Pritshmëritë ishin të larta kur Elfsborgu e ktheu në skuadër Arbër Zenelin, 29-vjeçar, në mars të këtij viti.
Pasi pati minutazhë të madhe nën urdhërat e ish-trajnerit Jimmy Thelin, situata ka ndryshuar me trajnerin e ri, Oscar Hiljemark, ka shkruar të enjten mediumi suedez “Goteborgs-Posten”.
Në shumicën e ndeshjeve, Zeneli ka qenë në bankën rezervë. Dhe kjo nuk është duke i pëlqyer sulmuesit të krahut.
“E qartë është se ka qenë e vështirë. Jam kthyer tek Elfsborgu për ta ndihmuar ekipin dhe është e qartë se dua ta jap kontributin në fushën e lojës. Të gjithë futbollistët e duan këtë. Por ka qenë paksa e vështirë”, ka thënë Zeneli.
Zeneli ka treguar edhe për periudhën prejse iu bashkua sërish skuadrës ku edhe e nisi karrierën si futbollist.
“Në fillim ishte pak vështirë. Por unë jam person i vendosur dhe dua të arrijë gjëra të mëdha këtu në Elfsborg. Kjo deri tani nuk ka funksionuar siç kam menduar. Ka qenë fillim i vështirë, por po mundohem që gjërat t’i marrë pozitivisht”, ka theksuar ai.
Megjithatë, ai është i lumtur me të arriturat e skuadrës së tij në “Allsvenskan” dhe në Evropë.
“Një futbollist që nuk dëshiron të luajë në ndeshje, nuk është futbollist i vërtetë”, thotë ai.
Zeneli ka kontratë me Elfsborgun deri në edicionin e vitit 2027, por nëse situata nuk ndryshon, atëherë mund të kërkojë skuadër të re.
“Deri tani nuk e kam menduar të ardhmen. Por do të shohim. Nëse vazhdon kështu, duhet të mendojmë edhe për atë. Për momentin vetëm dua ta pranoj situatën pozitivisht dhe të stërvitem fort”, ka deklaruar ai.
Zeneli në të kaluarën karrierë ka bërë edhe te Heerenveeni në Holandë, Reimsi në Francë dhe Adana Demirspori në Turqi.
Në edicionin aktual në 25 ndeshje, përfshirë ato të elitës së futbollit suedez dhe kualifikimeve të Ligës së Evropës, Zeneli ka realizuar pesë gola dhe ka bërë pesë asistime.
Me Kosovën ka gjithsej 33 paraqitje dhe nëntë gola të shënuar.