Arbëri

200 qen endacakë më pak në Prishtinë, pas trajtimit u dhanë për adoptim

qen

I pagëzuar me emrin “Sky”, një qen po mbahet në qendrën për trajtimin e qenve endacakë, derisa ta arrijë moshën e duhur për adoptim.

Aktualisht, atij po i jepet trajtimi i nevojshëm nga veterinarët.

Sot për të është dita e vaksinimit. Veterinari Kreshnik Vejsa po i bën kontrollet e nevojshme.

“Ky është Sky, sot ai e ka ditën e vaksinimit, por paraprakisht, ne po i kryejmë kontrollet rutinore, për të parë nëse është i gatshëm për vaksinim”, ka thënë Vejsa.

Kjo është hapësira ku kryhen kontrollet për të gjithë qentë endacakë që vijnë këtu.

“Zakonisht i marrim qentë, të cilët i konsiderojmë si prioritet në Prishtinë, pa i anashkaluar qentë që kanë sëmundje dhe mund t’i rrezikojnë qytetarët. Qen të të gjitha moshave. Kemi edhe këlyshë që janë të braktisur në rrugë, merren, adaptohen dhe në momentin që arrijnë moshën për adoptim, edhe i japim për adoptim”, ka shtuar ai.

Para dhënies për adoptim, Vejsa tregon procedurat që i ndjekin.

“Mosha adekuate për dhënien në adoptim varion nga raca. Rreth moshës 4 muajsh sterilizohen, vaksinohen. Ndërsa nga qyteti, zakonisht merren qen të mëdhenj që e përmbushin kohën për adoptim. Ata pastrohen, vaksinohen, sterilizohen, pastrohen nga parazitët e brendshëm, të jashtëm dhe trajtohen edhe për zgjeba e pastaj janë të gatshëm edhe për dhënie në adoptim”, ka treguar Vejsa.

Të gjithë qentë që kapen brenda natës trajtohen brenda ditës.

“Kryesisht të gjithë qentë që kapen në qytet trajtohen brenda ditës, të gjithë e marrin shërbimin përkatës veterinar. Numri i qenve në qendër këtu nuk është shumë i madh, nuk është ai që pretendojmë ta kemi në të ardhmen. Pra do të ketë më shumë kapacitete me hapjen e qendrës”.

Për momentin, në këtë qendër ka pak qen endacakë që po presin trajtimin.

Por brenda 1 muaji nga funksionalizimi i qendrës, zyrtarët thonë se janë trajtuar mbi 200 të tillë.

Të gjithë këta janë dhënë për adoptim, deklaron drejtori për Shërbime Publike, Bekim Brestovci.

“Kemi mbërritur të kalojmë numrin 200 për kapjen, kastrimin, sterilizimin dhe vaksinimin e tyre dhe me funksionalizimin e qendrës do ta rrisim numrin e kapjes së qenve nga 50 në 100 brenda javës dhe kjo qendër do të shërbejë si pikë transferi. Jemi me një dinamikë të mirë, pasi synojmë që deri në muajin mars t’i heqim nga rruga deri në 1500 qen endacakë”, ka thënë Brestovci.

Sipas tij, nga sheshi, do të kalojnë edhe nëpër pjesë të tjera të qytetit për trajtimin e qenve endacakë.

“Jemi në punime për ta funksionlaizuar edhe strehimoren për mbajtjen e qenve endacakë. Po punohet me një intensitet të madh që të funksionalizohet edhe kjo pjesë. Qendra e veterinarisë është çdo ditë në aksion në kapje të qenve. Kemi një intensitet prej 50 qensh në javë, pasi po i përshtatemi listës së kërkesave për adoptim. Po i kapim qentë, kemi filluar ta pastrojmë sheshin, pastaj do zgjerohemi nga kampusi universitar për të kaluar edhe në lagjet qendrore e pastaj edhe në lagjet periferike”, ka deklaruar drejtori.

Sa i përket adoptimit, Brestovci thotë se ata janë duke i mbikëqyrur adoptuesit dhe nuk do të lejohet keqtrajtimi i qenve.

“Janë edhe 5-6 qen që po qëndrojnë për mbikëqyrje veterinare. Kemi edhe adoptues individualë, por më shumë ka adoptues nga 10 qen e më shumë. Tani është mirë e menaxhuar, kemi dy komisione të veçanta dhe ata bëjnë kontrolle rutinore dhe duhet të respektohen të gjitha kushtet. Nëse kemi ndonjë rast që nuk ka përmbushje të kontratës siç duhet, ne do ta prishim kontratën”.

Përkundër këtij fakti, një numër qytetarësh janë sulmuar nga qentë endacakë vetëm gjatë kësaj jave, duke përfshirë edhe fëmijë.