“Kemi pranuar ofertë prej 250 milionë eurove për Lamine Yamalin dhe e refuzuam atë”, ka deklaruar të enjten Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta.
Para afatit kalimtar veror të këtij viti, Barcelona kishte pranuar ofertë nga Paris Saint-Germaini. Mediat e huaja shkruajnë se ajo shumë e parave u është ofruar nga parisienët.
“Cili duhet të jetë çmimi i Yamalit, i cili po ashtu e fitoi Kampionatin Evropian dhe është bërë njëri prej lojtarëve më të popullarizuar në botë?”, ka shtuar tutje Laporta për 17-vjeçarin e talentuar që shkëlqeu në “Euro 2024” në Gjermani.
Nëse do ta pranonte atë ofertë, Yamali do të bëhej futbollisti më i shtrenjtë në histori të futbollit.
Rekordin aktualisht e mban Neymari, që u ble nga PSG-ja në vitin 2017 për 222 milionë euro, nga Barcelona.