Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në prezantimin e Projektligjit për Buxhetin e vitit 2022 tha se “kësi buxheti nuk ka pasur kurrë”. Njoftoi se 100 milionë euro janë ndarë për Forcën e Sigurisë së Kosovës e 10 milionë euro për blerjen e objekteve të ambasadave të Kosovës në shtetet e tjera
Buxheti i Kosovës për vitin 2022 është për 8.7% - apo rreth 220 milionë euro më i lartë se rishikimi i tij që u bë në qershor të këtij viti. E sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, “kësi buxheti nuk ka pasur kurrë”. Për kreun e Ekzekutivit shumë prej ndarjeve që janë bërë me Projektligjin e buxhetit për vitin e ardhshëm janë për herë të parë.
“Ushtrinë e kemi projektin tonë madhor, andaj për herë të parë kemi ndarë buxhet prej 100 milionë eurosh apo 1,3 për qind të bruto produktit vendor. E synimi është që brenda mandatit ta sjellim 2 për qind të bruto produktit vendor, aq sa e kërkon standardi i NATO-s”, deklaroi Kurti në prezantimin e planit buxhetor për 2022-tën.
Sipas Kurtit, për herë të parë janë buxhetuar edhe 2 milionë euro si mbështetje për Luginën e Preshevës e Bujanocin. 10 milionë euro janë ndarë me Projektligjin për buxhet për blerjen e objekteve të ambasadave e Kosovës në shtetet e tjera.
“Për herë të parë kemi ndarë 10 milionë euro për blerjen e ambasadave në shtetet aleate, synimi ynë është që gradualisht të blejmë të gjitha ambasadat dhe po ashtu të sigurohemi edhe brenda shtetit të paguajmë zero qira për institucione publike”, u shpreh Kurti.
Tutje, ai njoftoi që janë shtuar edhe 24 milionë euro shtesë për sigurimin e barnave esenciale.
E rëndësi, i pari i Ekzekutivit tha se i ka dhënë arsimit. Ndonëse nuk e përmendi shifrën e saktë të mjeteve të ndara për mbulimin e studimeve të nivelit të lartë, Kurti tha që ato do të vazhdojnë të jenë falas, njëjtë sikur vendimi që u mor në shtator të këtij viti. Por, mes tjerash, shtoi se do të ndahen edhe 2,000 bursa për studentët. “Me këtë buxhet ne do të fillojmë ndërtimin e 50 çerdheve në tërë vendin, në mënyrë që fëmijët të kenë kujdesin e duhur e gratë të integrohen në tregun e punës. Kemi bërë studimet falas për të gjithë studentët dhe do të ndajmë edhe 2 mijë bursa shtesë për ata që janë më të mirët. Me këtë buxhet do të mbështesim shkencën dhe hulumtimin.”
150 milionë eurot për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, kryeministri njoftoi se tashmë janë buxhetuar. Me këtë buxhet po ashtu tregoi se është rritur buxheti i Ministrisë së Bujqësisë për 10 milionë euro, nga 60 milionë sa ishte në 70 milionë.
Kryeministri Kurti po ashtu njoftoi se janë ndarë 80 milionë euro për skemat sociale e për mbështetjet për nënat e shtesat për fëmijë. “Me këtë buxhet ne kemi ndarë 45 milionë euro për të mbështetur nënat përmes pagesës për të gjitha lehonat dhe për shtesat për fëmijë. Kemi shtuar 35 milionë euro të pensionit dhe skemat sociale, ashtu që asnjë pension të mos jetë nën 100 euro dhe shtesa për skema sociale prej 30 për qind të bëhet e përhershme”.
Përkrahje me këtë buxhet, Kurti tha se do t’u jepet edhe prodhuesve vendorë, derisa paralajmëroi edhe rimbushjen e rezervave shtetërore. “Ata i kanë zbrazur e ne do të ndajmë 10 milionë euro për muajt në vijim ashtu që ta zëmë t’i mbushim me grurin tonë të Kosovës, në mënyrë që të mund t’i përdorim sa herë ka lëkundje të çmimit në bursë për të garantuar stabilitetin e bukës”, tha ai.
Me buxhet janë ndarë 50 milionë euro për të paguar borxhet e shpronësimeve që kemi trashëguar, ashtu që më në fund të mund të kryhen rrugët që janë në proces që sa e sa vite e 40 milionë për ndërmarrjet “Trepça” dhe “Telekomi”.
Ndërkaq ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se objektiv janë konsolidimi i ringjalljes ekonomike, riorientimi i ekonomisë drejt prodhimit dhe përkrahja e punësimit. “Si tërësi, buxheti i vitit 2022 pritet të arrijë vlerën 2 miliardë e 748 milionë euro, duke shënuar një rritje prej 8,7 për qind apo 220 milionë euro, krahasuar me buxhetin e rishikuar të këtij viti. Ndërsa hyrjet totale të buxhetit pritet të jenë në vlerë prej 2 miliardë e 364 milionë eurosh, që paraqet një rritje prej 15 për qind në raport me vitin paraprak ose në vlerë nominale një vlerë në rritje prej 310 milionë eurosh krahasuar me buxhetin fillestar”.
Projektligji për Buxhetin e vitit 2022, pas miratimit në Qeveri, kalon në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim nga komisionet parlamentaret e pastaj për votim.