Futboll

Zviceranët për Shaqirin: I jashtëzakonshëm, që tani mund të shpallet më i miri i vitit

Xherdan Shaqiri

Ka gjashtë ndeshje rresht që Xherdan Shaqiri shënon gol apo asiston. Apo i bën të dyja.

Të hënën mbrëma, ylli i Superligës së Zvicrës në futboll shënoi një gol  të bukur dhe bëri plot tri asistime mjeshtërore në fitoren 5:0 të Baselit ndaj Yverdonit.

Ndeshja i takoi xhiros së fundit të stinorit të rregullt në elitën zvicerane. Baseli është lider me 61 pikë, gjashtë më shumë se Servette e vendit të dytë. Në plejof i ka edhe pesë ndeshje. Por me formën që po e kalon Shaqiri, Baseli duket i pandalshëm në rrugën drejt titullit.

Me kontributin e së hënës, 33-vjeçari tani i ka 14 gola e plot 17 asistime në 29 paraqitje kampionale. Pra ka më shumë kontribut në gola, me shënim apo asistim, se ndeshje të luajtura.

Se Shaqiri është në superformë, e pranojnë edhe mediat zvicerane.

“Liga zvicerane zakonisht në janar e nderon lojtarin më të mirë të 12 muajve të kaluar. Këtë vit, liga mund ta ndajë çmimin për Xherdan Shaqirin që në prill. Nuk mund të shkojë më mirë se kaq. Një gol dhe tri asistime – dy prej tyre të nivelit më të lartë botërorë”, ka shkruar “Blick”, që e ka vlerësuar Shaqirin më të mirin e ndeshjes.

“Blick” ka shkruar po ashtu që Shaqiri ishte i jashtëzakonshëm në fitoren e Baselit.

Sajti zyrtar i televizionit zviceran gjithashtu ka ngritur në qiell Shaqirin.

“Shaqiri i jashtëzakonshëm: lideri Baseli kalon përtej Yverdonit”, është titulli i SRF.

Televizioni zviceran i ka kushtuar hapësirë asistimit me thembër të Shaqirit, që ishte shumë i bukur.

“Shfaqje e Shaqirit në ‘St. Jakobs Park’”, ka shkruar sajti tjetër i njohur zviceran, “bluewin.ch”. Edhe për këtë medium nuk kishte dilema që Shaqiri ishte lojtar i ndeshjes.

“Çka tjetër mund të thuhet? Kontribut në katër gola. Superlativët po mbarojnë”, ka shkruar “bluewin.ch”.

Edhe sajti nga Baseli, “bazonline.ch” ka përmenduar shkëlqimin e kapitenit Shaqiri në fitoren e thellë.

Sajti zyrtar i klubit Basel ka veçuar shkëlqimin e Shaqirit në titullin e raportit. E ka shpallur lojtar të ndeshjes kosovarin. Paraqitja e Xherdanit, sipas Baselit, ishte magjike.

Baseli për herë të parë pas më shumë se shtatë vjetësh ka shënuar pesë fitore rresht. Me formën aktuale shpejt do ta festojë titullin e kampionit, të cilin e pret që nga viti 2017. Do të jetë titulli i 21-të për Baselin, i katërti i Zvicrës për Shaqirin me këtë skuadër. Tre të parët i kishte fituar prej vitit 2010 deri në vitin 2012.