Arbëri

22 vjet

Foto: Driton Paçarada / KD

Shqiptarët e pushtuar po lexonin një gazetë të lirë në mëngjesin e 31 marsit 1997 gjithandej Kosovës. Paqes së brishtë po i vinte era luftë. Së pari duhej ta vrisje frikën brenda vetes, që pastaj me forcën e penës ta sfidoje argumentueshëm pushtimin policor e ushtarak serb. Me faktet në bosht të çdo shkrimi, mori udhë marshimi i “Kohës Ditore” me numrin 0 – që do të shpërndahej falas tri ditë me radhë – me gjashtëmbëdhjetë faqe gazetë. Zeroja simbolizonte një kthesë të madhe. Ajo zero do të bëhej gur themel i revolucionit të gazetarisë moderne në Kosovë. Revolucioni medial po reflektonte gjithëmbarshëm.

“Një devijim historik? Varet nga këndvështrimi”, sikur do të vlerësonte dhjetë vjet më vonë themeluesi dhe kryeredaktori i parë i “Kohës Ditore”, Veton Surroi. “Koha Ditore” vazhdon të ketë edhe sot ndikimin e njëjtë. Ende pa festuar njëvjetorin, ndikimin do t’ia legjitimonin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Andej, kah sytë i kishin kthyer krejt shqiptarët. Në kërkim të shpresës.

Dhe më 9 mars 1998, emisari special i SHBA-së për Kosovën, Robert Gelbard, ia nxori Slobodan Milosheviqit para hundëve fotografitë e masakrës në Prekaz, të shkrepura nga “Koha Ditore”. Po ia faktonte se si forcat e tij në fushatën ndëshkimore vranë në Prekaz 52 shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe 12 fëmijë, 13 gra dhe pesë pleq. E vërteta e dokumentuar nga gazetarët e fotoreporterët e “Kohës Ditore” nga vatrat e luftës po merrte dhenë. Gazeta e kishte fituar tashmë besimin e lexuesve të Kosovës. Por shumë shpejt do të bëhej adresa e parë në Kosovë për gazetarë, diplomatë e aktivistë ndërkombëtarë. Ata ia mësynin redaksisë ditën e natën për ta pasqyruar gjendjen në Kosovë. E vizitojnë edhe sot. Një trashëgimi e bazuar mbi të vërtetën kokëfortë. Themelet, një projekt që i la pa gjumë gazetarët dhe redaktorët deri në mëngjesin e 31 marsit 1997 për t’ia zbardhur botës të vërtetën për tmerrin serb në Kosovë. Gazeta kurrë nuk hoqi dorë prej parimeve të gazetarisë moderne ndërkombëtare – sidomos të asaj amerikane.

Numri i parë, “me ndjenjën e ngritjes në qiell”

Për kryeredaktorin e tanishëm, Agron Bajrami, zbardhja e ditës së 31 marsit 1997, “e përcjellë me ndjenjën e ngritjes në qiell”, ishte një prej “atyre aventurave të rralla, të cilat nuk ka si të përsëriten brenda një cikli të jetës”. Bajrami kujton se si shumëkush i shihte si një grusht të rinjsh “të çmendur, që nuk e kuptojnë si funksionon bota dhe si pasojë iu futën një aventure utopiste”. Por bota po ndryshonte dhe ndër të parët ogure që paralajmëruan ndryshimin e madh në historinë e shqiptarëve ishte nxjerrja e së përditshmes “Koha Ditore”, në “kundërshtim me ligjet që vlenin për shoqërinë kosovare të asaj kohe”, kujton Bajrami. Marshimi vazhdon.... Por si nisi?

“Do ta bëjmë një gazetë ditore”, ishte fjalia me të cilën rifilloi puna në redaksinë e revistës së përjavshme “Koha” qysh nga mesi i vitit 1996. Për herë të parë kishte dalë nga 26 shtatori 1990 deri më 12 qershor 1991, kur do të botohej numri 26 i saj. Redaksia e re e revistës rinis punën në shkurt 1994, bashkë me versionin e shkurtuar anglisht “KOHA Digest”, nën përkujdesjen e Flaka Surroit, dhe me hapjen e shtypshkronjës “KOHA Print”.

Shumica e atyre që po dëgjonin Veton Surroin teksa i thoshte këto fjalë në mes të vitit 1996, hamendësonin nëse redaksia kishte kapacitetet e mjaftueshme për t’iu përvjelë projektit për kthimin e së përjavshmes në të përditshme, kujton drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi, në monografinë e dhjetëvjetorit të gazetës, “10 vjetët e parë”.“Të gjithë që punonin në revistë, kush më shumë e kush më pak, kishim tashmë një përvojë të bollshme në gazetari. Çështja ishte se revista dilte një herë në javë, pra edhe ritmi i përgatitjes së revistës rrënjësisht ndryshonte nga formati i punës në një të përditshme”, vlerëson Flaka Surroi.

Thyerja e shabllonit“të së vërtetës së vetme”

Për themeluesin Veton Surroi, në kohën kur – sikur shkruan ai - paqen e kishte pushtuar lufta dhe shqiptarët pësuan thyerje të madhe shoqërore në aparteid, politika e Kosovës dominohej nga “një Lider dhe një lëvizje politike që identifikohej me të”. I referohet LDK-së së pacifistit Ibrahim Rugova, i cili në aspektin medial, aktivitet më të madh i kishte konferencat e përjavshme të së premteve, ku përsëriste kërkesën predikuese për “Kosovën shtet të pavarur, të hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë”. Edhe atëherë kur Slobodan Milosheviqi, i njohur nga mediat ndërkombëtare si kasapi i Ballkanit, nisi të masakronte fëmijë, gra e pleq në Kosovë, pasi kërdi kishte bërë në Bosnjë. Botës i kërkohej të parandalohej “Bosnja e dytë në Kosovë”.

“Informatën në gjuhën shqipe në masë të madhe e kishte pushtuar injoranca, apo, me efekt e peshë të njëjtë, propaganda e Qendrës për Informim e Kosovës, në shërbim të Liderit, dhe e transmetuar në gazetën ‘Bujku’ dhe emisionin satelitor të RTSH-së”, kujton Surroi në “Një devijim nga historia”. “Një popull i tërë, i pushtuar nga ndrydhja e pushtimit, e ngecjes dhe e sundimit të mediokritetit. Të dalësh me një gazetë ditore, e cila nuk do t’i nënshtrohej këtij realiteti, do të ishte të mohosh ecjen lineare të historisë, të thuash arsyeshmërinë historike”, shkruan ai, duke shtuar: “Një popull i tërë u rreshtua pas një të Vërtete dhe Një Lideri, në konfrontim historik kundër pushtimit. Dhe, ngjarjet duhet t’i përshtateshin të Vërtetës, jo anasjelltas”. “Koha Ditore” do ta thyente shabllonin e gjeratëhershëm të gazetarisë në Kosovë.

Duhej një përmbysje e njëmendësisë, siç do ta vlerësonte Valbona Mehmeti, tash zëvendëskryeredaktore, atëherë gazetare e re, që kishte ndjekur kursin disajavor para se të dilte numri i parë “Kohës Ditore”. Ajo thotë se as që i kishte shkuar ndërmend se dymbëdhjetë të rinj e të reja të papërvojë, por entuziastë, do të shndërroheshin shumë shpejt në zërin më të qartë të së vërtetës në Kosovën në prag të luftës.

“E për ta thënë këtë të vërtetë ishte shumë e vështirë. Në radhë të parë, duhej të sfidonim njëmendësinë e atëhershme gazetareske, mandej atë më të vështirën - njëmendësinë politike. Dyert na përplaseshin para hundëve kur kërkonim deklarata nga institucionet e dominuara nga LDK-ja, na nxirrnin nga zyrat me të shara pse po ua transmetonim në gazetë deklaratat e të intervistuarve pa i ‘grimosur’, siç bëhej deri atëherë në gazetarinë kosovare”, thekson Mehmeti. “Madje, shkonin aq larg sa na quanin spiunë të Serbisë. ‘Si po e lejon vajzën të punojë në atë gazetë’, kështu i pati thënë një bashkëpartiak babait tim, atëherë anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së”.

“Si gëzimi i pritjes së fëmijës së parë”

Nehat Islami, ish-korrespodent lufte i “Rilindjes” në Lindje të Mesme, thotë se “Koha Ditore” nisi punën me një ekip të rinjsh entuziastë që po shkruanin shkrime sipas standardeve të gazetarisë moderne. “Kështu që, ‘Koha’ dëshmoi për një kohë të shkurtër se dëshiron të prodhojë gazetari të mbështetur mbi fakte dhe sipas parimeve të larta dhe etikës së gazetarisë”, thekson Islami, i cili kishte bashkëpunuar prej fillimit me revistën “Koha”.

Analisti Belul Beqaj thotë se në terrin e krijuar nga manipulimi propagandues i regjimit serb, një çikëz drite ishin disa media nga republikat e tjera, veçmas Kroacia dhe Sllovenia, siç ishin mediat “Veçernji list”, “Danas”dhe “Dello”.

“Ndërsa revista ‘Koha’ në rrethana të kontrollit medial orvellian ishte ushqimi dhe orientimi më i rëndësishëm informativ dhe shpirtëror për shqiptarët të rrethuar edhe nga kontrolli medial i regjimit serb”, thekson Beqaj, duke e krahasuar botimin e revistës “Koha” me gëzimin e pritjes së fëmijës së parë.

“Me shumë ngazëllim, shpresë, interesim dhe frikë se a mos vallë, qysh nesër, të mos mbyllet nga ata që i privuan shqiptarët nga të gjitha të drejtat?! Besoj se njerëzit e medieve e kanë pasur shumë më vështirë sesa njerëzit e zakonshëm, ngase ata si profesionistë i kanë ndier shumë më rëndë pasojat e manipulimit medial të regjimit serb dhe pamundësinë e tyre për t’i kundërshtuar ato tendenca manipuluese propaganduese luftënxitëse”, shton Beqaj, i cili ishte një prej bashkëpunëtorëve të revistës “Koha”. Shkrime i ishin botuar edhe nëpër revistat e gazetave jugosllave që u jepnin hapësirë mendimeve që ndryshonin krejtësisht prej qasjes së mediumeve serbe.

“Lexuesit duhet të kuptojnë se ambienti medial ka qenë unik. Kosova ka qenë ndoshta ambienti më i vogël medial jugosllav ku është manipuluar më së shumti për shkak të skenarit që u realizua më vonë. Por, do të them diçka që ata që janë të prirë të vlerësojnë realitetin objektiv vetëm nga kuti personal, nuk do të pajtohen... Deri kah vitet 1987, një pjesë e mediave antimilosheviqiane kanë krijuar hapësirë të reflektojnë realitetin objektiv dhe synimet e pushteteve të pakonsoliduara, por me ambicie nacionaliste dhe hegjemoniste”, thekson Beqaj. “Fjala bie, unë në vazhdime kam publikuar në ‘Nasha Borba’, ‘Vreme’,”Nezavisna’, ‘NIN”... tekste dhe intervista të ndryshme, fejtonin për inteligjencien kosovare, marrëdhëniet shqiptaro-serbe, tema nga aktualiteti ... Ndërsa, në anën tjetër, më 1989, teksti im i botuar në “Rilindje” me ndihmën e Vetonit, me titullin ‘Heshtja e zëshme e inteligjencies kosovare’ shërbeu si shkas për diferencimin tim ideopolitik, që ndodhi pas disa muajve’, tregon Beqaj, i cili do të jepte dorëheqjen nga posti i kryetarit të Shoqatës së Politikologëve të Kosovës në prani të presidentit Rugova. Përshkruan edhe qasjen e LDK-së ndaj atyre që nuk mendonin njëjtë sikurse Rugova.

“A është Drenica në Kosovë?”

“QIK-u, pikërisht ka qenë një qendër e informimit që i ndau qytetarët e partisë nga ‘lëvizja’. Dinamika e ngjarjeve ishte shumë më e madhe karshi mundësive për t’i përfshirë në reflektim. Veçmas, disa mes të cilëve isha edhe unë, synonim që LDK-ja të mos shndërrohej në LKK, ndërsa përpjekjet e tilla trajtoheshin, pikërisht nga bashkëpunëtorët e ish-presidentit Rugova, si ‘përpjekje për të kthyer komunizmin dhe autonominë’”.

Beqaj nuk e di, por beson se në numrin e parë ose të dytë të “Kohës Ditore” kishte botuar kolumnen “A është Drenica në Kosovë”. Por e di fort mirë se interesimi dhe reagimet kanë qenë të jashtëzakonshme, meqë kishte lëvizur nëpër zona të ndryshme të luftës si gazetar i lirë.

“Botimi i përditshëm i ‘Kohës Ditore’ i ka gëzuar të gjithë, pos disa zyrtarëve të QIK-ut, ngase filloi të kuptohej shumë më objektivisht gjendja reale. Shterpësia e LDK-së, në njërën anë, dhe nevoja për aktivizimin, ngase durimi nuk ishte virtyt nëse nuk dëshmohej edhe gatishmëria për veprim”, thekson Beqaj.

Nehat Islami, veterani i “Rilindjes”, që do të raportonte gjatë viteve shtatëdhjetë nga lufta civile në Liban, thotë se “Koha Ditore” po njoftonte opinionin e brendshëm dhe të jashtëm për gjithçka që po ndodhte në Kosovë, duke ofruar pikëpamje të ndryshme për të njëjtën çështje.

“Më kujtohen gazetarët e rinj që punonin me orë të tëra. Ata kanë fituar shumë edhe nga gazetarët e huaj me të cilin dilnin në vendin e ngjarjes”.

Valbona Mehmeti ishte vetëm njëra prej anëtarëve të një ekipi të rinjsh që do të zgjerohej. Ata dilnin në terren vetëm apo me gazetarë e monitorues të huaj nëpër të gjitha zonat e luftës për ta pasqyruar gjendjen. Pasqyroheshin edhe demonstrata studentore dhe protestat mbarëpopullore kundër dhunës serbe. Edhe për aksionet e ndryshme simbolike, si “Varrosja e dhunës”.

Kosova - vendi ku nata e ndërron pushtetin…

Të premten e 21 nëntorit 1997, në mbledhjen e redaksisë, “shorti” u ra dy gazetarëve të rinj të “Kohës Ditore” për të shkuar e për të raportuar “për varfërinë” në Drenicë. Nebi Qena dhe Garentina Kraja ishin dy nga stafi prej rreth 20 gazetarësh që bëheshin bashkë në redaksi – për gjashtë ditë në javë - për të përkthyer materiale nga agjencitë botërore të lajmeve dhe të rajonit, për të monitoruar mediat që nga ora 09:00 e mëngjesit e shpesh deri në mesnatë, aty-këtu për të shoqëruar gazetarët e huaj dhe të rajonit nëpër terren, që në atë kohë kishin nisur të shtoheshin në Prishtinë, si dhe për të përcjellë konferencat e Rugovës, konferencën javore të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), dhe së fundit edhe konferencën javore të Adem Demaçit, apo edhe ndonjë vizitë ad-hoc të ndonjë zyrtari perëndimor në Prishtinë.

Qena dhe Kraja me shpresë do të kalonin një natë në Drenicë - sipas propozimit të redaktorit - duke përcjellë situatën atje dhe duke raportuar për “varfërinë” që kishte pllakosur rajonin. Ajo që dinin redaktorët, të cilët i caktonin gazetarët në detyrë të tillë, nga gazetarët vetëm mund të merrej me mend! “Mjerimi nën mbulesën e pushtimit”, mbante titullin reportazhi nga Obria dhe Rezalla, fshatra në rajonin e Drenicës, shkruar nga gazetarët Qena dhe Kraja, dhe i botuar në gazetë, më 23 nëntor 1997.

Adem Meta ishte korrespondenti i parë i gazetës “Koha Ditore”, i cili kishte parë për së afërmi fillimin e asaj që jo shumë kohë më pas do të shndërrohej në luftë.

“Ai ishte dëshmitar okular në betejën e parë frontale në mes të UÇK-së dhe forcave serbe, më 26 nëntor 1997, në Rezallë të Re. Atij më vonë i ishin bashkuar edhe redaktorët Baton Haxhiu dhe Ardian Arifaj, të cilët kishin shkuar atje pas marrjes së njoftimeve të para për konfrontimin dhe teksti i ballinës së gazetës të nesërmen mbante titullin: ‘Dikush ka luftuar në Ludeviq’”, thuhet në monografi.

“E kemi përcjellë ngjarjen nga afër aq sa ka qenë e mundur. Gjatë gjithë kohës helikopterët fluturonin mbi vendin e ngjarjes, kurse vendi i betejës nga të gjitha anët ishte rrethuar me postblloqe policore, dhe ne ishim zmbrapsur dy herë në tentativën tonë që të shkonim atje. Pas orës 15:00 vërejtëm disa lëvizje të forcave serbe në drejtim të Skenderajt”, kujton njëri ndër korrespondentët më të vjetër të gazetës, Adem Meta, ditën e 26 nëntorit në Rrezallë.

Rrëfimi vinte një natë pasi që policia serbe në aksione të ndryshme në Skenderaj, Likovc e Llaushë, por edhe Vojnik e Brojë - kishin sulmuar vendbanimet, duke lënë pas të plagosur një fëmijë 11 vjeç, si dhe dy mësimdhënës - Shaban Rrecin dhe Halit Gecin. Një ditë më pas shtetrrethimi kishte ndodhur edhe në rajonin e Dukagjinit me rrethimin e fshatrave Isniq, Glloxhan, Lumbardh dhe me vrasjen e Ismet Gjocajt. Në këtë ditë raportohej edhe se nga plagët e rënda ka vdekur mësuesi Halit Geci.

Dalja e UÇK-së nga ilegaliteti

Më 28 nëntor 1997, në varrimin e Halit Gecit marrin pjesë rreth 30 mijë qytetarë nga anë të ndryshme të Kosovës. Me atë rast për herë të parë shfaqen publikisht edhe tre pjesëtarë të UÇK-së me maska. Në edicionin e saj të 1 dhjetorit 1997, “Koha Ditore” mbante titullin në ballinë: “UÇK: Dalja nga ilegaliteti?”, dhe shkruante se me fjalimet e tyre, tre pjesëtarët e UÇK-së ndërruan kahun e busullës politike në Kosovë. Tri ditë më vonë, më 3 dhjetor 1997, gazeta mban në ballinë citatin e ish-kryetarit të ndjerë, Ibrahim Rugova, i cili hidhte poshtë të gjitha këto dhe thoshte se: “Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ekziston”. Po në atë ballinë Fehmi Agani i ndjerë, duke nxjerrë më tepër se çdoherë në pah dallimet konceptuale tashmë të thella brenda LDK-së, pohonte: “Fakti i ekzistimit të UÇK-së më nuk mund të injorohet”.

Më 8 janar 1998, në ballinën e gazetës ishte cituar Robert Gelbard me deklaratën e famshme të tij: “Nëse flisni me 10 shqiptarë merrni 12 mendime të ndryshme”. Ai më vonë do ta shpallte UÇK-në organizatë terroriste për t’u sprapsur pastaj tërthorazi se “në listën e zezë amerikane nuk konsiderohej organizatë terroriste”.

Gazetari Meta do të sillte intervistën ekskluzive të Adem Jasharit pas sulmit të sprapsur serb të 22 janarit të vitit 1998 kundër Jasharëve. Katër ditë me radhë nuk do të largohej nga shtëpia e dhëndrit Ahmet Hasi në Skenderaj, duke raportuar për “Kohën Ditore”, për luftimet që ishin zhvilluar tri ditë me radhë nga 5 marsi 1998 kundër Jasharëve. Madje do të mbërrinte të vinte kontakt telefonik paraditen e 5 marsit me një grua të njërës prej shtëpive të Jasharëve, që po i përgjërohej të kërkonte ndihmën e ndërkombëtare derisa forcat serbe po i shihte në oborrin e shtëpisë.

“Dritë që shponte edhe policinë dhe ushtrinë serbe”

Fred Abrahams ishte dërguar në terren nga organizata ndërkombëtare për drejtat e njeriut “Human Rights Watch”, me të shpërthyer lufta në Kosovë. Atë do ta shoqëronin gazetarët dhe fotoreporterët e gazetës. Në një rast i kishte kërkuar ndihmë Metës – i cili atëherë ishte zyrtarisht sekretar i Degës së KMDLNJ-së në Skenderaj, por raportonte pa iu publikuar emri në gazetë – pas rigrumbullimit të UÇK-së në Aqarevë, ka treguar të mërkurën Meta në një restorant në Prekaz.

“Gjatë epokës së Milosheviqit, Kosova ishte një vend i errët. ‘Koha Ditore’ ishte një dritë që shndriste. Dhe ajo dritë depërtonte në drejtim të policisë, ushtrisë, burgjeve dhe politikanëve, përfshirë edhe shqiptarët që udhëhiqnin apo ata që thoshin se udhëhiqnin. Për mua, si hulumtues i të drejtave të njeriut, gazeta ishte një udhërrëfyes esencial, që ndihmonte që rrëfimet e pashpresë t’i përcilleshin botës”, shkruan Abrahams në monografinë e gazetës.

Masakrat në Qirez e Likoshan në fund të shkurtit 1998 nxitën pakënaqësi të mëdha popullore me organizim të protestave në përkrahje të Drenicës. Do të mbuloheshin me dëshmi ekskluzive nga gazetari Avni Zogiani.

Në protestën e 2 marsit 1998 në Prishtinë, policia pati rrahur Ibrahim Osmanin, atëherë reporter i AFP dhe i “Zërit të Amerikës”, i cili do të punonte më pas në “Kohën Ditore”, por edhe Agron Bajramin, atëbotë redaktor i gazetës dhe tani kryeredaktor. Me atë rast policia pati rrahur edhe dy gazetarë të tjerë shqiptarë, Avni Spahiun, kryeredaktor i gazetës “Bujku” dhe Sherif Konjufcën, gazetar në Televizionin Shqiptar. Policia gjithashtu kishte hyrë në zyrat e “Kohës Ditore”, duke rrahur ata që ndodheshin në redaksi, midis tyre edhe drejtorin e gazetës, Luan Dobroshi, ndërkaq regjisori Fatos Berisha, i cili gjithashtu kishte qenë në redaksi atë ditë duke xhiruar protestën, në ikje prej policisë kishte kërcyer për xhami nga kati i dytë i ndërtesës dhe kishte thyer këmbën. Gazeta raportonte se pesë gazetarë ishin në gjendje të rëndë pasi ishin rrahur. Në protestë, teksa rrinin këmbëkryq afër njëri-tjetrit, ishin rrahur nga ana e policisë serbe edhe Veton Surroi, atëbotë kryeredaktor i gazetës, bashkë me Fatmir Sejdiun, ish-presidentin e Kosovës, pasi që policia me topa uji nuk kishte mundur t’i largonte fillimisht.

“Koha Ditore” guxon të shkruajë

Por nuk ka qenë vetëm segmenti i mbulimit të luftës ai që e bënte “Kohën Ditore” kreative dhe adresë të kërkuar. I ndjeri Ganimet Klaiqi, atëherë korrespondent i gazetës nga Komuna e Dardanës, nga ditët e para të botimit të saj, thoshte se gazeta po thyente klishetë e krijuara me vite të tëra. “Edhe ajo gazetë e vetme ditore që botohej, ‘Bujku’, dhe disa revista periodike që ekzistonin, me përjashtim të ‘Kohës javore’ dhe ‘Zërit javor’, po ruanin tablo të një mekanizimi, tashmë të sforcuar publik: pa prekur pasivitetin e brendshëm dhe elementet e tjera negative në shoqëri, nga frika se mos po dëmtohej nomenklatura politike e kohës”, thoshte Klaiqi. “Më kujtohet shumë mirë që të gjithë ata që kishin probleme i drejtoheshin ‘Kohës Ditore’. Madje, shumë shpejt ishte krijuar një frazeologji, si ‘Koha Ditore’ guxon të shkruajë”. Andaj, gazetës i drejtoheshin ata që pësonin nga klanet nëpër shkolla, nëpër parti politike, nëpër ndërmarrje, në marrjen e ndihmave, ata që rriheshin për armë a për kurrgjë hiç nga inspektorët serbë të sigurimit, ata që vuanin për bukën e gojës, etj.

“Me një fjalë, gazeta u bë si një institucion i qëndrueshëm, me të cilën gjykoheshin publikisht okupatori, por edhe keqbërësit apo përfituesit”, shprehej Klaiqi.

Kosova, jo Kosovo!

Bota po njoftohej shqip e anglisht për situatën e Kosovës në luftë. Njoftohej edhe nëpërmjet Radios KOHA – nëpërmjet shërbimit të BBC-së, agjencisë së lajmeve në anglisht, Arta, dhe edicionit anglisht në 16 faqe “KD Times”.

Karikaturisti Jeton Mikullovci krijoi personazhin shumë të dashur nga të gjithë “Willy the Verifier”.

“Willy i ngjante shefit të misionit të OSBE-së, William Walker, dhe në këndin e tij të gazetës për çdo ditë tregonte nga një situatë apo ngjarje të re që ndodhte në Kosovë”, kujton Brikenda Rexhepi, atëherë pjesë e ekipit të “KD Times”, tani redaktore në “Kohën Ditore”. Duke treguar se rregulli i parë për të gjithë, përshirë edhe Willyn, lidhej me emrin e Kosovës, “gjë që atij ia siguroi edhe privilegjin e ndërkombëtarit të parë që Kosovës i tha me ‘a’ dhe jo me ‘o’ në fund”.

Në gjashtë faqet e para të saj, “KD Times” mbuloi ngjarjet që ndodhnin si në fshatrat më të thella të Kosovës ashtu edhe në qendrat më të mëdha rreth zhvillimeve në Kosovë.

“Gazeta sillte çdo ditë lajme, reportazhe, intervista dhe analiza për luftën në Kosovë, për Konferencën në Rambouillet, diplomacinë në kryeqytetet e Grupit të Kontaktit, e shumë të tjera. Rubrika e rregullt ‘Kosova 24 hours’ ofronte një përmbledhje të hollësishme të informatave nga të gjitha rajonet e Kosovës për tmerret që i përjetonte popullata dita - ditës, për luftimet mes UÇK-së e forcave serbe, për lëvizjet dhe stacionimet e makinerisë policore - ushtarake serbe, dhe për zhvillime të tjera në terren”, shkruan Rexhepi, duke shtuar se përveç kësaj, struktura e gazetës përfshinte edhe rubrika të tjera si “Opinione dhe editoriale”, “Rajoni”, “Shoqëri dhe art”, “Bota”, “Sporti” dhe “Moda”.

Për afro tre muaj “KD Times” çdo ditë u ofroi lexuesve të vet nga 16 faqe gazetë në gjuhën angleze, në një tirazh prej 1.500 kopjesh.

“Ajo ishte tejet e popullarizuar në mesin e bashkësisë ndërkombëtare të asaj kohe në Kosovë dhe vlerësohej shumë si nga pjesëtarët e kësaj bashkësie ashtu edhe nga vendësit që e njihnin gjuhën angleze”, thotë ajo.

Gazetari britanik, Tim Judah, tregon në monografi se gazetarët e huaj do të shkonin në mal së bashku me gazetarët e “Kohës” apo me miqtë e tyre dhe do ta gjenin rrëfimin.

“Natyrisht, kjo ishte e pëlqyeshme edhe për KOHA-n. Gazetari shqiptar i dukej një përkthyes i thjeshtë policit serb, dhe KOHA e gjen rrëfimin e vet. Kështu e ka bota”, shkruan Judah.

Për “Kohën Ditore” flisnin Clintoni e Blairi

Për “Kohën” flisnin ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, e ish-kryeministri britanik, Tony Blair, kujton Augustin Palokaj, korrespodent i gazetës në Bruksel. Në kohën kur bota po paralajmëronte vendosmërisht ndërhyrje ushtarake kundër Milosheviqit, pasi edhe Walkeri do të deklaronte bujshëm nga Reçaku se Serbia po kryente krime kundër njerëzimit, ekipit të gazetës do t’i bashkohej me opinionet e tij analisti amerikan Janusz Bugajski. Në monografi ai tregon se si “Kohës” i kishte dalë nami edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e tjera aleate që do të ndryshonin më 1999 historinë e Kosovës.

“’Koha’ tashmë ishte shumë e njohur jo vetëm në Kosovë dhe në rajon, por edhe në SHBA si një gazetë e arsyeshme dhe e besueshme që sfidonte legjitimitetin e pushtetit represiv serb duke iu shmangur animeve të ngushta në politikën e Kosovës. Prandaj, kur më në fund takova redaktorët e “Kohës Ditore” në Prishtinë, pak para bombardimit të vitit 1999, nuk hezitova ta pranoja ofertën për t’u bërë kolumnist i rregullt”, shkruan Bugajski në shkrimin “KOHA është dashuri”, duke treguar kuptimin e fjalës së gjuhës së tij amtare, polonishtes, për dashurinë.

Augustin Palokaj dhe Beqë Cufaj, korrespodent nga Boni, do të raportonin hollësisht për takimet zyrtare dhe prapaskenat gjatë Konferencës së Ramboulletit në Francë, ku në fund delegacioni shqiptar do të nënshkruante marrëveshjen për t’i hapur rrugë bombardimit të caqeve serbe nga NATO-ja pasi Milosheviqi refuzoi marrëveshjen.

Beteja e humbur e Vuçiqit me “Kohën Ditore”

Më 20 mars 1999, presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, atëherë ministër i Informacionit i Milosheviqit, urdhëroi mbylljen dhe gjobitjen e gazetës. Madje ngriti edhe padi. Më 21 mars 1999, edhe pse e diel, bëhet dëgjimi i palëve në Gjykatën e Kundërvajtjeve në Prishtinë. “Koha Ditore” dënohet më 410 mijë dinarë, Baton Haxhiu si u.d. i kryeredaktorit me 110 mijë dinarë. Jepet afat 24 orësh për pagesën e dënimit, në të kundërtën gazeta mbyllet. Avokatët Bajram Kelmendi, Fazli Balaj dhe Bajram Krasniqi kundërshtojnë. Lënda nuk e përfundon procedurën. “Koha Ditore” nuk u zmbraps. Në mëngjesin e 24 marsit, “Koha Ditore” i bënte thirrje aleancës më të madhe ushtarake në botë: “NATO Air Just do it”. Në mbrëmje do të përflakej qielli i Kosovës nga bombat që si asnjëherë tjetër në histori tregonin se bota perëndimore e demokratike ishte në krah të shqiptarëve, në emër të së drejtës humanitare. Në redaksi po punohej nën jehonën e bombave. Bota po shtangej nga frika e kuptueshme se në tokë do të fillonte tmerri masiv i regjimit serb kundër shqiptarëve të pafajshëm. Megjithëse në ankth, shqiptarët po u gëzoheshin bombave të NATO-s. Gazetarët e huaj në Bruksel nuk po mund ta kuptonin gëzimin e shqiptarëve atë natë, megjithëse nëntë mijë prej tyre do të vriteshin e masakroheshin në shenjë hakmarrjeje nga forcat serbe gjatë 78 ditëve të bombardimeve të NATO-s.

Vrasja e Axhës Rexhë

Në redaksi “të çmendurit”, sikur shkruan Agron Bajrami, kishin përgatitur numrin e 25 marsit që nuk do të botohej për shkak se ishin thyer zyrat e gazetës nga policia serbe, e cila do ta vriste rojtarin e gazetës, Rexhep Ramadani, apo Bacën Rexhë, siç i drejtoheshin të gjithë. Regjimi serb do ta digjte deri në themel shtypshkronjën “KOHA Print”.

Bugajski kujton muajt dramatikë të pranverës së vitit 1999, kur nuk dihej asgjë për fatin e stafit të “Kohës”.

“Dëgjoja aq shumë thashetheme për fatin e keq të gazetës, zyrave dhe personelit, saqë kisha vendosur mos të besoja në to derisa të më lajmërohej dikush nga vetë ‘Koha’”, shkruan Bugajski.

“Koha Ditore” do të mblidhte anëtarët e stafit, refugjatë në Maqedoni, dhe më 26 prill do të dilte me numrin e parë pas shumë problemeve e pengesave të vëna nga autoritetet maqedonase për redaksinë e vogël në një hapësirë të ngushtë në Tetovë. Naser Miftari, atëherë zëvendëskryeredaktor, tregon në monografi se si pritej në radhë për një ekzemplar të gazetës nëpër kampet e refugjatëve në Maqedoni. Përshkrimi faktohet me fotografi. Do të nxirrej edhe edicioni për Perëndim, për diasporën shqiptare në ankth, së cilës i ishin këputur nga Serbia të gjitha kontaktet me familjarët në Kosovë. Palokaj kujton se si hyri me njësitet speciale britanike, të njohura si “Gurka”, në Kosovë më 12 qershorin e vitit 1999. NATO-ja po sillte lirinë përtokë pas bombardimeve ajrore. Kokulur po tërhiqeshin trupat e “kasapit të Ballkanit”. Kosovës ende i vinte era shkrumb nga toka e djegur dhe e vërshuar me trupa të karbonizuar të shqiptarëve të pafajshëm. Megjithatë, gëzimi ia kishte marrë përnjëherë anën mërzisë për humbjen e më të dashurve. Prapa kolonave të çlirimtarëve ndërkombëtarë po vërshonin refugjatët që s’i bënë hesap paralajmërimet e ndërkombëtarëve për të pasur kujdes nga fushat e minuara në Kosovën gërmadhë. Gazetarët e fotoreporterët iu kthyen terrenit, duke dokumentuar pasojat e luftës.

Cikël i ri dhune

Në liri do të fillonte një cikël dhune. “Koha Ditore” paralajmëronte kundër akteve fashiste. Po vriteshin serbë e shqiptarë në Kosovën nën sundimin e gjithkujt dhe të askujt. Dikush thirrej në emër të patriotizmit edhe për vrasje që kryheshin për hakmarrje personale a për hesape të ngushta. Disa komandantë që deri dje bashkë, ua kishin kthyer tytat e armëve forcave serbe, sot po vrisnin njëri-tjetrin me turli pretendimesh. Më së shpeshti, për tradhti kombëtare. Drejtësia, në të shumtën e rasteve, nuk do të vihej në vend. Nuk është vënë ende. Liderë politikë partish e komandantë famkëqij do të zgjidhnin odat në vend të gjykatave duke besatuar e përbe se kush gjuajti apo nuk gjuajti në pusitë ndërmjet bashkëluftëtarëve. Në luftë dhe në paqe. Gazeta mbulonte gjithçka me dëshmi pavarësisht kërcënimeve të vazhdueshme dhe plagosjes së gazetares Fatmire Tërdevci.

Bardh Rugova, ish-zëvendëskryeredaktor i “Kohës Ditore”, shkruan se deri pas përfundimit të luftës, pavarësinë e gazetës dhe të vërtetën duhej ruajtur nga një armik i armatosur.

“Tani, pavarësinë dhe të vërtetën po i ruanim nga miqtë. Kur lufta kishte marrë fund, lajme të tjera i mbushnin faqet dhe njerëz të ndryshëm kishin qejf që në ato faqe e vërteta e tyre të dominonte”, shkruante Rugova. “Pjesëtarë të UNMIK-ut, përfaqësues të partive politike kosovare, ish-luftëtarë, do ta kuptonin shpejt se faqet e kësaj gazete nuk do ta pranonin të vërtetën e askujt. E pranojnë vetëm të vërtetën e pastër. Gjithçka ashtu si ka ndodhur”.

Të gjitha lajmet, ashtu siç kanë ndodhur. Ndërsa vitet shkonin, mediume të tjera e kapluan Kosovën - shumë prej tyre duke e dhënë vetëm nga një anë të së vërtetës, kujton Rugova, i cili do të studionte përmbajtjet e gazetave të Kosovës së lirë për nevoja akademike si profesor universitar.

“Kjo do ta sillte në Kosovë një tjetër drejtim gazetarie - gazetarinë libertariane, të mbështetur në idenë se secili që ka një mendim mund ta shprehë, pavarësisht a është i saktë dhe i drejtë”.

Shkollë e re gazetarie

“Koha Ditore” nxori një brez të ri gazetarësh për tregun e Kosovës së lirë. Nehat Islami, ish-korrespondenti i “Rilindjes” nga vatrat e luftës në Lindje të Mesme, thotë se “Koha Ditore” ia doli të krijonte shkollën e vet të gazetarisë. “’Rilindja’ dhe ‘Koha Ditore’ kanë krijuar shkollat e tyre të veta të gazetarisë, dhe këto dy shkolla njihen edhe në teorinë e gazetarisë dhe janë shumë të rëndësishme në historinë e gazetarisë kosovare”, thekson Islami.

“Koha Ditore” vazhdoi t’i mbulonte ndryshe ngjarjet politike dhe shoqërore në Kosovën me sundim të brishtë të ligjit. Për spastrimin etnik dhe vrasjen e shqiptarëve nga Mitrovica veriore, kur strukturat ilegale serbe po vepronin para hundëve të paqeruajtësve francezë që rrinin duarkryq. Do të raportonte edhe për trazirat e marsit 2004, ku mbetën të vrarë rreth tridhjetë qytetarë shqiptarë e serbë. Për demonstratën e 10 shkurtit 2007, kur dy të rinj u vranë nga policët rumunë të OKB-së, të cilët kurrë nuk dolën para drejtësisë. Demonstruesit kundërshtonin Pakon e Ahtisaarit, e cila rekomandonte pavarësinë e kushtëzuar për Kosovën.

“Koha Ditore” do të raportonte hollësisht dhe ekskluzivisht edhe për marrëveshjet politike që interes primar kishin ndarjen e hises së pushtetit në kurriz të parasë publike të taksapaguesve. Për aferat e krerëve të vendit për teke personale, megjithëse ende ishin nën tutelën ndërkombëtare, të cilët prioritet kishin stabilitetin e brishtë politik. Merreshin vesh e vazhdonin të merreshin vesh me gjuhën e prontos së famshme të presidentit Hashim Thaçi. Këtë ua ofronin ish-drejtuesit e lëvizjes kryengritëse dhe asaj paqësore që për pak pushtet harruan idealet e dikurshme dhe armiqësitë ndërmjet vete. Po i bashkonin afera korruptuese që ua shpalosnin shkrimet hulumtuese të “Kohës Ditore”. Prej pavarësisë mediale, gazeta nuk hoqi dorë as pasi Kosovës iu hoq mbikëqyrja ndërkombëtare, sepse vetëm kështu, sikurse ngulmon drejtoresha e Grupit KOHA, Flaka Surroi, krejt kjo sipërmarrje e madhe, që lexuesve ua solli një gazetë të lirë në Kosovën e pushtuar – sikurse shkruan Veton Surroi në “Një devijim historik” – “kurrë nuk do të bëhej po të mos ishin vizioni, guximi dhe vendosmëria e një njeriu, i cili me gjithë moton që ka krijuar vetë, ecën përpara kohës”. I referohet kryeredaktorit themelues, Veton Surroi.

Agron Bajrami, kryeredaktori i “Kohës Ditore”, tregon në shkrimin “Marshi i të çmendurve” leksionet që gazeta ka nxjerrë nga raportimi në luftë dhe në paqe.

“Lufta është më e rëndë, sepse sjell vdekje, vuajtje dhe lot. Por paqja është më e vështirë për t’u ndërtuar sesa që është lufta për t’u fituar. Këtë mësim e kemi mësuar në ‘Kohën Ditore’”, kujton ai, duke shtuar se “të çmendurit” fituan, sepse “Marshi i KOHËS nuk mund të përsëritet, por ai do të vazhdojë…”