Prishtinë, 17 janar - Rreth 200 është numri i qytetarëve të infektuar me sëmundjen COVID-19 që nga shtëpia votuan në zgjedhjet për kryetar të Podujevës. Dhënia e votës nga izolimi i ka sjellë një ndjenjë të çuditshme Vjollca Revuqit, njërës nga këta votues.
“Ka qenë diçka emocionuese, sepse është një lloj frike te personeli i ekipës mobile se kjo me Covid, si me votu, edhe pse unë i kam pasur maskën e dorëzat, kurse ata kanë qenë me rrobat kundër Covidit. Mirëpo, pak njëfarë trembje, ndjenjë jo bash e mirë, por prapë mirë që na është dhënë mundësia me votu”, ka deklaruar kjo votuese.
Sikur Revuqi, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, nga shtëpia do të mund të votojnë edhe shumë qytetarë që gjenden në vetizolim për shkak të koronavirusit. Aktualisht, janë rreth 6 mijë raste aktive me këtë virus. Organizimin e votimit në të gjithë vendin përmes ekipeve mobile, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) e sheh si sfidues, por të realizueshëm.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë se votimi përmes ekipeve mobile në zgjedhjet për kryetar të Podujevës dhe Mitrovicës së Veriut do t’u shërbejë si përvojë.
“Është më sfiduese sesa në dy komuna, sepse duhet të dërgojmë ekipe mobile në të gjitha komunat e Kosovës. Por, besoj që përvoja të cilën e kemi marrë nga këto dy komuna do të na shërbejë shumë që të gjithë këta qytetarë që fatkeqësisht janë të infektuar me COVID-19 të mund të realizojnë të drejtën e tyre”, ka deklaruar Elezi.
Votat nuk do të grumbullohen nga qytetarët me koronavirus që janë të shtrirë në spitale, për shkak të gjendjes më të rëndë të tyre. Ndërsa ekipet mobile do të shkojnë në spitalet ku mjekohen pacientë me sëmundje të tjera.
“Në ditën e zgjedhjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve çdo herë ka dërguar ekipet mobile për kategori të ndryshme votuesish, pra të cilët nuk mund të shkojnë në vendvotimin e tyre për shkak të rrethanave kryesisht shëndetësore sepse janë të shtrirë në spitale ku marrin mjekimin, pastaj edhe në institucione të ndryshme siç janë burgjet”, ka shtuar Elezi. Ai ka thënë se KQZ-ja do të kujdeset që ditën e votimit të mos vlejë kufizimi i orarit të lëvizjes për personat mbi 65 vjeç.
Gjithë këtë proces e vlerëson si jo të lehtë organizata “Demokraci Plus”. Emir Abrashi nga kjo organizatë që merret edhe me monitorimin e zgjedhjeve, thotë se realizimi i kësaj mënyre të votimit në gjithë vendin do të jetë i vështirë.
“Do të jetë pak sfiduese, për shkak se kemi një numër konsiderueshëm të lartë të të infektuarve të cilët janë në vetizolim, mirëpo mendoj që me angazhim të KQZ-së dhe institucioneve të tjera si Ministria e Shëndetësisë në asistim të personelit shëndetësor mendoj që do të mund të tejkalohet”, ka deklaruar Abarashi.
Nëse pandemia zgjat deri në nëntor, atëherë kur duhet të mbahen zgjedhjet lokale, Abrashi ka propozuar një tjetër mënyrë votimi për të infektuarit me COVID-19.
“Mirëpo për të ardhmen mund të merret në konsideratë edhe mundësia e votimit siç e bëjnë në Amerikë. Do të thotë t’u jepet mundësia të infektuarve që të shkojnë me makinat e tyre personale te vendvotimet dhe të mos kenë nevojë të dalin nga makinat, mirëpo stafet e KQZ-së të jenë aty dhe t’u japin mundësinë për të votuar pa pasur kontakt me persona të tjerë”, ka përfunduar Abrashi.
Identifikimi i votuesve që mund të jenë në vetizolim do të zgjasë nga 2 shkurti deri më 11 shkurt. Për të mbledhur votat e tyre, pritet të angazhohen rreth 200 ekipe mobile. Në zgjedhjet e 29 nëntorit të vitit të kaluar për kryetar të Podujevës, nga 500 persona me koronavirus që kishin të drejtë vote afër 200 kishin shfrytëzuar këtë të drejtë. Kurse në zgjedhjet për Mitrovicën Veriore kishin votuar 10 nga 20 qytetarët sa kanë pasur të drejtë vote.