Arbëri

17 vjet shtet

Parakalimi i FSK-së

Foto: Alban Bujari

Parakalimi i organizuar i ushtarëve e policëve në sheshet e Prishtinës ka shënuar ngjarjen kryesore të shënimit të 17 vjetorit të pavarësisë së Kosovës. Liderët e institucioneve shtetërore në këtë manifestim kujtuan sakrificën e popullit, e edhe kontributet e personaliteteve të veçanta deri te miratimi i Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008. Mirënjohje ata shprehen dhe për ndihmën e mbështetjen ndërkombëtare, pa të cilën sipas tyre historia nuk do të ishte e njëjtë. 17-vjetori i pavarësisë, megjithatë e gjen Kosovës me çështje të hapura e jo mjaftueshëm të konsoliduar ndërkombëtarisht

Sheshet kryesore të Prishtinës të hënën në mesditë ushtuan nga jehona e hapave të ushtarëve e policëve të Kosovës e nga duartrokitjeve e mijëra qytetarëve që përcollën nga afër ceremoninë e shënimit të 17 vjetorit të Pavarësisë. Përveç marshimit të pjesëtarëve të këtyre dy institucioneve të sigurisë, në parakalim u shfaqën edhe pjesë nga arsenali i armëve dhe pajisjeve tjera të rënda ushtarake. 

Pjesëtarëve të ushtrisë e të policisë, por edhe qytetarëve të shumtë, iu drejtuan liderët e shtetit. 
Presidentja Vjosa Osmani, tha se në ditë kremte si 17 Shkurti të gjithë janë të bashkuar. Theksoi se pavarësisht dallimeve, sfidave e pengesave do të vazhdojnë të ecin bashkë me të gjithë për atdheun. 
“Kosova megjithatë nuk është vetëm një copë tokë. Kosova është frymë, Kosova është shpirt dhe mision i përhershëm. Nuk është vetëm një shtet me histori, Kosova është simbol i dinjitetit dhe i një sakrificave të pashembullta për liri. Kushdo që guxon ta vërë në dyshim këtë realitet le ta dëgjojë zërin e popullit të Kosovës sot. Kosova është edhe mbetet atdheu ynë i përjetshëm. Sot ne të gjithë ne jemi bashkë. Populli i Kosovës feston si një me dhe krenari pavarësisht dallimeve sfidave, pavarësisht pengesave që janë vënë në rrugën tonë ne jemi dhe do të vazhdojmë të besim të bashkuar për atdheun tonë për Republikën tonë të dashur”, tha Osmani.

Presidentja tha se populli i Kosovës është gjithmonë mirënjohës për ndihmën dhe mbështetjen ndërkombëtare.

“Historia jonë nuk do të ishte e njëjtë pa mbështetjen e miqve tanë. Falënderim i përjetshëm shkon për SHBA-në, për NATO për shtete evropiane dhe për të gjithë demokracitë gjithandej botës sikurse edhe të gjithë miqtë ndërkombëtarë që qëndruan me ne në momentet më të vështira dhe na ndihmuan që ta bëjmë të mundur lirinë dhe pavarësinë duke na mbështetur atëherë kur armiqtë tanë donin të na fshini nga faqja e dheut. Ne nuk harrojmë ndihmën e tyre, sepse Kosova ka miq dhe miqtë e Kosovës janë miqtë e lirisë”.

E tek foli për ushtrinë, komandantja supreme tha se pjesëtarët e saj janë të gatshëm që kurdo herë të mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. 

“FSK-ja ka treguar që është krenaria e shtetit dhe e gatshme kurdoherë për ta mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. E përgatitur në përputhje me zhvillimet më të fundi në arkitekturën globale të sigurisë ushtria jonë do të jetë gjithnjë në mbrojtje te paqes, stabilitetit dhe sigurisë së qytetarëve tanë pa dallim”, tha ajo. “Liria jonë është e shenjtë dhe mbrojtja e saj është detyrë e përhershme. Këtë detyrë me nderin më të lartë po e kryen Policia e Kosovës”, shtoi presidentja Osmani.  

Kontributi historik i të gjithë popullit - nga Hasan Prishtina tek Afrim Bunjaku

E kryeministri Albin Kurti, deklaroi se me shënimin e përvjetorëve të Pavarësisë duhet përmendur e kujtuar të gjithë burrat e gratë që luftuan, sakrifikuan, punuan e u angazhuan për ditën që gëzojmë sot. 

“Në historinë moderne të Evropës krijimi i shtetit të Kosovës është një nga historitë më të fuqishme dhe shembullore të përparimit të vetëdijes së një populli për liri dhe këmbënguljes së tij për shtet. Republika e Kosovës njëmend është shteti më i ri në kontinentin e vjetër por ai mund te jetë shteti me historinë më të gjatë të përpjekjes për krijimin e tij. Ne jemi popull autokton që do të thotë se historia nuk na fillon e as na mbaron me asnjërin brez dhe secili brez kemi për detyrë dhe obligim të punojmë pa kursim e pa rezervë me krejt çka dimë e mundemi për popullin nga i cili vijmë e të cilit i shërbejmë. Republika e Kosovës është rezultat i të gjithë atyre që luftuan e u përpoqën për këtë vend që nga kryengritjet e 1910, 1911 e 1912 me Hasan Prishtinën e deri te rreshteri Afrim Bunjaku, heroi më i ri i Kosovës”, tha ai.

Kurti tek rreshtoi periudhat e personalitetet e shënjuara të historisë së Kosovës, si rrallëherë përmendi edhe ish-presidentin e kryeministrin Hashim Thaçi. 

“Republika e Kosovës është rezultat i aktit sipëror të brezit më të ri të të zgjedhurve të saj, emrat e përveçëm të të cilëve lexohen pas firmave të shkruara në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt 2008 nga 109 deputetë të Republikës, si dhe nga krerët shtetërorë, presidenti Fatmir Sejdiu, kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe kryeministrit Hashim Thaçi”, theksoi kryeministri.
Të pranishëm në ceremoni ishin ish-presidentët Fatmir Sejdiu e Atifete Jahjaga, si dhe personalitete të tjera vendore e ndërkombëtare. Por, në këtë manifestim munguan krerët opozitarë. U pa vetëm nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj i cili ishte i shoqëruar nga deputeti prej grupi parlamentar multietnik, Bahrim Shabani.

Parakalimi i Ushtrisë e Policisë së Kosovës ka qenë në mesin e dhjetëra aktiviteteve të organizuara anekënd vendit në nder të shënimit të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë.

Qeveria thotë se në Kosovë demokracia ka përmirësimin më të madh në Ballkanin Perëndimor

Manifestimet për 17 vjetorin e Pavarësisë nisën me mbledhjen festive të Qeverisë së Kosovës. Kryeministri Albin Kurti, në fjalën e tij hyrëse, ka thënë se në këtë përvjetor nderohen të gjithë ata që sakrifikuan e u flijuan për liri. Ka theksuar se Republika sot është më e fortë e më vitale se kurrë më parë. 

“Jo vetëm sepse kemi investuar në siguri dhe në mbrojtje, por sepse kemi forcuar institucionet demokratike dhe kemi normalizuar funksionimin e tyre që t’i shërbejnë para së gjithash, e mbi të gjitha qytetarëve të Republikës”, ka thënë ai.

Kurti ka folur për rritje të ekonomisë, për liberalizimin e vizave për renditjen e Kosovës mes vendeve me indeksin më të lartë të rendit dhe ligjit dhe ndër vendet më të sigurta në botë për të ecur vetëm rrugës.

Ai ka thënë se Kosova është demokracia me përmirësimin më të madh në Ballkanin perëndimor në katër vitet e fundit e ka shënuar përmirësimin më të madh në indeksin e perceptimit të korrupsionit në gjashtë vendet e Rajonit. 

“Këto rezultate dhe arritje janë dëshmi e progresit tonë, të përbashkët, por gjithashtu edhe të progresit tonë të pandalshëm, të popullit, të institucioneve si dhe të miqve e partnerëve tanë evropianë e amerikanë. Arritje që i festojmë sot, e duhet t’i mbrojmë çdo ditë, të gjithë. Suksesi ynë është dëshmi që kemi punuar në përputhje me amanetin e idealet e dëshmorëve të kombit, dhe në përputhje me të drejtat e popullit, dëshirat e rinisë dhe ëndrrat e fëmijëve”, ka thënë kryeministri Kurti.
E në oborrin e Qeverisë, Kurtit e anëtarëve të kabinetit qeveritar iu bashkua presidentja Vjosa Osmani për të ngritur flamurin shtetëror.  Por krerët për pamje kishin një flamur të kthyer mbrapsht.

Osmani e Kurti u shprehën krenarë për rrugëtimin e Kosovës e thanë se rruga e Republikës s`ka të ndalur.

“Do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që do të mund ta ndalë republikën tonë të lirë, të pavarur, sovrane dhe të përjetshme”, tha presidentja Osmani. 

E kryeministri Kurti tha se Kosova është shembull për siguri jo vetëm në Ballkan. Sipas tij arritjet e Kosovës janë suksese të popullit, institucioneve e partnerëve ndërkombëtarë.

“Pa dyshim që mund të jemi krenarë që i kemi dalë hakut sakrificës, flijimit të aq shumë dëshmorëve e martirëve, kontributit të jashtëzakonshëm edhe të rezistencës paqësore edhe asaj të armatosur, invalidëve e veteranëve të UÇK-së dhe të gjithë veprimtarëve, të cilët qëndruan në kohë të vështira, në mënyrë që ne të kemi kohë të mira”, ka thënë ai.

Krerët shtetërorë aktivitetet në shënim të përvjetorit të 17-të të Pavarësisë i vazhduan në Prishtinë e Prekaz. Bënë homazhe te Monumenti i të Pagjeturve dhe te Memoriali i Fëmijëve të Vrarë, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, tek ai i veprimtarit Adem Demaçi e në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.  Homazhe bënë edhe te monumenti “Heroinat”. 

Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme Kuvendi njëzëri shpalli Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Shpallja e Pavarësisë ishte rezultat i një procesi të gjatë dialogu. Edhe pse u kundërshtua nga Serbia e Rusia, Kosova deklaroi Pavarësinë, akt ky që mori mbështetje nga shtete të rëndësishme të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumicën e vendeve të Bashkimit Evropiane edhe të NATO-s. 17-vjetori e gjen Kosovën si shtet të njohur nga 117 vende të botës, por jo mjaftueshëm të konsoliduar në arenën ndërkombëtare. Vendi është pjesë e disa organizatave ndërkombëtare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar dhe institucione tjera. Por, nuk është ende në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës, NATO-n, OSBE-në e Interpolin. Në Kosovë, ende që nga paslufta veprojnë misionet civile e ushtarake ndërkombëtare, si UNMIK-u e KFORI, e ndërkohë atyre i është bashkuar disa vjet pas lufte edhe misioni evropian për sundimin e ligjit, EULEX-i. 


 

Lexo përditësimet tjera
Ngritja e flamurit

17 vjet shtet

Kosova sot feston 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.Më 17 shkurt 2008 në një mbledhje të jashtëzakonshme...