Futboll

Yakini e vlerëson shumë të rëndësishëm Jasharin

Yakin kishte plan të fort për Ardon Jasharin

Lideri i mesfushës së Club Brugget ka luajtur vetëm dy minuta me fanellën e përfaqësueses së Zvicrës. Për t’u paraqitur më gjatë në fushë, Jasharit i duhet edhe pak kohë.

Lideri i mesfushës së Club Brugget, Ardon Jashari, ka shkëlqyer në Ligën e Kampionëve dhe kampionatin elitar të Belgjikës. Por duhet të pritet edhe pak për t’i treguar aftësitë e tij edhe me fanellën e Zvicrës. Ardon Jashari nuk është përfshirë në listën e Zvicrës për dy ndeshjet miqësore të këtij muaji. 

Jashari u largua pas 58 minutave nga fusha të mërkurën në ndeshjen e kthimit të një të tetës së finales në Ligën e Kampionëve kundër Aston Villës. U largua shkaku i lëndimit.

Lëndimin e Jasharit e ka konfirmuar të enjten edhe përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin.

“Unë fola me të. Ai është shumë i motivuar. Nuk mbetet pas, por ai nuk është me ne për shkak të lëndimit. Ai vetë është i mërzitur që nuk mund të jetë këtu. Unë kisha një plan të fort për të dhe doja ta inkuadroja nga fillimi në lojën e parë”, ka thënë Yakin të enjten në konferencë për media.

Helvetikët ndeshjen e parë e luajnë të premten e ardhshme ndaj Irlandës së Veriut, kurse më 25 mars ndaj Luksemburgut.

Jashari 22-vjeçar pritej të zëvendësonte në mesfushë kapitenin Granit Xhaka, i cili po ashtu do t’i mungojë Zvicrës në grumbullimin e këtij muaji. Xhaka mungon pasi së shpejti do të bëhet baba për herë të tretë. 

“Unë gjithmonë shpresoj në një lojtar që është i zhurmshëm në fushë dhe merr rolin e një lideri”, është shprehur Yakin.

Jashari nuk ka qenë së fundi pjesë e Zvicrës, me përjashtim të ndeshjes kundër Serbisë në nëntor. Ai ishte në bankën e rezervistëve në barazimin 1:1 dhe mungoi në ndeshjen kundër Spanjës për shkak të gripit.

Jashari ka luajtur vetëm dy minuta për Zvicrën. Por momentin e tyre te Zvicra do ta kërkojnë dy lojtarët e tjerë shqiptarë të ftuar nga Yakin. 

Andi Zeqiri dhe Albian Hajdari janë dy shqiptarët e vetëm të ftuar nga Zvicra për ndeshjet e këtij muaji. Sulmuesi Zeqiri po tregon paraqitje të mira te klubi belg Standard Liege, kurse mbrojtësi Hajdari te Lugano në Zvicër.