Arbëri

11 për qind e popullsisë në Kosovë, mbi 65-vjeçare

Popullsia e Kosovës është duke u plakur, ka treguar Indeksi i Plakjes Aktive, i prezantuar nga Agjencia e Statistikave. Sipas këtij indeksi, 11 për qind e popullsisë është aktualisht mbi moshën 65 vjeçe. E kjo matje e theksoi nevojën urgjente për forcimin e sistemit të kujdesit për të moshuarit

Ndonëse e njohur për popullsinë e saj rinore, Kosova nuk përjashtohet nga trajektorja globale e plakjes, u tha të premten në publikimin e Indeksit të Plakjes Aktive.

Ky indeks, i prezantuar nga Agjencia e Statistikave dhe nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues, tregoi se 11 për qind e popullsisë në Kosovës aktualisht është mbi moshën 65 vjeçe.

Visare Mujko-Nimani, udhëheqëse e Zyrës së UNFPA në Kosovë, theksoi se plakja e popullsisë e shtron nevojën urgjente për forcimin e sistemit të kujdesit për të moshuar.

“Ky kalim demografik po ndodh më shpejt se sa pritej, duke kërkuar vëmendje të menjëhershme dhe proaktive.... Edhe pse profili demografik i Kosovës është më i ri, popullsia në rritje e të moshuarve tregon për një nevojë urgjente për përmirësimin në shërbimet dhe politikat që janë të përshtatura për këtë brez”, u shpreh ajo.

Indeksi, i pari i këtij lloji në Kosovë, e synon matjen e mundësive dhe sfidave me të cilat përballet popullsia mbi 55-vjeçare, për t’i ndihmuar politikëbërësit në hartimin e strategjive efektive.

Për këtë, në shoqatën e pensionistëve kërkuan më shumë mbështetje nga institucionet.

“Ne kemi nevojë për shumë gjëra, jo vetëm për një pension, por edhe për të tjera. E kemi shoqatën, bëjmë aktivitete shumë, ne jemi me shëndet të mirë, mund të japim edhe më shumë”, ka deklaruar Selvete Shala, anëtare e Shoqatës së Pensionistëve.

E Antigona Spojani, koordinatore e Programit të Mirëqenies Sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës, tha se është në rritje edhe numri i të moshuarve që janë të vetmuar.

“Në listat e Kryqit të Kuq, nga 27 degët e Kryqit të Kuq në 27 komunat e Kosovës, duke përfshirë edhe ato komuna të tjera ku ne nuk kemi degë aty, i kemi të regjistruar 742 persona të moshuar të vetmuar që kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme”, ka thënë ajo.

KOHA ka raportuar se si pensionistët diskriminohen edhe në marrjen e shërbimeve shëndetësore. Ata privohen nga disa shërbime në QKUK, në disa raste nuk u ofrohen shërbime fare e në disa të tjera obligohen të paguajnë me qindra euro.