Futboll

Zyrtare: Neymari kthehet te klubi i fëmijërisë

Neymar

Pas 12 vjetëve, ylli brazilian i futbollit, Neymar Junior, është kthyer te klubi i fëmijërisë, Santos.

Klubi brazilian të premten mbrëma e ka zyrtarizuar transferimin e Neymarit.

Ish-futbollisti i Barcelonës dhe Paris Saint-Germainit, pjesë e Santosit do të jetë deri në përfundimin e këtij edicioni.

Ditë më parë, 32-vjeçari me marrëveshje të dyanshme e shkëputi kontratën me klubin arab, Al-Hilal.

Neymari ishte transferuar tek Al-Hilali për 90 milionë euro në verën e vitit 2023, por ka luajtur vetëm shtatë ndeshje për shkak të lëndimeve.

Neymari kishte fituar gjashtë tituj te Santosi, ku u rrit si futbollist. E fitoi ndër të tjera Copa Libertadoresin në vitin 2011.

“Kanë kaluar gati 12 vjet që kur jam larguar nga Santosi. Ndjenjat e mia për klubin dhe tifozët nuk kanë ndryshuar kurrë. Tani më duhet të luaj futboll përsëri dhe vetëm një klub si Santosi mund të sigurojë dashurinë që më duhet për t’u përgatitur për sfidat e ardhshme”, u shpreh Neymar.