Trajneri Bylbyl Sokoli është emëruar trajner i ri i Drenicës.
Klubi “kuqezi” ka njoftuar të mërkurën se ka arritur marrëveshje njëvjeçare me “profën”.
“Sokoli gjatë ditës është prezantuar si kryetrajner i skuadrës në ambientet e klubit. ‘Profa’ ka qenë pjesë e shumë skuadrave shqiptare dhe kosovare, kurse tashmë do të jetë pjesë e klubit tonë për kampionatin 2024/25. Vazhdojmë...”, ka shkruar Drenica në Facebook.
Të martën mbrëma, Drenica njoftoi për largimin e trajnerit Megzon Visoka.
Visoka e la klubin në vendin e dytë në Grupin A të Ligës së Parë me 18 pikë nga tetë ndeshje, me një pikë më pak se Vëllaznimi e një më shumë se Trepça.
Drenica me Visokën nuk kishte asnjë humbje në tetë ndeshjet e edicionit aktual, si asnjë skuadër tjetër në Superligë dhe në Ligën e Parë.
Por, drejtuesit e klubit të Drenicës vendosën për ndryshim.
Po të mërkurën, klubi Rilindja 1974, zyrtarizoi për trajner Faruk Statovcin.
Statovci së fundmi ishte trajner i Flamurtarit, ndërsa ishte larguar pas disfatës 6:0 nga Dinamo.
“Statovci vjen me një eksperiencë të pasur në futbollin vendor dhe ndërkombëtar. Me një karrierë të gjatë si lojtar dhe trajner, ai ka dëshmuar aftësitë e tij në ndërtimin e ekipeve të forta dhe strategjive inovative që çojnë drejt sukseseve të mëdha”, ka shkruar ndër të tjera Rilindja 1974.
Rilindja 1974 në Grupin A të Ligës së Parë zë vendin e shtatë me nëntë pikë pas tetë ndeshjeve të luajtura.