Këtë të diel Kohavisioni ka mbushur 24 vjet që nga nisja e transmetimit. Drejtuesit e kompanisë më të madhe mediale në vend e cilësuan punën më shumë se dy dekadashe si me plot sfida, por me fokus të përhershëm në saktësi, profesionalizëm e besueshmëri. Për gjithë punën e deritanishme, KOHA është vlerësuar nga kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti, edhe për respektimin e Kodit të Etikës
Kohavisioni nisi 24 vjet më parë, në hapësira të ngushta, por të mbushura me të rinj entuziastë, që këtë medium e bënë shpejt shtyllë të fuqishme të KOHËS.
KTV-ja u themelua pas çlirimit të Kosovës, kur skenës mediale iu hapën mundësitë e rritjes dhe të avancimit. Duke ndjekur parimet etike e profesionalizmin e “Kohës Ditore”, Kohavisioni u ngrit si kanali më i besueshëm televiziv, ku punën e kryenin brezat e rinj.
Ky mision nisi në shtatorin e vitit 1990, me revistën javore “KOHA”, themeluar nga Veton Surroi. E, 10 vjet pas, negociatat me përfaqësues të Qeverisë amerikane rezultuan me shtysën më të madhe për themelimin e dy televizioneve të pavarura kombëtare në Kosovë, njëri nga ta ishte KTV-ja.
22 shtatori i vitit 2000 ishte dita e parë e një transmetimi që më nuk u ndal. Programi informativ, që e veçon edhe sot KTV-në, nisi me udhëheqjen e kryeredaktorit Dukagjin Gorani e drejtor i televizionit ishte Tomor Binishi.
Mbi 400 njerëz kanë dhënë kontribut e kanë marrë përvojë gjatë këtyre viteve të ngritjes së KTV-së, pronare dhe drejtoreshë menaxhuese e të cilës është Flaka Surroi.
Ndërkohë, mbi themelin e informimit të saktë e gjithëpërfshirës skema programore e televizionit ka forcuar ngjyrat e mozaikut të emisioneve.
Rrugëtimin e KTV-së e kujton më së miri stafi që ishte aty para themelimit, por edhe ata që nisën e u rritën me të.
Ymer Mehmeti i është bashkuar KOHËS në vitin 1995, në revistën javore, atëkohë shef i Kontabilitetit.
“Unë kam filluar në KOHË në vitin 1995. Ka qenë gazeta javore. Mandej në vitin 1997 ka qenë gazeta ditore. Kam qenë pjesë e KOHËS edhe në Maqedoni gjatë kohës kur e kemi shtypur gazetën atje, do të thotë jam tash punëtori më i vjetër në KOHË. Projekti i televizionit pas luftës, pasi jemi kthyer, ka vazhduar me shkrimin e gazetës, mirëpo pronarët kanë marrë edhe hapa të mëtutjeshëm për televizionin, kështu që tash televizioni po i mbush 24 vjet”, thotë Mehmeti. “Arsyeja e parë ka qenë respekti ndaj punëtorëve, se ne në lëmin e financave kemi punuar shumë dhe kemi punuar edhe për kompani të ndryshme, mirëpo për ta respektuar punëtorin dhe për t’ia ditur vlerën, unë nuk kam parë në asnjë vend tjetër. Kjo ka qenë arsyeja pse kam vazhduar”.
Në periudhën kur KTV-ja nisi rrugëtimin e saj për të lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës, karrierën si gazetare e nisi edhe Mimoza Koprani-Muçaj.
“Kur je gazetare në terren, secilit njeri puna e tij i duket më e vështirë, në kuptimin se të duket se gjithkush po e kryen punën e tij më lehtë. Nuk është e lehtë të jesh gazetar terreni aspak, posaçërisht kur ne kemi filluar në vitin 2000, kur po zhvillohej fushata e parë elektorale, kur polarizimi politik ka qenë më i egër sesa është tash. Atëherë ka qenë shumë sfiduese të jesh gazetar terreni, natyrisht edhe redaktor, edhe pozita prej kryeredaktorit, për shumë vjet sa e ushtroja, nuk ka qenë aspak e lehtë. Tash, autore e emisionit, është më ndryshe, kur ke një përvojë të gjatë në këtë fushë, gjithçka të duket më e lehtë, gjithçka vjen më natyrshëm”, thotë Koprani-Muçaj. “Natyrisht që kjo ka plot komplikime nganjëherë të minutës së fundit, por unë besoj dhe konsideroj që puna e gazetarit në terren është më sfiduesja, andaj i vlerësoj dhe çmoj shumë ata gazetarë që punojnë në terren dhe vrapojnë pas lajmit”.
Pavarësisht sfidave gjatë këtyre dy dekadave, ajo thotë se gazetaria ka pësuar ndryshime kohëve të fundit.
“Kur kemi filluar ne, kemi pasur kamera të rënda, 12-13 kilogramë, kemi pasur ato kasetat e mëdha, me pajisjet e mëdha është dashur të punosh në mënyrë manuale dhe nuk kemi pasur telefona ‘smartphone’ për ta siguruar komunikimin. Ka qenë komunikimi më i vështirë, kanë qenë arritja dhe ngjarjet më sfiduese, gjithçka ka qenë më e komplikuar”, thotë Koprani-Muçaj. “Tashmë gazetaria është transformuar krahas transformimit të teknologjisë që ka ndodhur, por, siç e thashë, ka pësuar transformim të madh, por është bërë shumë më sfiduese, se sot të bësh gazetari të mirëfilltë, në kuptimin që përballemi me fluks shumë të madh të informacionit që shumë shpesh është i pavërtetë, informacion që vjen nga burime të pakonfirmuara, pastaj edhe është sfidë më vete për gazetarin t’i verifikosh të gjitha të dhënat që grumbullon gjatë ditës”.
Fytyra e zëri i parë që do ta haste kushdo që i drejtohej KTV-së ishte Yllka Pacolli-Berisha. Nga recepcioni ajo kaloi në Marketing, por kujtimet megjithatë ia kanë krijuar qytetarët e zakonshëm.
“Në fillim punoja në recepsion në pranimin e telefonatave dhe në atë kohë kishte shumë dinamikë. Qytetarët kanë telefonuar për çdo ankesë, saqë më kujtohet dikush që thërret në telefon dhe thotë: ‘Të lutem dërgoni një ekip se më është prishur gypi i ujit dhe më ka hyrë uji në banesë’. M’u qesh e thashë: ‘Pse nuk e ke telefonuar ujësjellësin por neve’”, tregon Pacolli-Berisha. “Kjo do të thotë që qytetarët kishin besim në KOHËN pasi kjo gjithmonë e ka ruajtur idealin dhe synim e ka pasur informimin e saktë dhe të paanshëm”.
Por më sfidues është sigurimi i së vërtetës përmes videove.
Shemsi Igrishta ishte njëri ndër të parët në KTV që mori në dorë kamerën për t’i xhiruar në kohë reale ngjarjet e për ta dokumentuar historinë.
“Kam filluar në mars të vitit 2001, televizioni ka filluar në shtator të 2000-s, domethënë 6 muaj pas fillimit të transmetimit në televizion. Është një punë sfiduese, një punë normal që e kemi dashtë edhe e duam hala, se mos me dashtë nuk kishim qëndruar 24 vjet. Nuk i japin llogari askujt, në momentin që e kuptojnë që je në KTV, ndryshon qasja. KOHA e ka bërë të veten, prej vitit 2015 e këndej, më herët ka qenë më ndryshe”, thotë Igrishta. “Si kameramanë, si gazetarë kompania “KOHA” ka qenë dhe është shkollë e gazetarisë ku shumë njerëz kanë kaluar nga këtu. Kompania “KOHA” e mban atë ritmin e vet, besueshmërinë e vet, pëlqyeshmërinë, kështu që kjo na ka bërë edhe të mbesim në KOHË dhe shpresoj që të vazhdojë jetëgjatësia e kompanisë KOHA”.
Pamjet që kameramanët e KTV-së kanë xhiruar janë përdorur edhe nga media kombëtare, por edhe ato ndërkombëtare.
E arritja për t’i kapur ato pamje ngërthen më vete sfida të shumta, ka thënë kameramani Atdhe Muriqi.
“Kjo ka qenë sfidë, tjetra është edhe në fshatin Tanushë të kufirit me Maqedoninë. Ka qenë zonë e minuar dhe ne kemi ecur për një shteg në të cilin na printe një ushtar i UÇK-së. Ai na udhëzoi në cilën pjesë me ecë, përndryshe binim në mina. Dy-tre orë kemi ecur me gazetarin Plator Avdiu. Ka qenë ekskluzive, për shkak se askush nuk e ka bërë këtë. Ato pamje që i kemi bërë ne i kanë marrë edhe mediat e tjera të huaja. Ka qenë shumë ekskluzive”, tregon Muriqi.
Para çdo terreni puna nis në këtë sallë. Këtu merr formë krejt ajo që e sheh audienca e ku sigurohet që secili produkt ta marrë vulën e cilësisë së KOHËS.
Janë kryeredaktorja Brikenda Rexhepi dhe zëvendëskryeredaktori Elmaz Isufi që e udhëheqin atë.
Përveç ngjarjeve e temave që lidhen me politikën, ekonominë, drejtësinë, arsimin dhe shëndetësinë, kultura dhe arti zënë një hapësirë të gjerë në identitetin e KOHËS.
Gazetari Shaban Maxharraj tash e 11 vjet përcjell ngjarje kulturore. Raportimet e tij janë shpërblyer me çmime gazetareske.
“Krejt në fillim jam përcaktuar që të jem gazetar në redaksinë e Kulturës dhe asokohe redaksitë e Kulturës nëpër media kanë qenë pak më të zhvilluara se që janë tash. Duhet të përmendim që grupi KOHA është i vetmi që ka njëmend redaksi të Kulturës, ku janë disa gazetarë, që ka producent dhe redaktor të Kulturës. E kjo pa dyshim që është një vlerë shumë e shtuar sa i përket kompanisë ku punojmë pasi, mbi të gjitha, kultura është edukim për masa”, thotë Maxharraj. “Sot shtëpitë mediake e kanë vështirë ta mbajnë gjallë redaksinë e Kulturës për faktin se mediat kanë edhe rol edukues për masa dhe kultura dhe arti janë në interes të publikut për ta transmetuar atë se çka ndodh në fushën e kulturës dhe artit”.
Kohavisioni udhëhiqet nga standardet e larta në tërë skenën programore.
Këtë e potencon zëvendësproducentja Edona Bekteshi-Shala.
“Edhe pas kaq shumë vjetësh KOHA vazhdon ta mbajë standardin e lartë të emisioneve, që janë pjesë e skemës programore, pavarësisht se kjo është mjaft e vështirë për ne, sidomos viteve të fundit për shumë arsye. E një ndër to është edhe interesimi i masës së gjerë, por pavarësisht kësaj, për ne është e rëndësishme shumë që të ofrojmë përmbajtje që është në interes të publikut të gjerë”, thotë Bekteshi-Shala. “Skema programore është e shumëllojshme, i përmbush besoj të gjitha nevojat e kategorive të ndryshme, nga fëmijët e deri te të moshuarit”.
Skema programore nis me emisionin e mëngjesit “Sot”. E gjatë ditës, shikuesit kanë mundësi të ndjekin edhe emisione të tjera me karakter informativ, edukativ, argëtues e sportiv.
Angazhimi e përkushtimi i redaksisë për të sjellë raportime në kohë reale, të verifikuara e të bazuara në fakte, është vlerësuar nga qytetarët.
Ora 19:00 është shndërruar në rutinën e pandashme ditore për qytetarët.
“Lajmet i kanë korrekte, nuk anojnë kah politika, ato më pëlqejnë më shumë”, thotë një qytetar.
E të tjerë thanë së KTV-në e kanë përcjellë që nga fillimi i transmetimit.
“Bukur shumë e përcjell. Ka emisione shumë të mira. KTV-në e kam përcjellë prej kur është hapur. I uroj suksese të mëtutjeshme, sepse me të vërtetë është real”, ka thënë një qytetar tjetër.
Madje, disa prej tyre thonë se presin orarin për fillimin e lajmeve të mbrëmjes.
“Lajmet e KTV-së i vlerësoj lart, çdoherë me vullnet i përcjell, e pres orën e caktuar kur prezantohen lajmet e KTV-së. Për çdo lavd janë, sepse e prezantojnë dokumentacionin në mënyrë shumë të qartë”, ka thënë një nga shikuesit.
24 vjetët e “KOHËS” i ka vlerësuar edhe kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave, Jeton Mehmeti.
“Pa dyshim që KOHA është njëra prej televizioneve të para në Republikën e Kosovës dhe natyrisht njëri prej të licencuarve të parë të KPM-së, duke qenë se KPM-ja ka mbi 200 televizione të mediave të ndryshme televizive dhe radio. KOHA është prej të parëve dhe natyrisht gjatë kësaj kohe prej kur mban licencën, mund të vlerësojmë se KOHA ka qenë njëri prej televizioneve që ka respektuar në përpikëri rregullat dhe obligimet që ka ndaj KPM-së, dhe këtu në radhë të parë është për respektimin e kodit të etikës, që nënkupton informim të saktë, të balancuar, të paanshëm, në kuptimin e plasimit të informacioneve ndaj publikut”, thotë Mehmeti. “Po ashtu kjo nënkupton edhe obligimet e tjera administrative që KOHA i ka kryer gjithmonë me rregull ndaj KPM-së dhe mund të themi që si televizion e ka përmbushur misionin e tij, për çfarë mban licencën edhe në KPM”.
Në një epokë ku media është në luftë për klikime, kryeredaktorja Brikenda Rexhepi tregon rëndësinë e ruajtjes së etikës së gazetarisë.
“Që nga themelimi i KOHËS ne kemi qenë çdoherë të përkushtuar që lexuesve, audiencës sonë, t’u ofrojmë informata kredibile, të pavarura e gjithëpërfshirëse. Këtë e kemi mbajtur gjatë gjithë viteve, kemi krijuar një besim tek audienca jonë, të cilën duhet ta mirëmbajmë, dhe e mirëmbajmë për çdo ditë, dhe, duke qenë të pavarur, duke qenë profesionalë, duke vazhduar që ta respektojmë kodin e etikës në mënyrë të vazhdueshme”, ka thënë Rexhepi.
KTV-ja mbetet kanali ku lajmi është përherë i vërtetë.