Që nga muaji dhjetor i vitit 2023, Kuvendi Komunal i Prishtinës nuk u mblodh deri në mars të vitit 2024.
Në dhjetor në një mbledhje të zakonshme, kryetari Përparim Rama kishte futur në rend të ditës, këmbimin e pronave me ish- klientin e Rrahman Haradini. Bëhet fjalë për këmbimin e pronave në Badovc me pronën milionëshe në zonën Prishtina e Re, që konsiderohet zona me më potencial financiar për shkak të zgjerimit në atë pjesë.
Edhe përkundër faktit që Nora Kelmendi nga LVV kishte kërkuar vlerësimin nga MF, dhe kryetari Rama iu kishte drejtuar me fjalën ‘po rren’, Lëvizja Vetëvendosje prapë qëndroi në sallë, duke ia mundësuar LDK-së kuorumin për këtë këmbim.
Në atë kohë kishte filluar krisja e raporteve të PDK-se dhe LDK-së, dhe për rrjedhojë e pranishme s’ishte PDK-ja.
Pas anulimit të këmbimit të këtyre pronave, PDK-ja njoftoi për prishje të koalicionit.
Pak jave pas shkarkimit nga detyra të drejtorit të shërbimeve Publike, Ilirik Musliut, nga kryetari Përparim Rama. Ai e kishte akuzuar Musliun për mosmenaxhim të mirë të mbeturinave një ditë pasi ia kishte lëvduar punën për dërgimin e linjës urbane në fshatin Grashticë.
Pas Mulisut, Rama kishte shkarkuar nga pozita edhe nënkryetaren Donjeta Sahatçiu.
Pas shkarkimeve e largimit të PDK-së kryetarit Përparim Rama nuk iu deshën më shumë se 1 muaj që të emërojë figura të LDK-së, në pozitat e drejtorëve të PDK-së.
Në pozitën e nënkryetares Rama e vendosi, Jehona Lushaku-Sadriun e në vend të Musliut, Bekim Brestovcin, Donjeta Dragushën drejtoreshë të Bujqësisë, Sibel Halimin, drejtoreshë të Kulturës, e Bardh Krasniqin drejtor të sportit.
Pas prishjes së koalicionit Ramës iu deshën 5 muaj që t’i bindë asamblistët e AAK-së që të hyjnë në koalicion, për t’i pasur numrat e mjaftueshëm në kuvend komunal.
Më 27 shkurt, pa prezencën e LDK-së, në sallë dhe me nismën e Gëzim Sveçlës nga LVV-ja, u mbajt seancë e jashtëzakonshme për shkarkimin e kryesuesit, Pëllumb Bajqinovci, i cili u emërua në këtë post në korrik të vitit 2023.
Në vend të tij erdhi kryesuesi i mëhershëm Fehmi Kupina, për të cilin u deshën 3 raunde të votimit të fshehtë deri në rikthimin e tij në ulësen e krye kuvendarit.
Edhe pas përzgjedhjes për arsye të panjohura Kupina, për dy javë nuk u paraqit në zyrën e tij, në Komunë.
Shkarkimi i Bajqinovcit u mundësua me votimin e PDK-së.
Tek në muajt e pranverës dhe të verës në Kuvendin Komunal kishin filluar që të mbahen seancat e rregullta.
Në qershor u miratua plani rregullues për lagjen “Kalabria”. Votat e 24 këshilltarëve, kryesisht të Lëvizjes Vetëvendosje, u siguruan pas pranimit të një sërë amendamentesh të propozuara nga ky subjekt politik, përfshirë edhe negocimin me kryetarin Rama për uljen e koeficientit për hapësirën te Stacioni i Autobusëve nga 7 në 3. Planin pas kompromisit të arritur e votuan edhe asamblistët e AAK-së, AKR-së e NISMA-s, mirëpo jo edhe ata të PDK-së e të LDK-së.
Për të arritur në këtë marrëveshje këshilltarëve komunalë iu deshën 11 orë qëndrimi në seancë.
E luftën me ndërmarrjet komunale, opozita nuk e ka ndalur as vitin që po e lëmë pas.
Pas prishjes së koalicionit, aksionarët e PDK-së kishin dhënë dorëheqje nga pozita në Trafikun Urban dhe të Stacioni i Autobusëve, në vend të tyre u vetë-emëruan Gëzim Sveçla dhe Nora Kelmendi nga LVV-ja.
Pa tensione nuk kaluan as muajt e fundit në kuvend, për shkak të mungesës së numrave të cilët Rama nuk arrinte t’i siguronte, votimi i buxhetit për vitin 2025 që duhej të ndodhte në shtator u bë në dhjetor, pas pesë seancave të dështuara të thirrura nga Rama.
Votimi u përcoll me ngjarje që nuk ishin parë më parë në komunë, pas “tradhtisë”, që dy asamblistët e LVV-së, Berat Lahu dhe Edmond Azemi, ia bënë partisë duke votuar pro kalimit të buxhetit.
Shefi i tyre Gëzim Sveçla, shkuli mikrofonin e kryesuesit të kuvendit.
Ky u cilësua akt vandal nga komuna, me ç‘rast Sveçla u mbajt për 48 orë në paraburgim.
Asamblistët e LVV-së u akuzuan që janë ‘blerë’ nga Rama.
Akuza iu ishte bërë nga vetë bashkëpartiakët.