Ylli i Kosovës

Zhegrova shpallet lojtari më i mirë i muajit mars

Ylli i Kosoves dhe Lilles, Edon Zhegrova

Sulmuesi Edon Zhegrova e ka fituar epitetin e lojtarit më të mirë për muajin mars në Ligue 1 të Francës. Futbollisti i Lillet fitoi garën me bashkëlojtarin e tij Jonathan David dhe Vitinhan e Paris Saint-Germainit.

Zhegrova fitoi epitetin e më të mirit nga Unioni Kombëtar i Futbollistëve Profesionistë (UNFP).

Në Francë është bërë e ditur se Zhegrova është në dyshim për ndeshjen e dytë çerekfinale të Ligës së Konferencës kundër Aston Villës. Ndeshja luhet të enjten.

Ai edhe të martën ka ndërprerë seancën stërvitore për shkak të problemi me këmbën e majtë. Lëndimin e pësoi në ndeshjen e parë çerekfinale të Ligës së Konferencës ndaj klubit elitar të Anglisë. Aston Villa e fitoi javën e shkuar ndeshjen e parë, 2:1, ndërsa ndeshja kthyese do të luhet të enjten në Lille.

Reprezentuesi i Kosovës, Zhegrova, është prej lojtarëve të rëndësishëm te skuadra franceze. 25-vjeçari ka shënuar 11 gola dhe ka asistuar nëntë herë në 41 ndeshje në të gjitha garat e këtij edicioni.