Futboll

Zyrtarizohet kalimi i Chiesas te Liverpooli

Federico Chiesa - Liverpool

Liverpooli e ka transferuar Federico Chiesan nga Juventusi. Lajmi është publikuar të enjten gjatë ditës nga skuadra e madhe angleze. 

Transferimi i Chiesas mund t’i kushtojë “të kuqve” pak më shumë se 13 milionë euro, varësisht nga paraqitjet që ai i ka me klubin në edicionin e ri. 

26-vjeçari Chiesa ka nënshkruar kontratë katërvjeçare për skuadrën e drejtuar nga trajneri Arne Slot, dhe është transferimi i parë i këtij afati kalimtar. 

Chiesa ishte fitues i Evropianit 2020 me Italinë, që e kishte mposhtur Anglinë në “Ëembley” pas ekzekutimit të penalltive. 

“Jam shumë i lumtur që jam lojtar i ri i Liverpoolit. Kur Richard Hughes më thirri dhe më tha se a dëshiron t’i bashkohesh Liverpoolit, dhe më pas fola edhe me trajnerin, ju thash po menjëherë sepse e dija historinë e klubit. E di se çfarë do të thotë ky klub për tifozët”, ka thënë Chiesa për faqen zyrtare të klubit.  “Jam shumë i lumtur dhe mezi pres ta nis aventurën e re”, shtoi ai. 

Në edicionin e parë me Juventusin, Chiesa shkëlqeu dhe ishte në ekipin më të mirë të vitit në Serie A. 

Por shkaku i lëndimit të rëndë në gju në janar të vitit 2022, pati rënie të formës. 

Ai realizoi 32 gola në 131 paraqitje për Juventusin, përfshirë 10 gola në 37 ndeshjet e edicionit të kaluar. 

Trajneri i ri i Juventusit, Thiago Motta, e la jashtë ekipit Chiesan në dy ndeshjet e para të këtij edicioni. 

Chiesas kontrata me Juventusin i përfundonte në verën e vitit të ardhshëm.