Dy dekada pas përfundimit të luftës me Serbinë ende nuk është zgjidhur fati i të zhdukurve. Shteti i Kosovës për tërë këtë periudhë nuk ka krijuar ndonjë platformë publike me informacione të qasshme për këta persona. Kjo, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, ka bërë që shpesh të ketë mospërputhje të të dhënave të përdorura nga studiuesit apo qytetarët. Komisioni Qeveritar për të Zhdukurit thotë se është duke punuar për krijimin e një platforme të tillë
Çelësat që simbolizojnë të zhdukurit gjatë luftës dhe rrëfimet e familjarëve të tyre tash e tre vjet zënë vend në një nga korridoret e Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, asnjë informacion rreth numrit të të pagjeturve apo identitetit të tyre nuk është i qasshëm për qytetarët. Kjo pasi 22 vjet nga lufta as Kuvendi, as Qeveria e as ndonjë institucion tjetër shtetëror nuk kanë ndonjë platformë publike me këso të dhënash.
Komisionit qeveritar për të zhdukurit, i cili funksionon në kuadër të faqes së Zyrës së kryeministrit ka të publikuara informacione vetëm për mënyrën e funksionimit të tij.
E, një databazë e tillë e qasshme nga të gjithë është e domosdoshme sipas kryetares së Komisionit Parlamentar për të Pagjeturit, Duda Balje.
“Platforma është shumë e rëndësishme... E di se është pyetje pak sensitive dhe nuk mund t'i ndash personat në bazë të nacionalitetit apo gjinisë, por prapëseprapë është pyetje shumë serioze dhe ne duhet të ulemi karshi Serbisë dhe të flasim me fakte, me emra, numra”, vlerëson Balje.
Mungesa e kësaj platforme për kaq kohë, sipas Amer Alijajt nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovës tregon neglizhencën e institucioneve ndaj kësaj teme.
“Nuk ka pasur ndonjë mospërputhje të madhe, por gjithmonë shpesh edhe burimet nga gazeta janë thirrur në burime të ndryshme nga organizata të tjera, të cilat kanë pasur mospërputhje edhe me të dhëna nga Kryqi i Kuq”, thekson Alija.
Por, kryesuesi i ri i Komisionit Qeveritar, Andin Hoti, thotë se këto të dhëna së shpejti do të bëhen publike.
“Ne tash jemi duke punuar, nuk i përmendi emrat e cilave institucione derisa të realizohet, por disa organizata ndërkombëtare po na japin një donacion që është uebfaqe që pastaj informata të caktuara do të jenë të qasshme për publikun”, ka thënë Hoti.
Hoti ka treguar se Komisioni vepron mbi një databazë të brendshme, në të cilën kanë qasje vetëm institucionet dhe familjarët e të zhdukurve.
E, Alijaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë kërkon që platforma të përmbajë të gjitha informacionet elementare të të zhdukurve, me përjashtim të atyre që vlerësohen të ndjeshme.
“Së paku të ekzistojnë të dhënat personale: Emri, data e lindjes, vendi ku ka ndodhur krimi dhe gjëra të ngjashme që mund të ndahen me publikun”, ka sugjeruar ai.
Numri i personave të zhdukur nga lufta e fundit mbi 1 mijë e 600.