Arbëri

1,432 emrat e fëmijëve të vrarë në Kosovë shfaqen në Prekaz

1,432 emrat e fëmijëve të vrarë në Kosovë shfaqen në Prekaz

Foto: Ekonomia Online

Në Prekaz është vendosur një tabelë me emrat e 1432 fëmijëve të vrarë në Kosovë nga forcat serbe. 

Emrat e fëmijëve të vrarë janë vendosur nga nxënës të cilët po e vizitojnë Kompleksin Memorial "Adem Jashari" në 27-vjetorin e rënies së familjes Jashari. 

5, 6 dhe 7 Marsi shënohet me Epopenë e UÇK-së në Kosovë, ku përkujtohet komandanti Adem Jashari dhe luftimet treditore të Jasharëve në Prekaz. 

Më 5 mars të vitit 1998 u shënua sulmi i tretë i forcave serbe ndaj komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Adem Jashari, familjes së tij dhe lagjes së Jasharëve në Prekaz të Skenderajt.

Luftimet kishin zgjatur tri ditë, më 5, 6 dhe 7 mars. Nga familja e ngushtë e Adem Jasharit ishin vrarë 22 anëtarë, e 33 të lagjes dhe të tjerë. Sulmit i kishin shpëtuar Bashkimi, djali i Rifat Jasharit që ia kishte dalë të ikte nga rrethina dhe Besarta, vajza e Hamzës.

Sulmi i parë ndaj familjes Jashari ishte bërë më 30 dhjetor të 1991-s, ndërsa sulmin e dytë forcat paramilitare serbe e kryen në muajin janar, 1998.