Gjashtë muaj ka pritur Besfort Zeneli për t’u ftuar nga Përfaqësuesja e Suedisë në futboll. 22-vjeçari në shtator kishte thënë se ka refuzuar Kosovën për të pritur ftesën e Suedisë.
Dhe ftesa i erdhi të mërkurën Besfortit, vëllait të vogël të Arbër Zenelit, që për kohë të gjatë luajti për Kosovën.
Ish-mesfushori i Kosovës U21 është ftuar nga përfaqësuesja e Suedisë për ndeshjet e këtij muaji. Më 22 mars, Suedia e luan miqësore kundër Luksemburgut, derisa tri ditë më pas luan tjetër miqësore ndaj Irlandës së Veriut.
Përzgjedhësi i Suedisë, Jon Dahl Tomasson, ka thënë se ka ndjekur me vëmendje zhvillimin e Besfortit.
“Ai është krenar, por ndoshta pak i habitur. Ai ka luajtur për të rinjtë e Kosovës, por ne i kemi parë të gjitha ndeshjet e tij për Elfsborgun në nëntë muajt e fundit si në ligë ashtu edhe në Ligën e Evropës. Ai bën shumë gjëra të mira, është i guximshëm dhe dëshiron të luaj me topin. Luan afër kundërshtarëve, në hapësira të vogla dhe dëshiron të shtyjë ekipin përpara. Dëshironte shumë të ishte pjesë e përfaqësueses suedeze. Ne kurrë nuk i premtojmë një lojtari minutazhë. Unë nuk e bëj. Ne do të shohim se si ai do të përshtatet në sistem dhe do të shikojmë lojën e tij. Ai duhet të vazhdojë punën me qetësi”, ka thënë Tomasson.
Zeneli luan në pozitën e mesfushorit qendror, ndërsa paraqitet për skuadrën e Elfsborgut. Është prej lojtarëve kryesorë te skuadra elitare e Suedisë.
Pasi Zeneli nuk ka luajtur ndeshje zyrtare me Kosovën A, nuk ka pengesë që ai të luajë për Suedinë.
Besforti e ka përkrahjen e familjes për vendimet që i merr, duke përfshirë vëllain, Arbërin.
“Kur u ftova nga Kosova, ndjeva sikur doja të mendoja pak më shumë. E dija që nuk do të grumbullohesha në atë kohë për ekipin A suedez, por ndjeva se duhej të mendoja më tej, sepse nëse luaj një ndeshje për Kosovën, do të isha i mbyllur. Nuk doja të mbyllesha. Ndihesha sikur dua të luaj për Suedinë. Nuk e di se kur do ta kisha rastin, por ëndrra ka qenë gjithmonë të luaj për Suedinë”, ka thënë Zeneli të mërkurën në një intervistë për mediumin e madh suedez “Aftonbladet”.
Ka pasur hatërmbetje nga familja Zeneli dhe Arbëri për padrejtësitë që vlerësonin se i janë bërë atij te Kosova.
Arbër Zeneli ishte prej më të mirëve te Kosova para se të pësonte lëndim gjatë një grumbullimi me “Dardanët”. Më pas ai nuk mori veten dhe pati rënie në karrierë.
Rast i ngjashëm me atë të Besfort Zenelit ishte ai i mbrojtësit Edvin Kurtulushi, i cili ishte kapiten i Shpresave të Kosovës në gjashtë ndeshje. Ai luajti 12 ndeshje për Kosovën U21 mes viteve 2020 e 2022, kurse më pas vendosi të luajë për Suedinë në nivelin senior.
Medon Berisha, Adrion Pajaziti dhe së fundi Etnik Brruti janë lojtarët që lanë Kosovën U21 për Shqipërinë.
Më herët ka pasur shumë raste kur lojtarët janë larguar nga Kosova për të luajtur për Shqipërinë.
Federata e Futbollit e Kosovës nuk ka dalë me qëndrim për largimin e Brrutit dhe as për Zenelin.
KOHA ka kërkuar qëndrim nga FFK-ja, por nuk ka marrë përgjigje.
Trendi i largimeve pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen. Zeneli është një tjetër lojtar premtues i “humbur” nga Kosova.
Ai tani mund të luajë kundër Kosovës, nëse dëshmohet në miqësoret e këtij muaji.
Kosova e Suedia janë në një grup në kualifikimet për Botërorin 2026.