuk i gjeti më.
Tash e 23 vjet, Vezire Batusha e vuan mungesën e tyre. Thotë se dhimbja është më e madhe, meqë varret e tyre vazhdojnë të jenë të zbrazëta.
Që nga ajo kohë, Batusha e cila jeton në Krushe të Vogël, nuk ka arritur të sigurojë as punë, e të gjitha të ardhurat e saj varen nga shteti. Janë 168 euro merr si pension për bashkëshortin e nga 25 euro për dy djemtë që në kohën kur serbët e ndanë me ta, njëri ishte 17 vjeç e tjetri 15 vjeç.
Për të është e vogël kjo ndihmë për të mbajtur familjen.
“A me iu thonë pare këtyre? Krejt jeni kryefamiljarë. Për mua shumë vështirë: sa mërzinë, sa dertin e shtëpisë. Po lyp fëmija, nusja, djali, çika. Po i dëshirojnë kushtet e veta, po dëshirojnë me i plotësu, po kur s’po ke me ua plotësu, shumë vështirë për mua”, thotë Vezire Batusha.
Në Kosovë gjatë luftës u vranë mbi 1 mijë fëmijë.
Sipas Vezire Batushës, rritja e çmimeve të produkteve esenciale ka ndikuar shumë në familjen e saj. Dhe, pavarësisht asaj çfarë i ndodhi në luftë, thotë se familja nuk është e liruar nga asnjë pagesë.
“Shumë vështirë për neve që i kanë rritë çmimet. Me i pasë 1 mijë euro edhe nuk dalin”, ankohet ajo. “Shumë keq kanë ba, shumë shtrenjtë, po çka me ba. As kah rryma, as kah uji as nga uji i pijes, të gjitha duhet me i pagu. Po duhet me i lënë keq fëmijët ndonjëherë pa ngrënë, me i pagu”.
KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, nga i cili institucion ka kërkuar informacione nëse këto kategori do përfshihen në ndonjë masë për t’u subvencionuar. Përgjigjet kanë munguar.
E, derisa mes lotëve dhe halleve për të siguruar mirëqenien e familjes, Batusha tregon dëshirën e vetme që ka.
“U bënë 23 vjet s’po ua di fijen. Ma po kam dëshirë me i gjetë, sa s’ka. Me ditë varrin ku e kanë: shkon qan, ua dërgon një lule, se e dimë që nuk janë të gjallë, se deri 4 a 5 vjet kam menduar që janë ende të gjallë” thotë ajo.
Më 26 mars të 1999-s forcat serbe kanë vrarë mbi 20 anëtarë të familjes Batusha e 113 persona, në të gjithë fshatin Krushë e Vogël.
Pensionet e kategorive të dala nga lufta e edhe të tjera ishin rritur në vitin 2014, në kohën kur në krye të Qeverisë ishte Hashim Thaçi, dhe që nga ajo kohë ato nuk kanë pësuar lëvizje.
Thaçi në mars të 2014-s kishte nënshkruar vendimin për rritjen e pagave për të gjitha kategoritë e shërbyesve publikë, përfituesit e skemave sociale dhe pensionistët.