Arbëri

21 raste të raportuara të ngacmimeve seksuale vetëm brenda këtij viti

”Ngacmimi seksual s’ka arsyetim”, “Poshtë patriarkati”, “Largoni ngacmuesit”.

Këto kanë qenë disa nga thirrjet që i janë bërë këtë të hënë Ministrisë së Arsimit, dy ditë pas raportimeve lidhur me një ngacmim seksual të ndodhur në shkollën fillore “Faik Konica” të Prishtinës gjatë muajit prill.

“Duke nisur nga familja e deri tek institucionet, sistemi në Kosovë po prodhon ngacmues seksualë”, është thënë mes tjerash në protestën e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist e përkrahur edhe nga Rrjeti i Grave të Kosovës .

E këtu u kritikuan edhe mediat për mënyrën se si raportuan për këtë rast, derisa u kërkua futja e edukimit seksual nëpër shkolla.

“Patriarkaliteti i institucionalizuar është duke ua rrezikuar të drejtën për shkollim e rritje të shëndoshe fëmijëve nëpër shkolla. Kjo, pasi që institucionet tona kanë dështuar vazhdimisht të nxjerrin politika te mirëfillta të cilat do ta trajtonin me seriozitet dhunën seksuale që u ushtrohet vajzave, duke mos e njohur fare prezencën e këtij fenomeni dhe nevojën për ta trajtuar. Ne anën tjetër, ne jemi thellësisht të shqetësuara me raportimin medial të këtyre rasteve dhe konsiderojmë se një pjesë e problemit janë edhe vetë mediave dhe raportimi skandaloz i tyre. Mediat janë duke u bërë pengesë serioze në luftimin e këtyre fenomeneve, duke i trajtuar çështjet e dhunës me baze gjinore si lajme ‘sensacionale’ e mjete përmes së cilave fitojnë më shumë, duke shkelur mbi të gjitha parimet njerëzore e gazetareske”, ka deklaruar Fjolla Muçaj nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim .

Është bërë thirrje që edukimi seksual të futet në kurrikulën zyrtare të shkollimit formal.

Por për psikologen Ema Jashari Skeja, shoqëria jonë ende nuk është në gjendje t’i menaxhojë këto raste, derisa shton se duhet të analizohen shkaqet që quan kryesin në kryerjen e këtij akti.

“Pse fillojnë situata të tilla normalisht që duhet të dimë pak edhe për qasjen sociale ndaj fëmijë. Duhet të analizojmë saktësisht se çka po ndodh me viktimën dhe çka e ka shty deri në këtë gjendje. Çka po përjeton viktima si po i qaset familja dhe kush po bëhet fajtor. Sepse ne e dimë të fajësojmë edhe viktimën dhe presim nga një fëmijë 6 vjeçar të mbrohet. Në këtë situatë ne si shoqëri nuk dimë ta menaxhojmë. Duhet të dimë të diskutojmë me fëmijën tonë lidhur me këto situata”, ka thënë Skeja, psikologe klinike.

Dy ditë pasi u publikua lajmi dhe pamja lidhur me një ngacmim seksual të një 6- vjeçareje nga tre të mitur ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përmes një statusi në Facebook ka ftuar organet përgjegjëse që të ndërmarrim të gjitha masat ligjore dhe ta trajtojnë rastin me profesionalizëm.

Nagavci ka shpalosur disa nga përgjegjësitë që i takojnë Ministrisë të cilën ajo e udhëheq sa i përket parandalimit të dhunës nëpër shkolla si dhe rritjen e psikologëve dhe punëtorëve socialë nëpër institucione shkollore.

Ndërsa ky është vetëm njëri prej shumë rasteve gjatë këtij viti të ngacmimeve seksuale.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, që nga fillimi i vitit e deri tash, në Kosovë janë raportuar 21 raste të ngacmimit seksual.

“Nga data 01.01.2021 deri më 17.05.2021 janë raportuar gjithsej 21 raste (në përgjithësi, pa dallim moshe). Për një ambient më të sigurt duhet që bashkëpunimi reciprok të jetë edhe me i madh, të ketë shkëmbim të informacioneve, raportim të drejtë dhe me kohë të rasteve dhe informatave. Rastet trajtohen me seriozitet, konform kodit dhe procedurës penale, kompletohen nga hetuesit kompetentë dhe u përcillen organeve të drejtësisë për vendime të mëtejme”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.