Sulmuesi i Kosovës, Edon Zhegrova, bëri paraqitjen e 100-të me fanellën e Lillet të shtunën në derbin ndaj Lensit, në kuadër të javës së nëntë të Ligue 1 të Francës. Ai e ka vlerësuar lart paraqitjen jubilare me Lillen.
“100 ndeshje me këtë klub të jashtëzakonshëm. Lille ka një vend të veçantë në zemrën time”, ka komentuar Zhegrova në llogarinë e tij në Instagram.
Zhegrova iu bashkua skuadrës franceze në janar të vitit 2022, ndërsa ka shënuar 25 gola dhe ka kontribuar me 17 asistime. Në Lille ka paraqitje më shumë se në çdo klub tjetër gjatë karrierës. Për Baselin i ka luajtur 74 ndeshje, kurse 27 për Genkun.