Stafi i Klinikës Infektive nga kjo e martë do të ndihet më i sigurt kur t’i trajtojë pacientët e shtrirë me Covid-19.
Kjo pasi që ata mëngjesin e së martës janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës “AstraZeneca” kundër Covid-19.
Aty u vaksinua edhe një infermier, i cili deri para një jave nuk ishte i bindur se vaksinimi ishte i sigurt.
“Deri para një jave kam qenë plotësisht i bindur që nuk e marr, pasi kam dëgjuar për efektet anësore, por kur e pash që stafi po fillon me e marr dhe vaksina është e sigurt, thash më mirë të marrë antitrupa”, ka deklaruar Osman Ismaili, infermier në Klinikën Infektive.
Drejtor i SHSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka thënë se është i vetëdijshëm që ky proces do të marrë kohë dhe qytetarët duhet ta kenë durimin.
“Vaksina është e sigurt dhe qytetarët duhet të ndihen të sigurt ta marrin. Sot kemi mbi 900 pacientë të shtrirë, prej tyre 37 janë në gjendje kritike dhe rreth 700 pacientë me oksigjenoterapi. Do të vaksinohem edhe unë”, ka thënë ai.
Ndërsa në sallën “1 Tetori” vaksinimi këtë të martë ka nisur për kujdesin parësor.
Radhë të gjata paraditen e së martës janë krijuar para kësaj salle.
“Tash posa e kryem procesin e vaksinimit. Ka qenë mirë i organizuar dhe veten po e ndjej mirë”, tha Ramë Maliqi, laborant në QKMF.
Por të martën shumë të moshuar e me sëmundje kronike janë kthyer prapa nga Policia e Kosovës, të cilët vetëm u jepnin udhëzime se si të aplikonin në mënyrë elektronike për vaksinimin.
“Është hera e tretë që po vij. Dje kam qenë kah ora 2, na kanë thënë shkoni njëherë e ejani nesër. Kam dal sot në mëngjes në 8, doli një zyrtare na tha shkoni në shtëpi hapeni faqen e regjistrohuni. Që dy-tri orë nuk ka asgjë, kjo është lojë me qytetarët”, ka thënë Zenun Rexepi, qytetar.
Uebfaqja “E Kosova” e dedikuar për regjistrimin e personave të moshuar dhe ata me sëmundje kronike ka rënë disa herë nga sistemi.
E Zyra e UNICEF-it në Kosovë përmes një njoftimi ka njoftuar se deri në muajin maj në Kosovë do të arrijnë edhe 76 mijë e 800 doza të vaksinës përmes COVAX-it.
Ndërsa Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të shfrytëzojë rastin të përdorë edhe 11 mijë vaksina të ofruara nga Shqipëria.